Tre vëllezërit Metalia u dënuan për tentativë arratisjeje. I madhi, 19 vjeç, u dënua me pushkatim, ndërsa dy të tjerët me burg. Mal Metalia ishte vetëm 15 vjeç në atë kohë, por kjo nuk e pengoi gjykatën ta dënonte me 5 vjet heqje lirie.
Mal Metalia është pjesë e një familjeje që regjimi komunist i ka shkaktuar plagë të thella, por edhe një nga ata të dënuar politikë që u burgos në moshë fare të re, duke qenë në burg para se të shkonte në ushtri.
Qeveria komuniste e kishte shpallur kulak këtë fis të madh nga Dragobia e Tropojës dhe kishte dënuar me pushkatime e burgojse disa anëtarë të tij. Si pasojë, askush prej tyre nuk mund të dëshironte të jetonte nën këtë regjim.
Në vitin 1960, një i afërm i arratisur, vjen të marrë burrat e familjes së tyre për të kaluar bashkë kufirin. Arrin të marrë babain, por mesa duket grupi zbulohet dhe plani nuk realizohet. Tre vëllezërit Riza, Imer dhe Mal Metalia (në disa raste mbiemri shkruhet Metaliaj, apo Matalija) i arrestojnë. Më i madhi ishte 19 vjeç dhe më i riu, Mala, sapo i kishte mbushur 15 vjeç. Ishte i pamësuar me jetën e jo më me burgjet. Bashkëvuajtësi i mëvonshëm i tij në kampin e kombinatit të mishit në Tiranë, Mark Alija, në librin e vet “Rrëfime nga birucat e komunizmit”, botuar nga ISKK në vitin 2023, përmend një episod i paharrueshëm.
“Më e rëndë ishte kur e transferuan në birucat e Shkodrës. Natën e parë, polici i rajonit, i dërgoi bukën 600 gramë, sa ishte racioni, norma.
-Jo, i thotë Mala- nuk e marr. Polici befasohet, e pyet se pse nuk po e merr.
-S’kam lekë ta ble,- thotë Mala. Polici qeshi me ironi dhe i tregon se është falas.” -shkruan Alija.
Mbështetur në dëshminë e vetë Mal Metalias, apo Xhemalias, siç thirrej në atë kohë, atë dhe vëllezërit i mbajtën një muaj në hetuesi para se t’i nxirrnin në gjyq.
“Filloi gjyqi. Pretenca ishte: Riza Xhemaili dënohet me vdekje, pushkatim. Imer Xhemaili, vëllai i dytë, 17 vjeç, dënohet me 25 vjet burg. Mal Xhemaili dënohet me 8 vjet. Vendimi i gjykatës u dha për Riza Xhemailin, dënohet me vdekje, pushkatim, edhe ashtu e lanë. Imer Xhemaili meqë ishte nën moshë, e lanë 12 vjet. Mal Xhemaili dënohet me 5 vjet. Mbaruam gjyqin na kanë lënë të flisnim jashtë, me gjithë vëllain që e dënuan, nja 10 minuta. Pas 10 minutash, nuk e kemi parë më vëllain”, ka treguar ai në një intervistë për arkivën e familjes Doko, publikuar në kujto.al.
Vëllain e dënuar me pushkatim, e mbajtën në një birucë të veçantë në të njëjtin burg. Ata e dinin që ai ishte aty, por nuk e panë. Derisa një ditë u hap dera e dhomës së Burgut të Shkodrës, me rreth 200 të dënuar, ku ishin dhe Imer dhe Mal Metalia. “Pas 17 ditësh, vjen një oficer edhe çohemi në këmbë ne të burgosurit në atë dhomë. -Kush është Imer Xhemaili, Mal Xhemaili? - thotë oficeri i shërbimit. -Unë jam Imeri, tha Imeri. Une thashë që jam Mali. -Jua pushkatuam vëllain, tha. Ne qëndruam, nuk bërtitëm hiç. Na i kishte lënë amanet vëllai. U çuan ata burrat na ngushëlluan. 200 burra nga të gjitha krahinat. Akt-akuza: tentativë për arratisje, pa dalë nga dera e shtëpisë, edhe e pushkatan 19 vjeç. Një djalë dy metra i gjatë, një shqiptar, në atë moshë. Unë dhe Imeri mbetëm në burg”, ka thënë Mal Metalia në intervistën e publikuar në kujto.al nga arkiva e familjes Doko.
Qëndruan dy muaj aty dhe më pas i çojnë në Tiranë, ku po ndërtohej kombinati i mishit, ku edhe njihet me Mark Alijan, i cili e ka përfshirë historinë e Malës në librin e vet me tregime memuaristike. “Në vitin 1960, në kombinatin e mishit në Tiranë, në mes të të burgosurve sollën edhe Malen me të vëllanë, Ymerin”, shkruan Mark Alija.
“Kombinati i mishit ishte një frigorifer i madh,-kujton Mal Metalia.- Aty na kanë futur brenda, kemi qenë 1000 burra. Na kanë dalë para si djem të rinj, na kanë marrë, na kanë përgëzuar, na i kanë lënë bukën e ushqimet, edhe nisëm jetën e burgut në kampin e punës. Aty Ymeri u bë gati 18 vjeç, i ri dhe i bukur e çuan të bëjë beton, punën më të rëndë. Unë të them të drejtën, disa muaj, unë nuk isha në punë. Ka burra që janë gjallë sot dhe nuk dua të shtoj asgjë. Edhe sot jam me ta, me Mark Alinë, me shumë burra prej Shqipërie. Nuk më kanë nxjerrë në punë nja 6 muaj. Pastaj, një burrë nga Mokra, më thotë: A po vjen të të mësoj si hekurthyes, me mua? Edhe mësova. Pa i bërë 16 vjeç, më kanë marrë me të mira, më kanë bërë hekurthyes, më kanë dhënë zanat. Ymeri ka vuajtur më shumë, ka punuar në punë të rëndë, me beton, karrocë”.
Mala kreu dy vite e gjysmë burg dhe më pas u lirua prej një amnistie që prekte të dënuarit nën 18 vjeç. Pas daljes nga burgu, mësoi se atij nuk i lejohej të kthehej në vendlindje, madje as të kalonte urën e Matit. Jetoi një vit te xhaxhai i tij dhe më pas kreu ushtrinë. Ndërsa i vëllai, kreu 9 vite burg. U bashkuan pas lirimit të tij. I ati, pas arratisjes, përfundoi në SHBA, bashkë me djalin e vogël. Pjesa tjetër e familjes ishte internuar në Lushnjë që me arrestimin e tyre.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.