Vasil Dhimitër Kajana u lind më 10.1.1905 në Berat, por banonte në Vlorë. Dikur kish qenë oficer. Nëpunës në administratën e peshkopatës ortodokse të Vlorës. Vuajti gati 18 vjet heqje lirie në vitet 1946-1949 dhe 1955-1975. Humbi jetën në moshën 65 vjeçe, gjatë kryerjes së dënimit.
U arrestua më 17.2.1955. U akuzua në bazë të neneve 75, 64, 10, 72, 85, 277 të Kodit Penal. Midis të tjerash, në vendim, thuhet: “Nga studimi i materialeve të çështjes rezulton plotësisht e provuar se i gjykuari...duke qenë element armik i vendosur kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar ka kryer veprimtari të theksuar armiqësore kundër shtetit. Ai në regjimet antipopullore, të Zogut dhe në ato të okupacionit nazifashist ka patur funksione të ndryshme në ushtrinë e atëhershme dhe gradë deri kapiten”. Thuhej se “pas çlirimit” ishte mbajtur në ushtri, por kishte vazhduar aktivitetin. Edhe pas daljes nga burgu kish vazhduar aktivitetin me persona si Harito Bezhani, Dhimitraq Doga, Fuat Bino, Adnand Myftari, etj., duke bërë agjitacion e propagandë. Me të përmendurit kishte synuar arratisjen, duke u grumbulluar në Skelë të qytetit të Vlorës, por ishin arrestuar. Por për ta rënduar edhe më shumë iu shtuan falsifikimet në kooperativën e konsumit në Vlorë.
Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.45, datë 18.7.1955, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.187, datë 10.9.1955 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Por Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ktheu dënimin në 25 vjet heqje lirie. Dënimin e fundit po e vuante në Repartin nr.321 Burrel, por vdiq më 14.2.1970 kur ishte shtruar në spital në sanatorium në Tiranë. 6 vjet mbahej në spitali me sëmundje të rëndë mushkërie, por megjithatë nuk e lironin. Në shënimin e komandantit të Repartit nr.313 Tiranë, Banush Goxhaj, thuhej se pavarësisht nga koha e gjatë e shtrimit, nuk ishte shëruar. Me këtë rast, rekomandohej të asgjësohej dosja formulare e Sigurimit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
