Në vitin 1951 Ministria e Punëve të Brendshme rishikoi normat e ushqimit për të burgosurit dhe të internuarit. Propozimet e zbatuara sollën uljen normave dhe si pasojë dobësime e vdekje të tjera që pranohen nga vetë ata që u morën me raportin.
***
Ministria e Punëve të Brendshme
Nr.135 sekret, datë 16.6.1951
Lënda: Relacion mbi normat e ushqimit për robërit e luftës dhe të burgosurit që punojnë.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, gjeneral armate, Enver Hoxha
Me urdhër nr.115/140 sekret, datë 5.4.1951 të Kryeministrisë u formua një komision i përbërë nga major Tanush Shyti, major Gaqo Kollumbi dhe major Dhimitër Kotini për të shqyrtuar normat e ushqimit për Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Komisioni pasi shqyrtoi normat e ushqimit, propozoi për uljen e normave në përgjithësi dhe propozimet e tij u aprovuan. Nga ulja e normës së ushqimi gjatë kësaj kohe na rezulton se:
1-Për të burgosurit që punojnë si në kanalin e Maliqit, në kanalin Peqin, Kavajë, etj, ka ankime nga të burgosurit, rendimenti i punës ka rënë, ka dobësi fizike dhe kemi patur një numër të sëmurë sidomos në Maliq ku edhe konditat e punës janë të rënda. Kjo gjendje është edhe për kampin e robërve të luftës.
2-Të gjithë normat e tjera janë të mjaftueshme. Për të shtuar rendimin në punë, për të ruajtur gjendjen fizike të të burgosurve dhe të internuarve dhe për të nxitur ata që punojnë, jemi të mendimit që të burgosurve dhe të internuarve (duke futur edhe kampin e robërve të luftës) që punojnë, t’u jepet norma e ushqimit që kanë patur më parë, gjithashtu t’u jepet i njëjti ushqim të sëmurëve nëpër kampet e punës edhe për kohën që nuk punojnë për arsye fizike.
Për ata të burgosur dhe të internuar që nuk punojnë ne jemi të mendimit të mbretet norma që kanë tani.
Bashkëlidhur po ju dërgojmë një pasqyrë të normave të reja për të burgosurit dhe të internuarit.
Ndihmësministri i Punëve të Brendshme
Kolonel Kadri Hazbiu
Norma e vjetër për ata që punonin:
1-Buka, 750 gram
2-Koloniale, 120
3-Mish, 100
4-Vaj ose gjalpë, 15
5-Kripë gjelle, 15
6-Sheqer për mëngjes, 10
7-Kafe, 1
8-Qepë të njoma ose të thata, 15
Norma e re për ata që punonin:
1-Buka, 650 gram
2-Koloniale, 100
3-Mish, 75
4-Vaj ose gjalpë, 15
5-Kripë gjelle, 15
6-Sheqer për mëngjes, 10
7-Kafe, 1
8-Qepë të njoma ose të thata, 15
***
Norma e vjetër për ata që nuk punonin (burgjet):
1-Buka, 650 gram
2-Koloniale, 85
3-Mish, ---
4-Vaj ose gjalpë, 10
5-Kripë gjelle, 15
6-Sheqer për mëngjes, --
7-Kafe, --
8-Qepë të njoma ose të thata, 30
Norma e re për ata që nuk punonin (burgjet):
1-Buka, 500 gram
2-Koloniale, 85
3-Mish, ---
4-Vaj ose gjalpë, 7
5-Kripë gjelle, 15
6-Sheqer për mëngjes, --
7-Kafe, --
8-Qepë të njoma ose të thata, 30
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.