Në komunizëm individi është i pafuqishëm për të dëshmuar që është njeri. Ai zhvishet,
shkatërrohet,vritet, çrrënjoset nga ekzistenca njerëzore, e të gjitha këto i pëson vetëm sepse është një njeri i zakonshëm. Figura e Urim Elezit si një nga të mbijetuarit e terrorit komunist tregon qendresen ndaj dhunës dhe torturave çnjerëzore që ndodhnin brenda mureve të burgjeve të diktaturës.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet, që nga momenti kur Urim Elezi do përjetonte një
kalvar të gjatë persekutimi, torturash, dhunë, nga kampi në kamp, nga burgu në burg për 26 vite me rradhë. Mes gjurmëve të këtij kalvari jeta e Urim Elezit do shënjohej përjetësisht me humbjen e shikimit duke u dënuar me verbim për gjithë jetën nga xhelatët e diktaturës.
Urim Elezi, pak kohë më parë ka siguruar dosjen e tij pranë Autoritetit për Informim mbi
Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të cilën e kërkonte prej kohësh me kureshtjen legjitime të kujtdo që e ka ndier survejimin gjatë viteve të diktaturës dhe ka provuar edhe burgjet e saj. Në këtë intervistë ai për herë të parë ka bërë publikë emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit që gjenden në atë dosje.
Ai ka lindur në vitin 1943, në Floq të qytetit të Korçës dhe origjina e tij është nga Elezët e Tropojës. Në moshën 18-vjeçare, ka kryer shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nën/oficer.
Kalvari i vuajtjeve të tij fillon që në moshën 21-vjeçare, si pasojë e tentativës për t’u arratisur nga Shqipëria diktatoriale. Urim Elezi ka përjetuar sistemin e përndjekjes që në vitin 1963, duke u dënuar me 26 vjet burg.
Në burgun e Burrelit përjetoi tortura nga më çnjerëzoret, të cilat do të shkaktonin edhe humbjen e shikimit, duke e dënuar përjetësisht.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.