U lind në vitin 1906 në Francë, e ve, pa fëmijë, banuese në Himarë, me origjinë fshatare të pasur. Çdo tre muaj ajo shkonte në ambasadën franceze në Tiranë ku merrte pensionin e burrit invalid i Luftës së Parë Botërore. Megjithëse e izoluar, u vu në pranga kur ishte në moshë të madhe, 62 vjeç. Asnjë mëshirë nuk tregoi regjimi për këtë moshuar. U arrestua më 15.3.1968 në moshën 62-vjeçare. U përfshi në një proces së bashku me shtetasin Jani Sokrat Daflla, lindur në Dhërmi në vitin 1917 e banues në Vlorë, me profesion shofer.
U akuzua se ishte vënë në shërbim të zbulimit francez duke i dhënë atij informata me karakter politik, ekonomik e ushtarak; për agjitacion e propagandë dhe shkelje të dispozitave për arin e valutën, parashikuar nga nenet 64, 73/1 dhe 100 të Kodit Penal. Gjithçka ishte për një gjë të thjeshtë fare. Shkelja e dispozitës së arit lidhej me një borxh 1.500 lekësh që Jani i kishte Sharlotës. Borxhliu i ktheu në 6 copë napolona flori në këmbim të shumës. Pavarësisht kësaj, duke qenë se në gjyq nuk mund të shkonte me një akuzë, për t’u dukur më shumë “reaksionare”, i shtuan nenet e tradhtisë ndaj atdheut dhe agjitacionit e propagandës.
Neni 64 konsistonte në një akuzë krejt banale të imagjinuar. Një e moshuar aludohej se kur merrte pensionin në Tiranë, u kishte dhënë francezëve të dhëna për “pozicionin e tuneleve në Himarë, rrugët ushtarake, pozicionet e artilerisë në Pashaliman, si edhe informata me karakter ushtarak”. Pavarësisht se ajo nuk kishte asgjë specifikime në dorë që të zbulonte këto sekrete ushtarake. Po ashtu as akuza nuk vërtetonte dot gjë se çfarë kish biseduar Sharlota me francezët. Thjesht ishte një sajesë. Ndërsa neni 73/1, domethënë agjitacioni e propaganda, konsistonte në bisedat se kësaj qeverie i kish ardhur fundi, se gjendja ekonomike ishte e keqe dhe se jashtë jetohej më mirë.
Gjykata e Qarkut të Vlorës, me vendimin nr.41, datë 24.9.1968, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie. Për shkelje të dispozitave të arit, Jani u dënua me 1 vit heqje lirie. Sharlota nuk e ankimoi vendimin, vetëm i dënuari tjetër. U la në fuqi me vendimin nr.154, datë 22.10.1968 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Sharlota u dërgua për të vuajtur dënimin në Repartin nr.318 Qyteti Stalin (sot Kuçovë), i specializuar vetëm për gratë e dënuara, i çelur në vitin 1966. Atje gratë punonin me detyrim në bujqësi dhe ndërtim. Kur kishte vuajtur gati gjysmën e dënimit, në moshën 69 vjeçare, Sharlota u ekzaminua se vuante nga zemra. Më 12.6.1975 spitali i Tiranës e nxori të sëmurë dhe paaftë për punë. Megjithatë, komanda nuk mori asnjë masë. Sharlota vdiq më 1.7.1975 në kamp dhe u varros në varrezat e qytetit në një varr pa emër. Ishte 69 vjeç. Vuajti 7 vjet, 3 muaj, 16 ditë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.