Uria dhe vdekja; kujtimet e fëmijëve të Tepelenës

0
696
blank

Nga Blerina Gjoka

Seiti, Marta, Melamiu, Filipi, Gjoni... janë sot 70-80 vjeç, por në shpirtin e tyre janë akoma fëmijët që kaluan vitet e para të jetës në kampin e Tepelenës.

Kujtimet e tyre janë të ndryshme, por bashkohen të paktën në dy fjalë; Uria dhe Vdekja; dy fjalë që u kanë shënjuar fëmijërinë dhe më tej gjithë jetën.

Ata dhe qindra të tjerë e dinë që janë me fat, me shumë fat, sepse i kanë shpëtuar vdekjes nga uria dhe vdekjes nga tifoja, që u mori jetën të paktën 300 fëmijëve e qindra pleqve në këtë kamp, ku i internuan më shumë se 1 mijë familje nga komunizmi në vitin 1949.

Por, a është fat që gjithë pjesën e mbetur të jetës ta jetosh duke kujtuar ujin me vajguri, bukën me krimba, lakrën që e haje si karamele pas 3 ditësh pa futur asgjë në gojë, apo të shohësh ëndrra shokun tënd të lojës që u hodh në ajër nga shpërthimi i minës, të kujtosh varrimin e familjarëve...?!

“Në këtë vend Zotin e bën të heshtte. Në këtë vend Zoti ka derdh lot”. Nuk ka përkufizim më të gjetur që i shkon atij vendi me bar të shkretuar dhe baraka të rrënuara, se sa këto dy fjali të Dom Gjergj Metës, i cili kishte udhëtuar nga Mirdita me të mbijetuarit e këtij kampi dhe familjarë të atyre që vuajtën këtu.

blankNë atë vend janë varrosur fëmijë që Zotit iu ndalua t’i shpëtonte. Ata fëmijë të pafajshëm ishin dënuar nga komunizmi. Po duket se janë dënuar dhe nga harresa. Edhe pse ka dëshmitarë për varret e tyre që gjenden të mbuluar nga ferrat rreth e rrotull kampit, akoma shteti shqiptar, 30 vite pas rënies së regjimit komunist, nuk ka ndërmarrë një hap për t’i gjetur, për t’i zhvarrosur, për t'u vënë një emër dhe për t'u kthyer dinjitetin.

Përpjekjet e vetme kundër harresës janë bërë nga familjarët e tyre dhe pelegrinazhi përkujtimor çdo 23 Gusht, nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe shoqatat e të përndjekurve politikë.

Por për ta nuk mjaftojnë dy fjalë, një kurorë me lule dhe ca pika lot!

Nuk mjaftojnë as qiparisat e mbjellë aty ku ranë fëmijët... nuk mjafton asnjë falje (që akoma nuk e kanë marrë), asnjë dënim (që asnjëherë nuk u dha), asnjë hakmarrje (që askush se kreu)... asgjë nuk mjafton për të shlyer këtë mënxyrë të komunizmit.

Kush vjen një herë në Tepelenë, e ndjen se ka shkelur në një tokë të larë me gjak fëmijësh të pafajshëm dhe amaneti i tyre e ndjek nga pas... Kush shkel një herë në këtë vend që nuk e ka marrë mundimin njeri as ta rregullojë, as ta bëjë muze, as të vërë një tabelë rruge që të çon atje, nuk mund ta shkulë më nga kraharori dhimbjen, pasi kupton se sa shumë vuajtjeje njerëzore është konsumuar në kaq pak metra katrorë.

Nuk mund të mbetet kjo vuajtje vetëm në kujtimet e atyre që vuajtën. Ajo duhet treguar, duhet trumbetuar më zë të lartë, duhet njohur, duhet nderuar siç duhet, ndryshe ajo do të jetë një plagë e hapur që do e mbajmë me vete përgjithmonë.

Rrëfimet e fëmijëve të kampit të Tepelenës:

Marte Ndoj: Na jepnin bukë me krimba e ujë me vajgurblank

Marta ishte betuar që nuk do të shkelte më kurrë në Tepelenë ku fati i keq e kishte sjellë kur ishte vetëm 9 vjeç bashkë me nënën e gjyshen e saj, ndërsa babai, vëllai dhe xhaxhai i saj kishin tentuar të arratiseshin, por nuk janë gjetur asnjëherë.

Djemtë e Martës i dhanë kurajo dhe e sollën vetë nanën e tyre në kampin e Tepelenës pas afro 70 vitesh për të dhënë dëshminë e saj për kushtet çnjerëzore në të cilat kanë jetuar mijëra shqiptarë aty.

