Udhëtim drejt prangave në qytetin e largët

0
69
blank

“Shoferi, Latifi, më zgjati një biletë dhe më tha: “Merre ti i Laçit dhe do të paguash 250 lekë!”. “Mbaje për vete, se i arrestuari nuk paguan biletë” - i thashë. Pasagjerët që kishin mbetur në autobus, më panë me keqardhje. Autobusi u nis drejt e për Tropojë…më morën gjithkund të mbuluar me batanije në kokë që të mos më shihnin. Me futën në birucë (qelia brenda qelisë). Një derë e shkulur, ishte shtruar sipër çimentos. Në birucë kishte edhe nja pesë a gjashtë batanije të kohës së Italisë. Bora arrinte deri në dritaren e birucës. Ishte 1 prill, por atje është bjeshkë dhe bëntë shumë ftohtë”

Kur Prel Syku u lirua pas 12 vitesh vuatjeje nëpër burgjet e diktaturës, kishte shpresuar se e kishte përfunduar fazën e egër të burgosjes edhe pse e dinte mirë se persekutimi i tij dhe i familjes do të vazhdonte egërsisht gjatë regjimit diktatorial. Por nuk do të kalonin shumë vite dhe Prela do të përballej sërish me qelitë e diktaturës në një udhëtim më të mundimshëm, më sfilitës se ai i herës së parë.

“Dy vjet pasi u lirova, u fejova dhe u martova. Në vitin 1978, prishja e marrëdhënieve me Kinën, u shoqërua me një fushatë arrestimesh. Në shenjestër të këtyre arrestimeve ishin individë që e kishin një vlerë kundër komunizmit. Arrestuan djalin e axhës, Pal Sykun dhe djalin e vëllait, Llesh Sykun. Lleshi kishte të vëllain të arratisur në Amerikë, Anton Sykun; arrestuan Ahmet Beg Kecin, i cili kishte qenë i arratisur pas lufte, por u kthye me atë amnistinë e rremë që shpalli qeveria komuniste për të arratisurit politikë. Arrestuan edhe Gjergj Bicin, një nip të shtëpisë sonë, i cili e kishte babën të arratisur. Pra, Sigurimi arrestoi një grup. Ndërkohë që këta po bënin pothuajse një vit në biruca, mua nuk po më arrestonin akoma”, rrëfen Prela. Udhëtimi i tij drejt qelisë së burgut do të ishte i ndryshëm nga ai i herës së parë.

“Kryetari i fshatit Gjokë Gjoka dhe Nikollë Domgjoni që ishte kryetar i lokalitetit të Bregut të Matës, erdhën dhe më sollën një copë shkresë në darkë dhe më thanë: “Do të paraqitesh nesër në ora 8:00, në Degën Ushtarake të Lezhës”. Unë nuk kisha bërë zbor asnjëherë, sepse sipas rregullit, i kisha të humbura të drejtat nga burgu i parë, dhe nuk i merrnin në zbor njerëzit që i kishin të drejtat e humbura. Kur shkova në Degën Ushtarake, pashë që kishin thirrur edhe do të prekur të tjerë përveç meje, pikërisht për të më hequr mua çdo shenjë dyshimi. Zenel Brahimi, që ishte kryetar i Degës Ushtarake, më tha: “Ti je Prel Syku?” “Po”- i thashë. “Ku e ke pasaportën?” - më tha. Nxora dhe ia dhashë. “Do të gjobis, - më tha, e ke mbajtur keq”! “Po punëtor jam; a ke thënë me e mbajt me vete”?

Ndërkohë ra telefoni. Ishte kryetari i Degës së Lezhës, Muharrem Sulejmani. Ai e pyeti “A ka ardhur Prel Syku?”. “Ka ardhur,” - iu përgjigj kryetari i Degës Ushtarake. Pas telefonatës, ai nxori një zarf prej tavoline, në të cilin ishte shkruar: “Filip Meksi, reparti 320, Tropojë” dhe më tha:

“Sot është e shtunë. Ditën e hënë, do të shkosh të bësh zborin në Tropojë!”

“Unë nuk kam bërë zbor qysh se kam lindur! Ç’është ky zbor tani?!” - i thashë.

“Do të bësh! Si shokët edhe ti!”

“Është zonë ushtarake; nuk mund të shkoj në Tropojë!”

“Ke lejen ushtarake me vete. Megjithatë ne do të ndihmojmë që të hipësh në autobus.” – më tha, se atë kohë ishte shumë e vështirë për me shkue në Tropojë.

