1963/Në hetuesi, për Krishtlindje

0
100
blank

Pak javë më parë Dom Ernest Simoni (Troshani) drejtoi një meshë në Barbullush, pikërisht aty ku u arrestua 62 vjet më parë. E ndaluan në  vigjilje të Krishtlindjeve, në vitin 1963; e morën në pyetje ditën e festës së madhe dhe më pas, e dënuan me 18 vjet heqje lirie. Dënimin e kreu thuajse të plotë duke u liruar në vitin 1980. Megjithatë, ai arriti t'i mbijetojë persekutimit, ta shohë të drejtën e besimit t'i kthehej Shqipërisë dhe të veshë sërish petkun e klerikut, duke u shpallur kardinal në vitin 2016.

Dom Ernest Ndrekë Simoni (Troshani), lindur më 26.10.1928 në Shkodër (prej vitit 2016 është kardinal), në vitet 1963-1980, vuajti 17 vjet heqje lirie në regjimin komunist. Ai ishte 35 vjeç kur u arrestua dhe 52 vjeç kur u lirua nga privimi i lirisë.

U arrestua më 24.12.1963 në prag në Krishtlindjeve në fshatin Barbullush. U akuzua në bazë të neneve 73/1 dhe 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. U mor në pyetje nga hetuesi major Ali Xhunga pikërisht më 25.12.1963, për Krishtlindje, për të demonstruar më mirë qëndrimin e regjimit ndaj klerit.

Shpeshherë datat e shënuara lidheshin me politikën e goditjes, si pasqyrim gjurmëlënës i luftës së klasave. Kleriku u bë fajtor se kish folur kundër pushtetit popullor, dëgjuar radiot e huaja, folur mirë për presidentin amerikan Kenedi dhe se shpresonte për ndryshimin e situatës në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. I pranoi këto, por duke shtuar se nuk mbante mend me cilin person mund t’i kishte biseduar këto çështje.

Në fillim, u akuzua vetëm për nenin 73/1, por më 5.1.1964, iu njoftua akuza e tentativës për arratisje. Hetuesia e zgjeruar ndaj tij u zhvillua më 6.1.1964. Kleriku pranon se ka 3 vjet që mendohet të arratiset, sepse regjimi mund të nxirrte një ligj për mbylljen e kishave dhe mund ta arrestonin. Qëllimi i arratisjes ishte për në Jugosllavi, për të kaluar pastaj në Itali. Kjo hetuesi është zhvilluar në prani të zëvendësprokurorit të Rrethit të Shkodrës, Qemal Llazani. Në hetuesinë e datës 15.1.1964, fare qartë, kleriku flet për atë që mendonte mbi regjimin: “Përveç shkakut të fesë që kam treguar, isha shtyrë në veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor edhe pse mendoja pse bujku, fshatarësia kishte të ardhura të pakta nga kooperativat bujqësore, e prandaj kolektiviteti i bujqësisë më dukej i padrejtë. Gjithashtu rrogat e punëtorëve më dukeshin se ishin të vogla e në këtë mënyrë mendoja se ekonomia e vendit tonë m'u dukte e dobët dhe për këtë, siç mendoja unë, është faji i vetë sistemit ekonomik që ka pushteti popullor në Shqipëri”. I pyetur nga hetuesi sesi e kuptonte sistemin socialist në vendin tonë, ai i përgjigjet: “Sistemi që ndiqet nga shteti jonë e mendoj në disfavor të masave punonjëse të popullit, prandaj duke kuptuar kështu, mua edhe nuk më pëlqente. Duke u nisë nga ky fakt, unë kam folur me persona të ndryshëm kundër këtij sistemi”. Fjalitë e tij janë nënvizuar me laps nga hetuesi, sigurisht të gatshme për të qenë pjesë të akuzave më të stërholluara të tij.

Në hetuesinë vijuese të datës 20.1.1964, përveç fjalëve që ka thënë më parë, Dom Ernesti deklaron: “... Populli ka mbetur i zbathur e zhveshur se nuk ka çfarë të hajë, punon shumë e merr pak. Kam folur se për të gjitha këto populli është i pakënaqur dhe se nuk e do aspak qeverinë. Pret të përmbyset ky pushtet. Kam folur gjithashtu se pa ardhur një qeveri tjetër në fuqi që të këqyrë popullin, kështu do vuajmë... Shqipëria ka mbetur vetëm. Prandaj pritet ndryshim i situatës nga jashtë”.

Gjykata e Qarkut të Shkodrës, datë 17.3.1963, e konsideroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.39, datë 22.4.1964 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 27.12.1980 nga Reparti nr.303 në Spaç.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here