Një listë anëtarësh të familjeve me influencë në gjithë zonën e Përmetit, që u vunë në ndjekje gjatë viteve 1958-1964. Kush ishin dhe çfarë kishin bërë gjatë jetës këta njerëz që vetëm diktatura mund t’i dënonte me burg.
Nga Xhafer Sadiku
Ndonëse kishte vite që në fshatra ishte realizuar përçarja e fshatarësisë, shumë familje të cilësuara kulakë, megjithëse ishin varfëruar, nuk e kishin humbur influencën në sytë e fshatarëve. Në të vërtetë, influenca e tyre nuk buronte aq nga pasuria se sa nga personaliteti dhe vlerat që kishin treguar në favor të atdheut, në moment të vështira të historisë.
Megjithëse nuk pranoheshin në kooperativa bujqësore ato u akuzuan nga regjimi si shkaktare të dështimit të kooperativave bujqësore. Për të mbajtur në kontroll familjet me influencë, sigurimi ngriti rrjetin agjenturial dhe secila kooperativë u mbulua me agjenturë. Agjentura në drejtim të ekonomisë dhe kulakëve në fillim të vitit 1958 ishte një agjent, 10 rezidentë dhe 44 informatorë.
Rrjeti agjenturial në kooperativat bujqësore do të forcohej në vitet që do të vinin dhe si rezultat, në vitet 1958-1964 pati shumë të arrestuar në familjet me influencë.
…
Sigurimi vinte në dukje se: “në drejtim të kolektivizimit elementi armik ka penguar që të mos ngrihen kooperativa të reja, të mos shtohet numri i anëtarëve të rinj. Kanë nxitur grindje që të largohen anëtarët nga kooperativat, e të tjerë duke thënë se në kooperativa do vdesin njerëzit për bukë”.
Për të rregulluar punët në kooperativat bujqësore u arrestua Njazi Rakipi, u rekrutuan bashkëpunëtorë të rinj, u grumbulluan procese dëshmie për ata që ishin në përpunim dhe u propozuan persona të tjerë për goditje. Kooperativat e reja u plotësuan me agjenturë.
Një nga skenarët e sigurimit me rezidentura të zbulimeve të huaja ishte ajo që ata e quajtën rezidentura e Hodo Skënderit, në Frashër.
…Ai u mor në përpunim dhe për realizimin e përpunimit u rekrutuan agjentët “Vëzhguesi” dhe “Tabori”. Bashkëpunëtorët informonin se Hodo Skënderi zhvillonte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ndërsa të dhëna të tjera nuk dilnin.
…Ndonëse nuk kishte prova, sigurimi nuk hoqi dorë nga plani për ta goditur Hodo Skënderin. Ata vendosën “që të grumbulloheshin të dhëna me forcë ligjore dhe të arrestohej për agjitacion e propagandë”. Provat ligjore për agjitacion e propagandë ishin deklaratat e dëshmitarëve të rremë që i përdorte sigurimi. Por qëllimi i sigurimit ishte ta dënonte si njeri të italianëve dhe kjo mund të realizohej me anën e kombinacioneve agjenturiale-operative në kushtet e izolimit dhe hetuesisë intensive, si dhe të torturave kundër të arrestuarit. Natyrisht, materialet u grumbulluan dhe më 29 janar 1959, Hodo Skënderi u arrestua për agjitacion e propagandë.
…Në fakt, siç del nga historiku i sigurimit…dënimi i Hodo Skënderit bëhej pasiqë, “kishte qënë pas Medi Frashërit”.
Në të vërtetë, Hodo Skënderi ishte nacionalist i njohur në krahinën e Dangëllisë. Në vitet 1934-1937 kishte punuar si instructor në rojën mbretërore të kufirit, në Shkodër, ndërsa në 1937-1938 në Korçë. Pas kësaj periudhe, deri më 7 prill 1939 shërbeu në batalionin e rojës së kufirit, në Durrës, në detyrën përgjegjës i kontrollit të mallrave në doganë.
Në maj 1939, bashkë me të tjerë, u dërgua në Romë të kryente kursin gjashtëmujor për roje finance dhe mbas kthimit shërbeu në Vlorë e Durrës. Më 1940 u pushua nga puna për shkak të konflikteve që kishte me zyrtarët italianë dhe u kthye në Frashër.
