Uran Kostreci: Si e nxora nga burgu, poemën me 2 mijë vargje “Epopeja e Karkalecëve”

0
1045
blank

Në birucë e kam shkruar pjesën më të madhe të “Epopesë së karkalecave” dhe pastaj e mësoja përmendësh dhe atë letrën e grisja. Dhe kjo u shkrua e u rishkrua gjatë 10 viteve, se kaq ishte intervali i kohës që e bëra, por se sa herë e kam përsëritur, nuk e di, ndoshta 100 herë, ndoshta 200, nuk e di, s’e mbaj mend, derisa e mësova përmendësh. 2.000 vargje i nxora nga burgu...

Shkrimet e burgut, për shumë intelektualë të burgosur të regjimeve totalitare, janë gjithmonë objekt diskutimesh në historinë e letrave: për temat e trajtuara,  rrethanat si u shkruan, mesazhet që përcillnin, mënyrat si ruheshin dhe shpëtoheshin për të mbërritur tek lexuesi, etj.

Uran Kostreci ishte një prej të dënuarve të regjimit komunist që iu përkushtua plotësisht krijimtarisë letrare në periudhën e burgut, duke vijuar pasionin e tij për letërsinë që e kishte përqafuar që në ditët e rinisë së hershme në shkollë.

Por si si dhe ku shkruante, si i ruante ai krijimet e tij për të mos ia zhdukur rojat gjatë kontrolleve? Si krijonte në dhomat e izolimit? Pak kohë para se të ndahej nga jeta, ai ka rrëfyer historinë e krijimit të poemës "Epopeja e karkalecave". Ajo i ka marrë plot 10 vite kohë për ta shkruar e rishkruar, e sigurisht për ta memorizuar në ato kushte terrori...

Kostreci e ka rrëfyer kështu procesin krijues të kësaj poeme:

"Në burg bëja ca përkthime, ca sonete, por na i morën kapterët. Një herë në 2-3 muaj bënin kontroll, i gjenin dhe i merrnin. Na thoshin se do të na i kthenin prapë.Por nuk na i jepnin më. Gjithsesi ishin pa ndonjë përmbajtje me rrezik. Por çfarë shpëtova unë atje, nga shkrimet e mia? Shpëtova vetëm “Epopenë e karkalecave”, një poemë satirike kundër komunistëve. Ia vura emrin “Epopeja e karkalecave”, si njëfarë sfide ndaj “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Musarajt.

Pra, unë bëra një poemë satirike, por simbolike. Disa fjalë si komunizmi nuk i përmenda, por që ishte e qartë. Nuk u bë në një ditë, as në një muaj, as në gjashtë muaj sepse edhe ngjarjet nuk ndodhin në një ditë. Si të thuash, ajo është një histori e komunizmit, në vargje, në mënyrë sa më koncize të mundshme, për pikat kulmore të atij regjimi. E bëra dhe ku u bë? U bë në birucë, ku s’kisha as laps e as letër.

Shkrimi i saj është një histori më vete. Mua më kanë futur shpesh në birucë. Edhe letër aty nuk lejohej, ndërsa në dhomë po, kishim letra, fletore, lapsa. Ndërsa në birucë jo. Unë merrja nga copat e gazetave ato pjesët anësore, i merrja në tualet. I laja aq sa mund të lahet letra, i shtroja në çimento në birucë që të thaheshin dhe shkruaja me një grafit, me atë pjesën e brendshme të lapsit, që i mbaja të qepura gjithmonë te xhaketa. Në birucë e kam shkruar pjesën më të madhe të “Epopesë së karkalecave” dhe pastaj e mësoja përmendësh dhe atë letrën e grisja. Dhe kjo u shkrua e u rishkrua gjatë 10 viteve, se kaq ishte intervali i kohës që e bëra, por se sa herë e kam përsëritur, nuk e di, ndoshta 100 herë, ndoshta 200, nuk e di, s’e mbaj mend, derisa e mësova përmendësh. 2.000 vargje i nxora nga burgu dhe i botova pastaj te gazeta “Liria” që themelova në vitin 1992, gazeta e të burgosurve politikë të Shqipërisë, ku isha kryeredaktor".

Edhe pse kanë kaluar dekada, që prej kohës kur e ka shkruar, Uran Kostreci e ka të freskët ende në memorie këtë poemë, dhe mund të recitojë prej saj, fragmente të shumta edhe sot... Ai thotë se vargjet e saj mësuar përmendësh në qeli, nuk mundi ti harrojë kurrë, sepse ajo u ripërsërit mijëra herë në mënyrë sistematike, gjithmonë për ta mbajtur mend.

Më poshtë do të sjellim disa fragmente nga kjo poemë, të cilat Kostreci i recitonte përmendesh sa herë ia kërkonim. Fragmenti i aprë përshkruan arrjen e komunsitëve në pushtet dhe sjelljet provinciale të tyre sapo nisën të zaptonin pronat dhe vilat e atyre që i quajtën "armiq të popullit".

blank

***

Nëpër pallatet e mbetur bosh,

ku njerëzia u qitën osh,

tash karkaleca aty bëjnë pallë,

me nipër, mbesa, me teze e hallë,

kismeti i tyre fle mbi kariollë,

dyshek me pupla, çarçafë të hollë,

në bulevarde e nëpër pjaca,

sheh karkaleca zënë allabraca,

me rroba vishen, i blejnë pa lekë,

me syze dielli, bastunë, qostekë,

he karkaleckat na mbajnë myhyre,

bëjnë tualete, vënë manikyre,

ja karkalecja majë penxheresë

në bulevard përpos së resë,

i lëshon zë: Lulush, më qafsh,

më merr në MAPO çorape mëndafsh,         

Nusja me çantë, me permanent,

që flet dhe fjalën eveniment,

që porsi stapka i ka kërcinjtë,

si qeska bosh i varen gjinjtë,

se karkaleci u drithërua,

pasaj e nxori gjuhën një kut,

e i tha vjehrrës: të blej një mut.

Pra, karkalecët civilizohen,

e me njeriun përditë afrohen,

ndërsa njeriu për të zezën e vet,

si karkaleci tash hopthi nget.

 

Ndërsa këto janë disa nga vargjet e kësaj poeme, ku flitet për agjentët e komunizmit:

Ish me agjenta një rrjet i tërë,

që s’linte skuta e s’linte vërrë,

pa futur hundët, pa spiunuar,

se çfarë ish folur, ç’qe biseduar,

dhe kur hafije gjëkundi s’kishte,

të bënin sytë se aty ishte.

U hoq besimi, u hap paniku,

as miku njihej më, as armiku.

Një tjetër fragment që vlen të veçohet është ai ku flet se si regjimi pasi vrau e burgosi gjithë kundërshtarët e vet, u kthye e nisi vrasjet në rradhët e shokëve.

Kur e zu gjaku, desh Perëndia,

u kthye hëngri dhe shokët e tia,

kurban i bëri me ustallëk,

nga dy-tre bashkë për kollajllëk,

i leu më parë me të pëgërë,

për qen i mbajti, i vrau për derr.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here