Mësuesi 34-vjeçar, Xhemal Kaloshi, përfundoi pas hekurave me akuza të sajuara dhe provoi punën e rëndë në kampin shfarosës të Vloçishtit. Disa vite pas lirimit, ai u martua me Adije Vrionin me të cilën pati pesë fëmijë dhe përballoi vështirësitë e jetës së një ish-të burgosuri politik në diktaturë. Në vitet ‘70, pasi kishte dalë në pension, Xhemal Kaloshi hodhi në letër jetën e tij, duke pasur guximin të përshkruante edhe periudhën e dënimit, megjithëse diktatura ishte ende në fuqi. Vite pas ndarjes së tij nga jeta, e bija e shtypi dorëshkrimin dhe me kontributin e gjithë familjes, sot ata kanë një libër në bibliotekat e tyre. Në këtë autobiografi ku autori e quan veten Mirush, veç viteve të fëmijërisë, jetës në gjimnazin e Shkodrës, ku kishte miqësi me Asim Vokshin dhe Abas Ermenjin, kujtimeve nga udhëtimet në Itali para luftës, e të tjera ngjarje nga jeta, gjenden edhe vuajtjet e periudhës së dënimit 1946-1949 të përmbledhura kryesisht në kapitujt “Mirushi në burg” dhe “Mirushi në Maliq”. Familja ka ndarë me kujto.al këto pjesë të autobiografisë së Xhemal Kaloshit, të cilat po i sjellim në origjinal për të përcjellë përjetimet e këtij intelektuali të ri, bashkëvuajtës me Arshi Pipën, i cili u dënua me akuza të papranuara prej tij dhe të pavërtetuara prej akuzuesve.
Pjesë nga autobiografia e Xhemal Kaloshit
...U muer vesht se në Shkodër kish ndodhë nji kundër revolucion kundër regjimit në fuqi. Në nji nga këto ditë vjen në burg koloneli Vilson dhe futet në qelinë ku ndodhej profesori Arshi Pipa dhe e shau keq tue i thanë, qelbërisë, bajg e cfarë epitetesh të ndyta nuk i vuni për ta diskrititue e ule e për ti ba presion psikologjik e për ti ulë krenarinë burrnore e në fund i tha: Edhe ai vllau yt e hangri telen në Shkodër. Si iku koloneli shokët u mblodhen e u munduen me qetsue, se c’ka tha ai nuk janë të vërteta, ai foli ashtu se donte të vriste shpirtnisht e të demoralizonte. Në të vërtetë i vllau i profesorit ishte vra në Shkodër, këtë e dijshin disa nga të burgosurit por ja kishin mbajtë sekret profesorit këtë ngjarje për mos me e dishpërue.
...Nga mesi i muejt Mars, d.m.th. mbas gati 7 muejsh që ishte arrestue Mirushi, erdhën ma në fund ata të prokurorisë dhe e lajmëruen se do të shkonte për hetime. Mirushi u konsultue me profesor Arshi Pipën, e ky e këshilloi të mos trembej se nuk kish kurgja me randësi, e të mos binte në gracën e hetuesve e të mos pranonte kurrsesi akuza të kota që mund ti banin dhe bile mund ta detyronin me shtrëngim që të pranonte. Të nesërmen me 15 Mars erdhën e morën Mirushin dhe e përcollën nga burgu me polic për në qëndrën e sigurimit (zyrat) që ishin ba te shtëpia e nji ish tregtari E. Gjata. Mirushi kish qenë në atë shtëpi para clirimit dhe i njifte kthinat e koridoret. Porsa hynë brenda e cojnë poshtë në nji bodrum që i zoti i shtëpisë e kish pasë përdorë për dru, vegla pune e hekurishte të tjera, e lanë aty gjithë natën të lidhun e pa ushqim e pa asnji shtresë a mbulesë. Në nji cep tjetër ishte nji avokat nga Durrsi i arrestuem dhe i