103-vjeçari i dënuar me 20 vjet burg gjatë regjimit komunist

0
1411
blank

Nikollë Ndre Bardhoku, Rexhep Mehmet Çelaj, Mykerem Janina 92 vjeç, Zef Malaj 80 vjeç, Mikel Koliqi 80 vjeç, Shemsi Totozani 75 vjeç, Qemal Gega 70 vjeç, Miço Konomi 75 vjeç, Thoma Plasa 70 vjeç, Gaqo Peci 60 vjeç. Janë disa prej të moshuarve që vuajtën në burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste.

Sjellja me familjet, gratë, pleqtë dhe fëmijët e “armiqve të popullit” është një ndër anët më të errëta të historisë së diktaturës komuniste. Janë disa raste ekstreme të burgosjes së të moshuarve që na tregojnë egërsinë e diktaturës. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar disa raste të tilla. Një prej tyre është Rexhep Mehmet Çelaj (1900-1986), “lindur në Vuthaj, por banues në Çerem të Tropojë, i cili vuajti 19 vjet, 8 muaj, 24 ditë burgim gjatë regjimit komunist. Ai ishte arratisur, por u kthye nga jugosllavët në vitin 1966. U arrestua në moshën 66-vjeçare dhe u dënua për “tradhti ndaj atdheut” me 25 vjet heqje lirie. Megjithëse ishte moshë e madhe, mbahej në burg. Vdiq më 30.1.1986 në Repartin nr.302 Lezhë, vend ku ishin grumbulluar në atë kohë shumë të burgosur pleq. Kurrkund në Europën komuniste nuk do gjesh raste të tilla burgosjesh”, shkruan Dervishi.

blank

Doktor Dhimitër Konomi ishte 60 vjeç kur u dënua me 18 vjet burg nga diktatura komuniste i akuzuar: "për tradhti ndaj atdheut, duke u vënë në shërbim të zbulimit grek" dhe "për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Pas 17 vitesh burg, në moshën 77-vjeçarë ai dënohet me 10 vjet të tjera heqje lirie i akuzuar për agjitacion e propagandë. Doktor Dhimitri vdiq në burg pasi i kishte kaluar 20 vjet në burg.

Në të gjitha burgjet e Shqipërisë kishte të moshuar që vuanin dënimin. Ata grupoheshin në një kapanon më vete. I burgosuri politik, Nuredin Boriçi ka rrëfyer historinë e "azilit të pleqve" në burgun e Ballshit. Ai shkruan se në vitin 1980, kapanoni 9 përmblidhte më të moshuarit, ndër ta ishin: Mykerem Janina 92 vjeç, Zef Malaj 80 vjeç, Mikel Koliqi 80 vjeç, Shemsi Totozani 75 vjeç, Qemal Gega 70 vjeç, Miço Konomi 75 vjeç, Thoma Plasa 70 vjeç, Gaqo Peci 60 vjeç.

Por rasti më ekstrem është padyshim i 103-vjeçarit nga Miloti. Nikollë Ndre Bardhoku, lindur dhe banues në katundin Mali i Bardhë (Milot), i arrestuar në gusht 1949 në moshën 103-vjeçare, me akuzën se kishte strehuar djalin dhe nipat e arratisur. 103-vjeçari u dënua me 20 vjet burg. Kur i kishte kryer 3 vite dënim në burgun nr.5 të Tiranës, vendosi t'i shkruaj diktatorit për t'i kërkuar lirimin për shkak të moshës.

Letra

blankUnë i nënshkruari Nikollë Ndre Bardhoku, lindur dhe banues në katundin Mali i Bardhë (Milot), kam nderin t’ju parashtroj sa më poshtë:

Jam arrestuar në muajin gusht 1949 nën akuzën se kam strehuar djalin dhe nipat e arratisur dhe të vrarë prej Sigurimit dhe i dënuar prej gjyqit special me 20 vjet privim lirie.

Z.komandant!

Jam një plak në moshën 106 vjeç; unë në shtëpinë time gjithë ditën natyrisht edhe natën isha i detyruar të rrija shtrirë në dyshek. Djali dhe nipat që ishin arratisë vepronin me kokën e tyre, aspak nuk më përfillnin vdek apo gjallë isha a jam.

Pra në të tilla kondita si mund të cilësohem strehues? Sot jam i sëmurë dhe nuk jam në gjendje as të vete në nevojë, por duhet të shoqërohem nga shokët.

Prandaj marrë guximin të drejtohem personalisht, juve z.komandant, duke ju lutur të më mëshironi edhe të urdhëroni lirimin tim në mënyrë që të vdes në shtëpinë time.

Me nderime

Nikoll Ndre Bardhoku

Burgu nr.5 Tiranë

Tiranë 5.2.1952

Këto raste të dënimit të të moshuarve vështirë se ndeshen në ndonjë prej historive të diktaturave në botë. Burgosja e 103-vjeçarit, por edhe e të moshuarve të tjerë janë raste që tregojnë ashpërsinë deri në egërsi të regjimit diktatorial ndaj kundërshtareve.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here