1977/Kapën dy shokët e arratisur nga burgu, i çuan letër ministrit

0
2359
blank

Historia e Stavro Guxos dhe Manol Qiricit, është nga më të lexuarat në kujto.al. Një histori guximi, sakrifice dhe zemërgjerësie. Tani mund të lexoni se si tregohej kjo histori në kampin tjetër

Më 9.12.1977 të dënuarit Stavro Guxo dhe Manol Qirici, të cilët vuanin dënimin në Repartin nr.303 Spaç, pasi prenë telin e rrethimit, u arratisën. U bë kaq e butë kjo arratisje, sa askush nuk e mori vesh. Vetëm në orën 21.50 komanda u kujtua se mungonin dy të burgosur. Pasi qëndruan disa ditë të arratisur, u kapën nga civilë nga Tiranë, të cilët ishin atje për punë gjeologjie. U akuzuan në bazë të nenit 47 në kombinim me nenin 11 të Kodit Penal të vitit 1977. Gjykata e Rrethit Mirditë me vendimin nr.19, datë 26.4.1977, e deklaroi Stavron fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. Manoli u dënua me 25 vjet burgim. U la në fuqi me vendimin nr.132, datë 20.5.1978 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i fali jetën dhe ia ktheu dënimin me 25 vjet. Ata që bënë këtë veprim, civilët, u krenuan. Njeriu i ri, një qenie e shpërfytyruar, e joshur dhe e lidhur me citatet e partisë e tregon vetë veprën e tij në një letër që i dërgon ministrit të Punëve të Brendshme. Më poshtë letra e plotë.

 

***

I dashur shoku Kadri Hazbiu

Jam Isidor Risto Siliqi, anëtar i PPSH-së, njëri nga ata që morën pjesë në kapjen në flagrancë më datë 16 dhjetor 1977, të dy të dënuarve që ishin arratisur nga kampi i Spaçit për të ikur në Jugosllavi.

Nëpërmjet këtyre rreshtave, ju shpreh falënderimet tona të nxehta për punën që ka bërë partia për të na brumosur dhe edukojë, si dhe për urrejtjen kundër çdo armiku. Këto na bënë që ne të ishim vigjilentë.

Së bashku me dy shokët e Institutit të Projektimeve nr.3, Eljaz Ferhati (anëtar partie) dhe Thoma Lulën, ktheheshim nga shërbimi në hidrocentralin e Fierzës. Ishim në dijeni për ikjen nga kampi të dy të personave.

Mbasi udhëtuam rreth një orë me mikrobus (ku veç nesh kishim edhe tre pasagjerë), për arsye të rrugës së vështirë të ngrirë nga dëbora, duke ecur me shpejtësi të vogël, këtë kohë, mbas njërës kthesë, pamë dy persona të dyshimtë me një sëpatë në dorë.

Megjithëse të paarmatosur, pa marrë parasysh asgjë, ndaluam makinë menjëherë dhe unë së bashku me njërin pasagjer, punëtorin e hidrocentralin Luigj Prekuli, zbritëm nga makina, iu afruam atyre duke iu thënë të mos lëviznin.

Me shpejtësi kërkuam të vërtetonim dyshimin tonë duke i pyetur se ku punonin, kë kishin drejtor dhe sekretar organizate e ku banonin. Përgjigjet e paqarta, dredhia e tyre duke hequr veten si punëtorë të pyjores, dialekti i jugut, veshjet e njëllojta dhe koka e qethur e njërit prej tyre, na forcuan bindjen se para nesh ishin pikërisht personat që kërkoheshin.

Këta armiq të regjur u përpoqën me djallëzi të shpëtonin nga gracka ku kishin rënë rastësisht, duke thënë: “Ç’keni me ne, na lini në punën tonë, ne jemi punëtorë”. Shoku që kish zbritur me mua i tha se ai qe gazetar, ndërsa unë operativ sigurimi. Në këtë çast ata u frikësuan edhe më tepër dhe menduan sigurisht që unë kisha armë. Ndërkohë i kërkova letërnjoftimet dhe sapo u përgjigjën se nuk i kishin, i kapëm me shpejtësi nga krahët, i morëm sëpatën dhe i detyruam të futen në makinë. Të gjithë këto veprime u kryen me shpejtësi.

blank

Mbas nisjes së makinës, unë, tashmë i bindur, i thashë se ata ishin të arratisur nga Kampi i Spaçit para një jave.

I pyeta ku kishin jetuar e si janë ushqyer, etj.. Ata u detyruan të pohonin që qëllimi i tyre pas ikjes nga kampi ishte arratisja në Jugosllavi.

Zbulimi, kapja dhe çarmatosja u bë. Detyra jonë ishte t’i dorëzonim sa më parë në duar të sigurta të organeve tona të diktaturës së proletariatit.

Mbas tri orëve rrugë, duke qëndruar në gatishmëri ndaj të papriturave ia arritëm qëllimit. Në Pukë, shefi i Policisë, Latif Dizdari, ju njoftoi personalisht juve për kapjen e tyre. Ju, nëpërmjet tij na përgëzuat “për kryerjen me sukses dhe zgjuarsi të këtij aksioni të befasishëm”. Duke ju falënderuar për këtë, ju premtojmë se edhe në të ardhmen, do jemi gjithnjë vigjilentë duke mos kursyer as jetën.

Falënderojmë edhe shokët e Degës së Punëve të Brendshme Pukë, të cilët sapo arritën në Pukë, na përgëzuan ngrohtësisht.

Armiqtë e çfarëdo kallëpi gjithnjë kanë dështuar dhe do të dështojnë, se të gjithë ne jemi ushtarë besnikë të partisë.

Përshëndetje revolucionare, Isidor Risto Siliqi

Tiranë 22 dhjetor 1977

kujto.al

Historinë e arratisjes së Stavro Guxos dhe Manol Qiricit, kujto.al e ka publikuar të rrëfyer nga djali i Manolit, Anastas Qirici, me titullinDy shokë

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here