“Çmendesh me e kujtu shumë, por jam mundu me e largu.  Kam thënë në jetën teme s’kam për të shku ma në Tepelenë, po ja ku erdha. Këtu kemi kaluar shumë vuajtje. Na vinte buka me krimba, uji me vajguri. S’kishe ku me lujt, ku me shku se ishim rrethu me tela me gjemba. Njerëz të vdekur kishte. Më ka vdek gjyshja, e kanë varros këtu te varrezat. Pas 6 javësh na thanë duhet ta nxjerrim prej vorrit ta çojmë te varret e tjera, atje buzë lumit, dhe e mori lumi.”- tregon Marta. Ajo qan gjithë kohës për vuajtjet që ka kaluar në fëmijëri, kujtime që asaj i shënjuan gjithë jetën e mëpasme dhe ua tregon sot dhe fëmijëve e nipërve të saj.

 blankMelami Agolli, nga Amerika në Tepelenë, për kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë

Melami Agolli ka qenë 5 vjeç kur ka mbërrit në kampin e Tepelenës. Ai u internua bashkë me familjen nga Peshkopia. Në këtë kamp, kaloi 5 vite të fëmijërisë dhe kreu dhe klasën e parë, kurse sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam ardhur me nënën dhe dy motrat dhe kemi qëndruar 5 vjet këtu. Këtu kam bërë klasën e parë dhe dilnim tek dera, ku ishte komanda e policisë. Ne kishim një racion buke 400 gramë dhe ujë me krimba që nuk futej në bark. Sa fëmijë kanë vdekur këtu... Dhe unë isha gati për të vdekur. Më ka shpëtuar një grua që kishte me vete një penicilinë amerikane që s’di si e kish siguruar. Më bënë atë gjilpërën dhe shpëtova, se këtu ra tifoja dhe vdiqën fëmijët.

Edhe kampet e Hitlerit nuk kanë qenë kështu, se nuk kishte fëmijë e pleq të vjetër. Kishte burra e gra. Këtu ishte më keq se kampet e Hitlerit. Familjen time e internuan, se babai ishte nacionalist. Në vitit 1944 u dorëzua ai si shumë të tjerë, e dërguan në Jugosllavi dhe e dënuan jugosllavët se Enver Hoxha komandohej nga Tito. Në vitit 1949, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, babain e liruan atje, kurse ne na internuan nga fshati Kërçisht i Peshkopinë, këtu në Tepelenë.

Është hera e parë që vij.

Kam një nostalgji dhe jam shumë i impresinuar se isha fëmijë dhe bridhnim këtu e loznim me topa lecke. Kujtoj aty ishin tualetet dhe atje ishte kuzhina ku merrnim një ujë me tas që nuk futej në gojë, shumica jetonim me gorica këtu, se s'kishim si të mbijetonim. Ata që mbijetuan, se shumica vdiqën. I mbaj mend shokët e fëmijërisë, Sokol, Zef e Simon Mirakajn, e të tjerë, se i kisha në klasë, shkonim në shkollë bashkë. Kur ktheheshim nga shkolla, atje në rrugë ishte një lenë, nga ato që as derri se hante. Po ne i binim me gurë dhe i rrëzonim e i hanim se na grinte uria”.

Hamit Bala: Nana ime jeton me çorapen e vëllait të vdekurblank

Hamit Bala nga Tropoja tregoi historinë e nënës së tij, Mine Mulosmani Balaj, e cila ka qenë 13 vjeç në këtë kamp dhe ka humbur vëllain e saj të vogël nga një minë që i shpërtheu kur luante në kampin e Tepelenës.

“E kam sjellë nanën time para dy vitesh këtu po ajo pësoi goditje në zemër se nuk duroi dot dhimbjen. Më tha kam ardh me vëlla këtu dhe kam dalë pa vëlla. Dhe kockat që i ishte në tokë thoshtë janë të vëllait tim. Ajo ka vetëm një çorape të vëllait të saj që e mban në zemër. Kanë kaluar 50 vite te atij sistemi dhe 30 vite tani, secili nga ne duhet të bëjë diçka për ata shpirtra që kanë ikur, për prindërit tanë..”

 Filip Gjonmarkaj: Lakra na u duk si karamele pas 3 ditësh pa bukë

blankUria dhe skenat e vdekjeve janë dy prej kujtimeve më të shpeshta të fëmijëve që ishin në kampin e Tepelenës.

Filip Gjonmarku ishte vetëm 5 vjeç kur ka ardh në kamp me nënën, vëllain dhe gjyshen.

“Babën e kisha të dënuan në burgun e Burrelit me burgim të përjetshëm. Axhën tim e dënuan me varje. Gjyshin tim e dënuan me burg të përjetshëm ndërsa babën tim me varje, po gjyshi i kërkoi trupit gjykues që t’ia falte jetën të birit e të varej ai në vend të tij dhe ata e pranuan. Po baba ka vdek në burg edhe sot nuk e dimë ku është trupi i tij.

I mbaj të gjitha kur erdha në Tepelenë. Këtu ka qenë një kamp shfarosje.

