1952, mëngjes Bajrami në burgun e Çengelajve

0
914
blank

Besimtarë të burgosun qysh prej krahinave ma të epra të Kosovës në veri e deri poshtë n’ato të Çamërisë tonë të dhimbsun, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë nën “ezanin” e thellë e prekës të hoxhës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje, tue ba që ai shesh kampi komunist, t’ishte shndërrue për pak kohë në nji tempull, xhami, ku besimtarë të vuejtun që prej thellë shpirtit i luteshin Zotit të plotfuqishëm si asnjëherë tjetër në jetën e tyre...

Mes shumë kujtimeve të vyera që Ahmet Bushati, ka shkruar për periudhën e burgut, është edhe kjo copëz kujtimesh mbi periudhën e vuajtjes së dënimit në kampin e Çengelajve, që ishte ndërtuar në vitin 1952 ndërmjet Peqinit dhe Kavajës. Bushati kujton një ditë që i ka lënë mbresa të jashtëzakonshme nga kjo periudhë si i burgosur, ditën e Bajramit dhe familjen e të gjithë të burgosurve myslimanë që ishin në atë kamp.

 “Më ishte infektue keq thembra e njenës kambë, aq sa për disa ditë nuk muejsha me e prekë me te në tokë. Me temperaturë e pushim të mjekut më zue edhe nata e festës së Bajramit, e që prej temperaturës së naltë që kisha pasë, nuk pata ndigjue se ç’mund të ishte folë rreth ditës së nesërme, ditës së Bajramit.

Ishte verë dhe të nesërmen në mëngjes heret shumë, nji dritare e vockël që binte mbi kryet tim, bashkë me dritën që sapo kishte nisë me zbardhë, po më fuste edhe nji freski të kandshme, të cilën po e ndjejsha se më rrëshqiste me ambëlsi mbi fytyrë. Nuk dij ç’ndodhi që unë papritmas u ngrita përnjiherë me vërejtë përjashta, kur si për një mrekulli, m’u shfaq para tablloja madhështore e faljes së Bajramit nga ana e të burgosurve myslimanë, të cilët qysh me natë kishin pasë pushtue cep më cep gjithë katrorin e oborrit të madh të kampit, që mue prej emocionit e çudisë, më bani të shtangesha menjiherë.

Kishte pas ndjehë Ditë Bajrami! Në fillim nuk po iu besojsha syve dhe ende pa pasë fitue vetëdijen, gjithçka aty po m’u dukte si në andërr, sikur t’u ndodhsha para nji pamjeje që e kishte lëshue nata. Besimtarë të burgosun qysh prej krahinave ma të epra të Kosovës në veri e deri poshtë n’ato të Çamërisë tonë të dhimbsun, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë nën “ezanin” e thellë e prekës të hoxhës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje, tue ba që ai shesh kampi komunist, t’ishte shndërrue për pak kohë në nji tempull, xhami, ku besimtarë të vuejtun që prej thellë shpirtit i luteshin Zotit të plotfuqishëm si asnjëherë tjetër në jetën e tyre. Nuk kishte ndodhë ndonji herë! Fjala njatë, por unë që ndigjojsha ezanin e hoxhës që u përhapte gjithandej si thirrje qielli e njerëzit mbrapa që atij iu bindshin ashtu verbrisht e me përulësi, bashin që mue, si në ekstazë, të m’u dukte vetja po u ndodhsha diku mes qiellit e tokës, mes një fantazie të kahershme fëminore e realitetit të nji kampi komunist. Ndër tjera, do të më tërhiqte vërejtjen e disi edhe të më prekte, qëndrimi që me atë rast po tregojshin edhe ata të komandës ndaj ndërgjegjes së tyne, tue ba që atyne njerëzve të shkëputun prej familjeve e lirisë, atë ditë t’ua respektonte dashurinë e lidhjen e tyne me Zotin që ishte ma e shejta gja e jetës së tyne.

Nuk qeshë largue ende prej asaj dritareje të vogël dhe as çlirue prej atij emocioni, kur pashë se si ata të burgosun, mbasi mbaruen faljen, mbështollën pa u ngutë shtrojë e shami, mbi të cilat kishin pasë mbështetë gjunj e krye, e u përzien paqësisht tue u përfalë mes tyne si vëllazën e me mall, ndërkohë që mue vetvetiu, sikur më vinte me thirrë: “Shqipni, Shqipni, a ke kenë ndonjëherë?” e “A thue vërtetë do t’bahesh nji ditë?”

Kampi i Çengelajve 1952

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.