Hodo Skënderi u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Lundur më 1905, në katundin Mokricë. Që nga viti 1932 kishte shërbyer në rojen e financës në shumë zona të vendit. Nga prilli i vitit 1941 deri qershor 1942 punoi si përkthyes në batalionin e Rojës së Financës, për të kaluar përsëri në rojen e financës, në Tetovë, deri në vitin 1944. Atë vit u bashkua me forcat partizane, ndërsa me mbarimin e luftës u kthye në vendlindje. U emërua sekretar teknik pranë komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të Rrethit Përmet. Pas dy vjetësh në atë detyrë e pushojnë nga puna dhe kthehet në fshatin e tij.
Njazi Rakipi nuk ishte marrë në shërbim nga autoritetet italiane, por ishte ndihmuar të punësohej nga kapiteni i xhandarmërisë, Esat Pagria, që ishte edhe daja i tij. Megjithatë, gjykata legalizoi dënimin, që në të vërtetë e kishte vendsour sigurimi: 15 vjet heqje lirie.
Në fakt…Njazi Rakipi…u dënua për të trembur të tjerët dhe për të rregulluar punët në kooperativë. Në vendimin gjyqësor vihej në dukje, se Njazi Rakipi e urrente regjimin e Demokracisë Popullore: “në mënyra të ndryshme ka çfaqur urrejtje dhe ka pritur ndryshimin e situatës në vendin tonë. Ka folur kundër kolektivizimit të bujqësisë, duke u shprehur se në katundin e vet nuk mund të bëhet kooperativa se pot ë kolektivizohemi do vuajmë sikundër vuajën kooperativat e tjera bujqësore”.
…Në raportet e sigurimit për vitin 1958, theksohej: “Sot si përpunim kryesor kemi vetëm Dalan Xhaferin nga katundi Shelq, ngritur në përpunim aktiv në vjetin 1957 për agjitacion e propagandë.
Është kulak dhe njeri me influencë jo vetëm për fshatin e tij por gjithë krahinën”.
“Gjatë këtij viti, theksohej në raportin në fjalë, neve e propozuam për ta goditur, por nuk u aprovua për mungesë provash”.
Megjithëse nuk kishte prova kundër tij, seksioni i sigurimit në Përmet, këmbëngulte ta burgoste për agjitacion e propagandë. Operativi i sigurimit, Mehmet Xhakolli, aktivizioi në drejtim të tij informatorët “Torino” dhe “Ylli”.
Dalan Xhaferin e arrestuan në korrik 1959 dhe e dënuan me 13 vjet burg.
Ishte nga Katundi Bënjë e Këlcyrës. Kishte qenë disa vjet emigrant ekonomik në Francë, nga ku kishte sjellë elementë të kulturës së atij vendi. Atje kishte njohur emigrantët politikë, bashkëkrahinarët e tij, Ali Këlcyrën e Sejfulla Malëshovën. Atdhetar dhe me integritet moral, kishte fituar statusin e njeriut me influencë në krahinë. Gjatë luftës kishte marrë letër nga Mehmet Shehu për ta tërhequr në anën e tyre. Pas lufte, regjimi e shihte si pengesë për reformat e tij dhe filloi ta godiste për t’i ulur influencën.
Në janar 1958 në drejtim të tij sigurimi aktivizoi agjentin “Xhuleta” dhe informatorët “Poeti” dhe “Muzina”. Kjo agjenturë, theksohej në një raport, “është e mjaftë dhe i ka të gjitha mundësitë që të përpunohet mirë”.
Në raportet e seksionit të sigurimit theksohej se Hyseni “tregohet aktiv në aktivitet kundër pushtetit, sidomos kundër kolektivizimit të bujqësisë” dhe se “… ka qenë baza strehuese e bandës së Muhamet Polit në vitet 1954-1955”.
…sigurimit iu deshën katër vjet përpunim agjenturor për ta arrestuar. Dosja e përgatitur nga të dhënat e agjenturës, u “vërtetua” në gjykatë nga shtatë dëshmitarë të rremë. Në të vërtetë, Hysen Sakollari i mohoi në gjykatë shpifjet e tyre.
Në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor lexohet: “…i gjykuari ka folur kundra sistemit kooperativist dhe ka propaganduar në persona të tjerë që të largoheshin nga kooperativa bujqësore. I gjykuari ka folur kundra pushtetit popullor duke thënë se situata në Shqipëri do të ndryshohet së shpejti dhe se qeveria e sotshme do të rrëzohet si rezultat i ndërhyrjes së shteteve kapitaliste.
Megjithë përpunimin e agjentit “Xhuleta”, sigurimi dështoi në synimin e tij për ta kompromentuar si bazë e “diversantëve”. E dënuan 10 vjet burg.
Vazhdon në postimet e ardhshme.
Marrë nga libri “Skenarë të Përgjakur (Përmeti, 1943-1990)”, Xhafer Sadiku, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.