1946/Udhëzimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake për burgjet plot dhe kampet e punës

0
255
blank

Më 1.8.1946 (në fund të raportit shkruhet edhe 2.8.1946), kryetari i Seksionit Juridik të Gjykatës së Lartë Ushtarake, nënkolonel Gaqo Floqi, i cili më vonë u bë kryetar i kësaj gjykate, në lidhje me organizimin e burgjeve dhe kampeve të punës, përgatiti një raport të posaçëm. Përveç ndarjes që i bëhet elementit ordiner, ushtarak dhe atij politik, në raport pranohet se shumë dënime për kundërshtarët e regjimit ishin dhënë kot. Situata në vitin 1946 ishte e atillë që burgjet ishin plot.

Raporti:

Të burgosurit për faje ordinere duhet të ndahen nga të burgosurit që janë në kompetencën e gjykatave ushtarake:

1-Të burgosurit ordinerë varet nga prokurorët e gjykatave dhe administrimi i burgut, ruajtja, ushqimi, varen nga Ministria e Punëve të Brendshme.

2-Kriminelët e luftës e armiqtë e popullit, duhet të grumbullohen në një burg të veçantë pasi varen prej gjykatave ushtarake dhe prej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit.

3-Të burgosurit ushtarakë në qendrat e prefekturave përveç Tiranës janë përgjithësisht bashkë me të burgosurit e tjerë.

Në përgjithësi burgjet janë plot dhe përmbajnë shumë elementë të cilët akuzohen pa patur fakte si persona që kanë patur relacione me kriminelë e të arratisur. Për sistemimin e rregullt të burgjeve propozojmë:

1-Të ndërtohet një burg ushtarak këtu në Tiranë në mënyrë që të përmblidhen të gjithë të dënuarit ushtarakë prej gjykatave ushtarake.

2-Krijimin e brigadave të punës me të burgosur ku të marrin pjesë vetëm ushtarakët e dënuar lehtë dhe që kanë mundësi brenda pak kohe të rehabilitohen me anën e punës. Vendi ku do punojnë këto brigada, zgjidhet në marrëveshje me Ministrinë e Punëve Botore. Ruajtja e brigadave të punës t’u besohet organeve të Mbrojtjes së Popullit. Për personelin edukues të caktohen kuadro të posaçme.

3-Krijimin e brigadave të punës dhe për armiqtë e popullit ndëshkuar me dënime të lehta.

4-Krijimin e komisioneve pranë çdo prefekture për shqyrtimin e shpejtë të akuzave të disa të burgosurve që mbahen vetëm me dyshime ose faje krejt të vogla si p.sh. moskallëzim të arratisurish ose strehim i kriminelëve të cilët më vonë janë kapur. Kështu dënimi i tyre nuk ka asnjë efekt intimidues për të tjerët. Ky komision formohet prej kryetarit të gjyqit, prokurorit ushtarak dhe prej seksionit të mbrojtjes.

5-Komisionet hetimore për kriminelët e luftës zakonisht kanë dërguar lista propozimesh për lirim të burgosurish Drejtorisë së Mbrojtjes që kjo mbasi të bëjë hetimet të shfaqë mendimin për aprovim të lirimit apo jo. Nga qendërzimi i punës, Drejtoria e Mbrojtjes deri tani si rezultat praktikë ka liruar fare pak njerëz. Do të ishte mirë që komisionet që u përmendën në pikën 4 të marrin në rishqyrtim listat e propozimeve të bëra nga komisionet hetimore dhe të vendosin mbi lirimin ose jo të tyre.

Të ndërtohet ose të gjendet një burg ushtarak në Tiranë, i cili të shërbejë për grumbullimin e gjithë ushtarakëve të dënuar nga repartet e ndryshme./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here