izoluem edhe ai. Sapo e pa Mirushin i tregoi se ai kish pasë marrë përsipër mbrojtjen e Mirushit kur të dilte në gjygj sipas marveshjes që kish ba me dhandrin e tij të shoqin e Zekës. Avokati megjithëse ish në hall per vete e afroi Mirushin i dha me hangër nga ushqimi i vet, i dha cigare e i tha të mos friksohej se sipas dosjes së hetuesisë (që ai e kish pa ma parë për të pregatitë mbrojtjen) nuk kish kurgja, por shtoi të mos pranonte asnji nga akuzat që mund ti banin hetuesit edhe po ta shtrëngonin e të përdornin dhunën. Të nesërmen si zbardhi dita e marin Mirushin ashtu të lidhun dhe e cojnë para derës së shefit të sigurimit dhe e lanë të priste. Aty pranë në nji dhomë nga hekurat e derës Mirushi pa hoxhë M.Varoshi, që edhe ai e njofti menjiherë Mirushin dhe ia bani me shenjë që të mos trembej e ndezi nji cingare e ja dha policit që rrinte pranë Mirushit në kambë me automatik në dorë e i tha: të lutem jepja atij zotnisë. Mirushi mori cingaren e tue qeshë e falenderoi dhe i dha me kuptue me shenja të mos kishte merak, se nuk kish aspak frikë. Mbas disa orë pritje u hap dera e zyrës së shefit, polici e përcolli brenda Mirushin, i zgjidhi duart nga hekurat e uli në karrige përpara tavolinës së tij, ai filloi ta pyesë: Flit pse të kanë pru këtu, thuej gjithë veprimtarine tande kundër pushtetit. As unë nuk e di pse jam këtu – tha Mirushi, e nuk di të kem krye noj veprimtari kundër pushtetit. Në këtë moment hyni nëntoger Z.M. e ia ban me shenjë shefit dhe e tërhoqi mbrapa derës e kushedi cfarë i fryni në vesh. Shefi si bisedoi jashtë derës zyrës u kthye prap brenda dhe e rimori në pyetje, po kësaj here ndrroi taktikë dhe mori pamjen e nji egërsine të vërtetë e bani pyetjen se ku kish qenë në verën e vitit 1943 para se me kapitullue Italia. Mirushi iu përgjigj se ish arratisë tek nipat në Gjorm dhe atje kish marrë pjesë në luftë kundra fashizmit dhe veglave të tij, milicëve. Atëherë ai u nxi edhe ma shumë dhe donte me e futë Mirushin në kurth tue ba me nënshkru nji deklaratë me përmbajtje që të mund ta dënonte mirë, po Mirushi nuk pranoi kurrsesi, atëherë ai filloi nga torturat dhe i dha nji të goditun me cizme mu në kockën e kërcinit e sa nuk ja këputi kërcinin e kambës së djathtë. Ai vazhdoi goditjet e Mirushi duroi aq shumë sa shefi e la shallagan pa ndjenja në cimento po nuk e nënshkroi deklaratën. Pastaj si e pruni në vehte u mundue me anë pyetjesh që të pohonte a kish pasë lidhje me N. Kupin. Në fund e pyeti pse u kish thanë njerzve se Kosovën ia kish lanë Jugosllavisë Pushteti Popullor. Mirushi e mohoi nji thanie të tillë. Atëherë shefi i sigurimit i vuni akuza të kota e të paqena tue e cilsue si propagandist në popull me lajmet e stacioneve të radiove të hueja, si antar të partisë fashiste që në të vërtetë nuk kish pranue me u ba, i vuni edhe bishta (akuza) të tjerë të pa bazuara kurkund dhe urdhnoi policin ta shoqëronte në bodrum. Aty e lanë tanë natën të lidhun, pa ushqim e në cimento. Të nesërmen e nxorrën nga qendra e sigurisë e shoqnuen me dy policë për në burg.
