Gazeta “Shqipëria” organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, në numrin e saj 10, dhjetor 1955 i kushtonte rëndësi arratisjes masive të një familjeje. Me titullin e madh “Një familje shqiptare del në botën e lirë”, ajo përshkruante historinë e familjes Musa nga Maçurishti i Korçës, shoqëruar me një foto. Në atë kohë, gazetat e emigracionit politik i boton fotot e të arratisurve vetëm me lejen e tyre. Një rast i lejuar i fotos është edhe ky i familjes në fjalë, e cila mundi të shpëtojë nga terrori komunist. Gazeta shkruante midis të tjerash:
“Terrori i madh që ushtron regjimi komunist në Shqipëri, si dhe varfëria që e ka mbuluar anembanë vendin, i detyron shqiptarët që të braktisin vatrat e tyre dhe të dalin në botën e lirë. Të këtilla ikje janë të shumta dhe shtohen përditë”.
Familja Musa ishte arratisur nga kufiri shqiptaro-grek. Djemtë e fotos, kishin mbaruar gjimnazin e Tiranës dhe u bashkuan me familjen duke kaluar matanë. Në arratisje, një nga zonjat kish qenë 7 muaj shtatzënë.
Kur kaluan kufirin ishin të zbathur dhe gati lakuriq, organizatat humanitare ndërkombëtare u kujdesën për jetën e tyre. Gazeta shkruante se fëmijët shkëlqenin si pëllumba, ishin të qeshur e të gëzuar sepse regjimi u kish mohuar bukën dhe lirinë. Me interesim të organizatave, ata zgjodhën vendin ku dëshironin të shkonin, duke shpëtuar nga regjimi i cili i kishte piketuar si armiq për t’i burgosur.
Fotoja:
-Ulur përdhe fëmijët: Pëllumb Nijazi Musa, Lulzim Nijazi Musa, Agron Nijazi Musa.
-Ulur: Fuat Musa, Mit’hat Musa.
-Ulur gratë: Myqereme Enver Musa, Lirie Nijazi Musa, Fatmire Nexhmi Musa.
-Në këmbë: Enver Musa, Nexhmi Musa, Nijazi Musa.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.