Elibjanka Shabani, lindur më 26.3.1959 në Trevllazër, banuese në Vlorë, me arsim të mesëm nënë e dy fëmijëve, punëtore në ndërmarrjen artistike, ishte 26 vjeç kur u arrestua më 12.4.1985 për konsumim të veprës penale në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë, të ndodhur ditën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Paraditja e 11 prillit 1985 kudo ishte një ditë e zymtë e me njerëz të hutuar. Deri në orën 12.00 kur do jepej lajmi për vdekjen e diktatorit, të gjithë pëshpëritnin se diçka kishte ndodhur. Kishte nga ata që e dinin se ai nuk jetonte më, por para orës 12.00 asgjë nuk dihej. As gazeta “Zëri i Popullit” nuk kishte gjë. Pasdite doli një numër special vetëm me një faqe. Elibjanka foli pikërisht atë ditë. Dhe e çuan në gjykatë për ta bërë shembull.
Gjykata e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.91, datë 8.6.1985, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 5 vjet heqje të lirisë. Në vendimin e shkallës së parë thuhej: “Ka rezultuar e provuar se më datën 11 prill 1985, kur si tërë populli edhe punëtorët e ndërmarrjes artistike prisnin me shqetësim të ligjshëm të sqarohej se çfarë gjë e jashtëzakonshme kishte ndodhur, e pandehura ka shkruar në repartin e tezgjahut ku punonte kunata e saj...dhe pasi ka pyetur çfarë ka ndodhur është kthyer në repartin e saj. Pikërisht këtë kohë u ka thënë shoqeve të saj...se “Enver Hoxha është sëmurë dhe dy udhëheqës të partisë janë vrarë me njëri-tjetrin”.
E dënuara apeloi vendimin me shpresën se gjykata më e lartë do të kishte parasysh moshën, fëmijët e vegjël, etj., por për Enverin regjimi nuk falte. Ai bënte keq edhe pas vdekjes. Dënimi u la në fuqi me vendimin nr.148, datë 29.6.1985 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ndonëse ky kolegj, drejtohej nga një grua, Eleni Selenica, nuk i uli asnjë ditë nga dënimi. Madje dha një arsyetim përforcues, në të cilin midis të tjerash thuhej:
“Pretendimet e saj për zbutjen e masës së dënimit nuk janë të bazuara. Gjykata i ka mbajtur parasysh të gjitha shkaqet për të cilat e pandehura kërkon zbutjen e dënimit dhe i ka harmonizuar drejt ato në shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës, e cila nga momenti në të cilën është kryer, paraqitet me rrezikshmëri shoqërore të madhe. Thëniet e saj, të përhapura pikërisht në ditën e vdekjes së udhëheqësit kryesor të partisë, kanë krijuar në punëtorët një lloj paniku. Dënimin, e pandehura duhet ta vuajë për t’u riedukuar”.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.