...Aty nga mbarimi i muejt Mars filluen gjygjet e në nji nga këto ditë u thirr edhe Mirushi bashkë me dy të tjerë. I futën tre të akuzuemit në sallën e gjygjit, salla ish e tej mbushun me spektatorë që i shikonin të akuzuemit me kurreshtje, po edhe me nji lloj neverie dhe duket të pranishmëve u ish mbushë mendja se të gjithë të akuzuemit ishin me të vërtetë të fajshëm e kishin ba kjametin. Mirushi pa në bangat e spektatorve njerës që i njifte edhe e njifshin. U hap séanca e hyn trupi gjykues dhe të gjithë u ngritën në kambë, të akuzuemit e spektatorët. Kryetari i gjygjit në mënyrë impozante dha shenjë me dorë të uleshin. Si kontrolloi dokumentat filloi të pyesë të parin të panderurin N. Alltuni nga Kavaja. Ti- ju drejtue gjykatësi- ke bashkëpunue me armikun, ke krye vrasje, ke arrestue e torturue popullin në mënyrat ma cnjerzore e për këtë kemi edhe dëshmitarë. I pandehuri kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe foli me nervozizëm e si mbaroi u ul. Kryetari thirri dëshmitarët të cilët provuan se, njerit i kish vra të vëllanë, tjetri pohoi se kish dhanë urdhër me kontrollue shtëpinë e kish plackitë dhe torturue famijarët e kështu me rradhë dolën disa dëshmitarë. Më pas kryetari mori në pyetje Mirushin tue i rrjeshtu nji seri akuzash të pa qena si: anëtar i partisë Fashiste, baskëpunues me Ballin Kombëtar, propagandues kundër pushtetit. U ngrit Mirushi dhe me argumente i hodhi poshtë se ai nuk kish pranu të antarsohej në partinë fashiste e kjo vërtetohej nga bashkohësit, e kështu me rradhë mbrojti veten. U mbyll séanca e paradites per të fillu në ora 3 pasdite me mbrojtjen e Mirushit nga avokati i tij i cili theksoi edhe nji herë se akuzat ishin të pa baza. Ashtu si pohoi vetë klienti im –tha ai, nuk ka qenë kurrë antar i partisë fashiste, nuk ka bashkëpunue me ndonji organizatë tradhëtare, e nuk ka asnji dëshmitarë që të provojë këto akuza. Lidhur me propagandën kundra pushtetit nuk ka asgja konkrete, ka vetëm nji të thanme se ka dëgjye lajme në stacionet e hueja të radios e kjo nuk është e ndalueme as me ligjë e as me ndonji urdhnesë. Prandaj –tha avokati – kërkoj pafajsinë e lirimin e tij. Pastaj e merr fjalën prokurori hetues e jep pretencën tue e ngarkue Mirushin me lloj lloj akuzash të kota e tue i vue bishta e epitete të pa qena, ky kërkoi nga trupi gjykues dënimin e tij me tre vjet heqje lirije dhe sekustrim të pasurisë të tundëshme e të pa tundëshme, tue iu përshtatë neneve që donte ai për të qenë i ligjshëm dënimi. Tërhiqet për të marrë vendimin trupi gjykues në nji dhome të posacme, e si ndejën aty disa kohë dalin dhe kryetari fillon me leximin e vendimit për N.Alltunin, i cili dënohet me vdekje , se kish ba krime në bazë të dëshmitarve, tue arrestue e pushkatu njerës të pafajshëm. U lexue edhe vendimi për Mirushin ku u dënue me akuza të pa vërtetume me tre vjet heqje lirije e sekuestrim të pasurisë të lujtëshme e tëpalujtëshme, e në të vertetë Mirushi nuk kish asgja mbas shpirtit. Kjo qe drejtësia, dhe ky qe zbatimi i ligjit, për të cilin flitet aq shumë e trumbetohet se e drejta mbrohet nga ligjet që i ka pregatitë vetë populli me anën e përfaqsuesve të tij që i ka zgjedhe “demokratisht” dhe duhet ti bindet atij (popullit). Kështu interpretohen simbas qefit të vet organeve të drejtësisë të cilët shumicën e rasteve, gjejnë rrugë dhe i fusin ligjet e nenet e tij si mbas dëshirës e vullnetit të tyne dhe marin në qafë njerëz të pafajshëm që janë njëmijë herë ma