Unë jam Marie Nikollë Tuci...!

0
689
blank

Qëndrimi fisnik  i vajzës mirditore para hetuesve të Sigurimit të Shtetit. Si u torturua në hetuesi dhe si mbërriti e shpërfytytuar në spital ku infermierja, Davida, kushërira e saj nuk e njohu

 

"Quhem Marie e bija e Nikollës, gjallë dhe e Dilës, gjallë. E datëlindjes 1928 banuese në katundin Ndërfushas, rrethi i Rreshenit. E pamartueme, shtëpiake, me profesion student. E paarrestuar ose dënuar ndonjëherë…." Kështu nis dëshmia e Marie Tucit, në hetuesi në tetor të vitit 1949. Nën torturat çnjerëzore të hetuesit Reshat Metohiti, vajza nga Mirdita, nuk u dorëzua deri sa pas disa muajsh tortura dha shpirt në hetuesi.

Në dosjen e Sigurimit të Shtetit, marrë nga AIDSSH, është pasqyruar jeta e Marie Tucit para se të arrestohej, por atje nuk gjenden gjurmët e torturave të pashembullta të Sigurimit të Shtetit ndaj saj. Më pas dëshmia e saj vazhdon:

“…Nga rrethi familjar kam të arratisur Gjon Marka Gjonin, të birin Ndue Gjon Markun, Ndue Pjetër Gjon Markun dhe të dënuem për aktivitet kundër pushtetit popullor, Dedë Gjon marka.

blankRrjedh nga një shtresë e mesme fshatare dhe aktivitetin e kryer kundra pushtetit popullor dhe shtetit deklaron si më poshtë:

Unë Maria në vjetin njëmijë e nanqind e dyzet, jam shkëputur nga familja që banonte në katundin Ndërfushas dhe kam ardhe në Shkodër me qëllim për të vazhdue shkollën në vjetin nanqind e dyzet e një. Kam kaluar tri klasat e para të fillores dhe mandej kam vazhdue me rradhë deri në fundin e fillores deri në vjetin nanqind e katërrdhet e tre. Në vjetin dyzet e katër jam futur në normale dhe në atë kohë kam mbarue të parën dhe të dytën për nji vjet, kam vazhdue kështu në të tretën normale. Për arsye shëndetësore jam largue nga shkolla në vjetin njëmijë e nanqidn e dyzet e gjashtë.  Jam largue nga shkolla dhe jam kthyer në fshat ku kam vazhdue me punë shpie. Në mbarim të dyzet e gjashtës  e deri në prill të  dyzet e shtatës kam drejtue punët e rinisë në fshat dhe në prill të dyzet e shtatës kam fillue si mësuese në fshatin Gojan, në rrethin e Pukës. Këtu kam qëndrue deri në prillin e dyzet e tetës. Në këtë kohë jam pushue nga arsimi me këtë motivacion: familja jeme nuk kishte qëndrue mirë politikisht. Prej asaj kohe e deri në gushtin e dyzet e nandës kam qëndrue në shpi si shtëpiake… “ shkruhet në dëshminë e Marie Tucit në hetuesi.

Më pas hetuesi vazhdon me pyetjet për të vijuar me një proces të stisur me akuza për vepra penale kurrë të kryera... deri në momentin kur gjykata vendos ta dënojë me 3 vjet heqje lirie për veprimtari kundër pushtetit popullor. Por nuk mbaron këtu.

Shefi i hetuesisë së Shkodrës, Hilmi Seiti, do të aplikonte torturat më çnjerëzore ndaj vajzës tërheqëse, vetëm 22-vjeçare, pasi përgjatë hetuesisë kishte ndeshur në rezistencën fisnike të saj. Në mënyrë demonstrative e nxorën nga qelia dhe në oborrin e hetuesisë e zhveshën dhe e futën në një thes, bashkë me një mace të egër. Klithje nuk nxori, pavarësisht dhimbjes nga turturat dhe çjerrjet deri në kockë nga kafsha e egër që ngulte kthetrat në trupin e saj për të gjetur shpëtim. Pas dhunës edhe nga duart e hetuesve të tjerë, Marie Tuci dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Shkodrës. Kushdo që e pa atë ditë shtangu. Tuci ishte trasnformuar, por sytë ende i shkëlqenin se nuk u dorëzua kurrë, ndërsa, sa mundi, pëshpëriste se jetën ia kishte dhuruar Zotit. Në ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e ka njohur. Asaj, Maria i ishte shprehur se shefi i Sigurimit e kishte çuar deri ne fund fjalën e tij kur i kishte thënë se "do të katandis aq sa të mos njihesh". Vdiq më 24 tetor 1950 nga torturate e rënda fizike dhe psikologjike. Marie Tuci është gruaja e vetme mes 38 martirëve të Kishës Katolike që janë shenjtëruar nga Papa Françesku. Historia e saj është në kufijtë e së pabesueshmes, ku në moshën 22-vjeçare u masakrua nga hetuesit komunistë, që për këto krime të rënda rriteshin në detyrë, duke lënë pas mijëra viktima, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se donin lirinë.

blank

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here