Dy momente do të veçoj;  Kam qënë duke lujt me dajën e Hamit Balës. Po na thirri nana se i kishin çuar një kile miell dhe na kishte përgatit një qull e na thirri eja se e bana gati. Ne e lamë atë duke nxjerrë zarat dhe sa u largum pak vetëm kur plasi mina e hodhi përpjetë.

Një herë tjetër ngelëm 3 ditë pa hangër. Imagjinoni fëmija 5 vjeç, 3 ditë pa bukë. I thotë nana një kushëririt tonë që shkonte për dru në pyll na bjer noj gja se po më vdesin fëmijët për bukë. Edhe ai na solli një lakër. Unë, vllai, nana ime dhe gjyshja e kemi shkatërru atë lakër si me qenë një karamale.”

 Gjon Marku: Mbijetonim me lakrablank

 “Kam ardhur 7 vjeç këtu në Tepelenë. Mbaj mend se ushqimet ishin të tmerrshme. U helmuan 30 fëmijë. Këtu kanë vdekur 300 fëmijë e pleq dhe i varrosnin pastaj pranë lumit të Vjosës që t'ua marrë dhe eshtrat se ata ishin pasardhës të familjeve më të mira të Mirditës dhe komunizmi donte t’ua zhdukte dhe fëmijët.

Kemi hangër lang me laknishte i thoshim na me gjyshin e nanën që ishte 80 vjeçe. Ky ka qenë kampi i shfarosjes. Nëse i takon një kampi për tu bërë muze ky është vendi që duhet bërë muze.

Pas Tepelenës vujtëm 45 vjet nëpër kampe. Njerëzit që na kanë vdek i kemi varros vetëm se as na vinin në mort e as në dasëm kurrkush. Kemi pas një terror të jashtëzakonshëm."

 blankSeit Petrela i tregon mbesës vuajtjet e Tepelenës

Seit Petrela dhe 3 vëllezërit e tij, të gjithë fëmijë nga 1.5 vjeç deri 10 vjeç, ishin jetimët që hapën dyert e kampit famëkeq të Tepelenës. Autokollona që i sillte në kamp u përmbys rrugës dhe prindërit e tyre vdiqën që të dy në rrugë. Katër jetimet dhe halla e tyre 16 vjeç mbijetuan në këtë kamp nga uria dhe tifot. Më 23 gusht, gjatë përkujtimores në këtë kamp Seiti ka sjellë mbesën e tij Tean me vete dhe i tregon nëpër lot vuajtjet e tij.

“Gjyshi yt, pa mbushur 2 vjeç, ka qenë i internuar në kampin e Beratit bashkë me vëllezërit, prindërit dhe hallën që ishte beqare. Pasi ndenji një kohë të gjatë në internim, u krijua ky kampi i Tepelenës dhe ata që ishin në kampe të tjera internimi, si Kuçova, etj., u grumbulluan në Tepelenë.

Dhe gjyshin tënd, bashkë me familjen, e morën ta sillnin këtu. Më datën 13 maj të vitit 1949, u nisëm me një autokollonë me shumë familje. Gjyshi yt nuk e kujton se isha i vogël, po të gjitha faktet i kam nga familjarët e mi.

Rrugës për Tepelenë nga Berati, rrugës që kalonte nga Këlcyra, një rrugë e vështirë, makina ku ishte gjyshi jot me prindërit e tij gremiset dhe në atë aksident dy prindërit humbën jetën.

Duhet të themi që ka Zot, se si ka mundësi që duhet të shpëtoj unë 1 vjeç e gjysëm dhe prindërit e mi të vdesin.

Vera Dema që ka qenë dhe ajo me familjen atë ditë, ka thënë se e kemi hapur varrin e tyre me kapak tenxheresh.

...dhe autokollona vazhdoi rrugën me mua të vogël dhe tre vëllezrit e mi, më i madhi 10 vjeç. Prindërit i varrosëm aty anash rrugës.

Po ti mos qaj të keqen gjyshi. As gjyshi nuk duhet të qajë. Duhet të jemi të fortë.

Dhe erdhëm në Tepelenë, ashtu siç ishim.

Nuk di çfarë të them gjyshi, nuk e di kush është kujdes për ne. Ishin të gjithë njerëz të sërës tonë dhe ata e kanë ndjerë më shumë atë dhimbjen.  Dhe mbetëm në këtë kamp, që ashtu siç e ka emrin e kalon fjalën “gulag”.

Ti, të keqen gjyshi nuk duhet të qash. Gjyshi yt asnjëherë gjatë jetës së vet nuk është krenuar me këtë fatkeqësi që i ka ndodhur. Unë them që çdo njeri që ka vuajtur duhet të krenohet nëse ka ditur ta përballojë me dinjitet, me ndershmëri këtë fatkeqësi që i ra.

Gjyshi yt të ka lënë ty një emër që të jesh krenare.”/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here