të mirë e të ndërgjegjshëm se organet e drejtesisë e ja duan me të vërtetë të mirën Atdheut e popullit. Si u dhanë dënimet nga gjykata ushtarake dhe spektatorët brohoritën mbas “berihajt’ se ashtu duhej ba, të gjithë spektatorët dolën nga salla e kinema “Gloria” ku u zhvillue gjygji pasi panë nji shfaqe tragjike të dhimbëshme, dhe ata që e dinin e kuptonin të vërtetën e Mirushit, kjo u la gjurmë revolte e keqardhje për cfarë ndodhi me te. Të pandehurvet iu lidhën duert tue ia shtërngue me sa fuqi kishin policët injorantë, se ushqenin familjet e fëmijët me rrogën që merrnin nga kjo punë dhe veprimet mizore që i zbatonin me aq zellë e kujdes për të qenë në rregull me përbindëshat që i urdhnonin. Në muzg te dënuarit u përcollën të shoqëruem me nji mori rojash me automatikë gati për zjarr, nga të katër anet. Rrugës mes qytetit, njerzit të tmerruem nuk i shikonin fare megjithëse i njifnin shumë mirë, po kishin frikë e largoheshin e i lironin rrugën karvanit të policëve njëqind metra larg. Ma në fund Mirushin e të dënuarin tjetër i futën brenda, i hoqën hekurat dhe i cuan secilin në qelinë e vet. I dënumi me vdekje pas disa kohësh si i bani apel dënimit iu kthye dënimi me vdekje ne dënim të përjetshëm e doli nga izolimi i vecantë e më vonë e dërguen në burgin e Burrelit. Si mori dënimin Mirushi bashkë me të denumit e tjerë i nxorren në punë, në fillim në kodrat perpara burgut ku mblidhnin patate, ma vone i cuen edhe në qytetin e Durrsit me punue në mirmbajtjen e rrugëve. Per të shkue në vendin e punës ata duhet të kalonin nëpër rrugët e lagjet e qytetit e ndodhte që të përballeshin me “spiunët’’ njerzit që kishin dëshmue kundër tyne e kishin ndihmue në dënimin e tyne. Në nji nga këto ditë kur të burgosurit në rrjesht po shkonin për punë N.A. sheh afër shtëpise së tij dëshmitarin e akuzës që kish shpif për të e i thirri me sa fuqi kishte: E mor spiun i lig, ku do të futesh që shpife kot për mue, sapo të dal do ta nxjerr shpirtin me ibret e do ta marr hakun. Tjetri i akuzuemi bërtiste: S’do të dalësh kurrë nga burgu se do të vij me teneqe vajguri e do ti ve zjarrin burgut para se të dalish ti.
Po flitesh se disa të burgosun të dënuem ma lehtë do ti dërgonin me punue në fermën e Xhafzotaj afër Shijakut. Nji ditë therriten rreth 40 të burgosun i hipen nëpër kamijonë e i cojnë në stallat e fermës. Si i pastruan vetë stallat e lopëve i vendosën aty për të fjetë e jetue. Mirushi u sistemue bashkë me SH.Tusha dhe tre malësorë nga Gurëzi dhe hanin bashkë në mbramje se drekën e hanin në vendin e punës në ara. Të burgosurit tani ishin si puntorët e fermës, me ndryshimin që rrogat i tërhiqte Ministrija e Brëndëshme dhe ushqimin e rrejshëm që u jeptë burgu ishte falas. Tani të burgosurit ishin disi ma mirë se punonin në ajër te hapët, po punët bujqësore ishin shumë të randa e ajo fillonte në ora 5 sa zbardhte dita e përfundonte në 7 të mbramjes kur perendonte dielli, d.m.th. plot 14 orë në ditë. Mirushi bashkë me të tjerët prashitnin me shatë pambukun, ku rrjeshtat e të cilit nuk mbaronin kurrë ishin me kilometra të gjatë, te dënuarve u shkonte djersa rëkajë në diellin përvëlonjës të korrikut. Lodheshin shumë puntorët, po edhe ushqimi ish i pakët e pa cilsi, aq sa kur punonin në shkuljen e patateve i hanin ashtu të pa pjekuna e të pa zieme nga urija e bile edhe kokrrat e qepëve që shkulnin i hanin si me qenë tue hangër mollë a dardha, aq të uritun e të babzitun ishin, frutave u a kishin harrue shijen.
