Rrahim Telha Oshafi, lindur më 2.4.1920 në Bllacë të Pogradecit, i cilësuar kulak, vuajti gati 17 vjet heqje lirie në regjimin komunist. U dënua dy herë për arsye politike, por edhe 4 herë të tjera me dënime të vogla të llojit prerje drush pa lejë në pyll, etj.. Dënimin politik e nisi kur ishte 53 vjeç dhe e përfundoi në moshën 71-vjeçare. Fillimisht u arrestua më 17.1.1973. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Pogradec, me vendimin nr.17, datë 3.4.1975, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në ankesën për rekurs shprehej se kishte dy fëmijë të vegjël për të rritur.
Kur ishte duke vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç më 6.6.1979 u arrestua. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal, sërish për agjitacion e propagandë. Nga dënimi i mëparshëm kishte për të vuajtur edhe 3 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë. Procesi gjyqësor u zhvillua në Spaç. Rrahimi ishte shprehur se ekonomia nuk ishte në duart e popullit, njerëzit në kooperativa lodheshin shumë, punonin shumë e të ardhura merrnin pak, se gjendja jashtë shtetit ishte shumë më e mirë, se në kohën e Zogut njerëzit kishin tokën e tyre, fshatari ishte i pavarur, njerëzit shkonin ku të donin, etj.. Për të gjitha këto, gjykata e cilësonte “armik të betuar të pushtetit”. Citohej të kishte thënë: “Në kohën e Zogut fshatarët kishin tokën e tyre, të gjitha prodhimet i merrnin për vete, nuk i jepnin hesap kujt. Fshatari ishte i pavarur e jetonte shumë mirë. Kjo qeveri që kemi sot nuk është gjë. Qeveri ishte ajo e Zogut, i linte njerëzit të shkonin nga të donin, kurse këta sot na mbajnë në tela jo vetëm ata që kanë futur në burg, por të gjithë popullin”. Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, me veprim në repartin nr.303 Spaç, me vendimin nr.45, datë 20.9.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Me bashkimin e dënimeve u dënua me 13 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U lirua më 20.11.1989 nga Reparti nr.303 Spaç me dekretin nr.7338, datë 13.11.1989 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në foton kryesore: Biruca e Spaçit ku të burgosurit mbaheshin të izoluar si formë ndëshkimi për veprime që komanda i konsideronte shkelje ose kur nuk pranonin të dilnin në punë
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