Ishte fundi i Tetorit 1947, kishin fillu shinat e vjeshtës e punet e verës në bujqësi kishin mbarue, të burgosunit që punonin e jetonin në stallat e fermës së Xhafzotaj një mengjes vjeshte me shi i hipin në makina e i kthejnë përseri në burgun e Durrsit, atje gjenjë shokët që kishin lanë po ishin shtue edhe plot të burgosur te rinjë.
Flitesh që në pranverë të gjithë të burgosurit do të dërgoheshin nëpër punë te randa të detyrueshme dhe do krijoheshin kampe përqëndrimi për të shfytëzue e mundue të burgosurit në to. Aty nga fundi i muajt Prill nji ditë në mbramje u njoftuen të burgosunit të baheshin gati se do të niseshin diku për punë, të gjithë mblodhën sendet e tyne dhe pritshin nisjen. Të nesërmen në mengjes me dy orë natë u dha alarmi të ngriheshin te gjithë e secili të merrte me vehte teshat, u hap dera e hekurt e u rrjeshtuen pranë makinave që do ti transportonin. Si hypën nëpër kamiona të gjithëve u a lidhën duart dy e nga dy me njeni me tjerin dhe i vunë të rrinin mbi shtresat e veta dhe si vendosën në cdo kamion në ballë përpara policë me mitralozë të randë e mbrapa policë të tjerë me automatikë ndër duar gati për zjarr u dha sinjali për nisje. Autokolona e kamionëve mbante rreth 500 të burgosur, pasi në burg kishin mbetë vetëm pleqtë dhe ndonji i gjymtë që nuk kishin asnji mundësi me punue. U nis karvani dhe doli në rrugen që të con nga burgu i Durrsit në urën e Dajlanit e ndoqi bregun e detit te shkambi i Kavajës në Kavajë, Rrogozhinë e kur autokolona kaloi nëpër Peqin filloi me zbadhëllue dita e tani shikoheshin mirë shtëpitë e fshatarve gjatë rrugës kah kalonin dhe ndiheshin të lehunit e qenëvet e kanga e gjelave që lajmëronin arritjen e ditës se re. Të burgosurit e ngratë shikonin me andje cdo gjë që u paraqitesh para syve se kishin muej e vite të mbyllun në errësinën e burgut. Kur autokolona kaloi nëpër qytetin e Elbasanit kishin fillue të dilnin njerzit e vraponin secili në punët e tyne, kur vunë re kolonën me të burgosunit i shikonin me dhimbje ata që dukeshin si kufoma të veshuna me zhele e që po i dërgonin kush e di se ku, e kush e di për cfarë. Autokolona doli nga Elbasani e mbrriti në Qafën e Thanës dhe aty u ndal per pak, u morën masa sigurimi me kujdes se tani rruga ish e rrezikshme e rrethume me shkëmbinj e mendohesh se mos ndodhte ndonji e papritun e delte ndokush përpara për të shpëtue të burgosunit. Asgja nuk ndodhi, vetëm se atyne u shtërnguen duert ma fort dhe policët qëndronin me hunj në duer me goditë këdo që guxonte me lëvizë sado pak. Kaluen edhe qytetin e bukur të Pogradecit me shtëpitë e bukura e kopshtijet plot lule e pemë me nji pamje të hijëshme që të kënaqte të pamit. Dalëngadalë autokolona ju afrua fushës së Maliqit dhe arriti në kampin Vllocishtit, makinat hynë në kamp dhe u rrjeshtuen në tresh kollonë e ndalën. Të burgosunit me shtresa në krahë të shoqnuem nga policët u dërguen nëpër kapanonet e ndertuara apostafat për ta dhe filloi sistemimi i tyne. Vazhdon
Shënim: Pjesa është shkëputur me shkurtime nga kapitulli “Mirushi në burg” i autobiografisë së Xhemal Kaloshit, “Valët e jetës”, përgatitur në format libri nga familja e tij, të cilën kujto.al e falënderon për bashkëpunimin. Në foton kryesore: Xhemal Kaloshi, dalë më 24 prill 1939. Në ditët në vijim, do të publikohet vazhdimi i historisë që përshkruan dënimin në kampin e Vloçishtit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.