Udhëtimi i pazakontë drejt prangave të reja

“Këta kishin çuar nënkryetarin e Degës, Ligor Divjaka nga Pogradeci, me ‘gaz’-in e arrestimeve, me hekurat e Lezhës, me batanijet e Lezhës, me më prit atje në Tropojë. Për të më shoqëruar në autobus, kishin caktuar një Miftar Jahja, shef i Sigurimit, në Lezhë, por i veshur civil, nuk binte në sy.

Autobusët për në Tropojë niseshin në Laç. Shkova në Laç, dhe para se të nisesha, takova një mik timin dhe pimë një kafe. Shefi i Sigurimit të Laçit me shefin e Sigurimit të Lezhës, u bënë bashkë. “Këqyr Prel Sykun”- i tha, me qëllim që ta dëgjoja unë dhe që të shfaqja ndonjë reaksion. Erdhi ora për të hipur në autobus dhe unë nuk po mund të hipja se ishin shumë njerëz. U afrua shefi i Sigurimit të Laçit Qemal Karramani dhe i thotë shoferit të autobusit: “Latif, atë personin me kasketë do ta marrësh se ka një pako ushtarake.” “Hip!” - më tha shoferi. Mua ma kishin zënë vendin pikërisht pas shoferit. Afër meje u ul shefi i Sigurimit, i veshur civil dhe i paarmatosur dhe nuk ishte prezantuar akoma me mua.

Aty nga ora 12 e drekës, arritëm në Fushë-Arrëz, ku u ulën gjysma e pasagjerëve të cilët e kishin destinacion. Një pjesë tjetër shkuan në restorant për të ngrënë. Unë zbrita, mora një paketë cigare e një shkrepëse dhe një salsiçe që po e haja në këmbë. Të njëjtën gjë bëri edhe shefi i Sigurimit; as ai nuk u ul në restorant. Pataj shkova për të hipur në autobus. Nga biletat që kishin lëshuar përtokë, shoferi, Latifi, më zgjati njërën dhe më tha: “Merre ti i Laçit dhe do të paguash 250 lekë!” “Mbaje për vete, se i arrestuari nuk paguan biletë” - i thashë. Pasagjerët që kishin mbetur në autobus, më panë me keqardhje. Autobusi u nis drejt e për Tropojë. Kur mbërritëm në Tropojë, sapo zbrita këmbët në tokë, ia behu ‘gaz’-i i Lezhës. U rrotullua nja dy herë rreth meje. Aty, përpara më doli Ligor Divjaka dhe më tha: ”A më njeh?”. “Të njoh shumë mirë! Por nuk ka qenë nevoja më ba gjithë këtë ceremoni, more burrë!” - i thashë. “Mos fol!” - më urdhëroi. Fillimisht më mori zarfin, që ishte i mbyllur me vinovil; nuk kishte burrë që e hapte. Pastaj më morën e më çuan drejt e në Degën e Brendshme të Tropojës. Më futën në një zyrë dhe më nxorën një letër të Kadri Hazbiut. “Je i arrestuar sekret. Nuk ka punë me ty as oficeri i rojes, as kryetari i Degës së Tropojës, e as kërkush tjetër. Vetëm këta dy persona, Ligor Divjaka dhe Miftar Jahja, njëri shef i Sigurimit e tjetri nën-kryetar i Degës së Lezhës, do të të nxjerrin në banjo, do të të ushqejnë, dhe do të t’i bëjnë të gjithë shërbimet. Dhe të gjitha sendet e tua, do t’i mbajnë këta të dy.” - më thanë. Pastaj i kërkojnë oficerit të rojes me na sjellë një sqepar e do gozhdë dhe shkojnë e gozhdojnë sportelin e birucës dhe i vënë drynin e vet. Mua më morën gjithkund të mbuluar me batanije në kokë që të mos më shihnin. Me futën në birucë. Një derë e shkulur, ishte shtruar sipër çimentos. Në birucë kishte edhe nja pesë a gjashtë batanije të kohës së Italisë. Bora arrinte deri në dritaren e birucës. Ishte 1 prill, por atje është bjeshkë. Pastaj më porositën: ”Shiko këtu: gjatë natës, policët për me kalue kohën, mund të vijnë e të pyesin ‘kush je?’, ‘nga je?’, ‘çfarë ke bërë?’, ‘si është puna?’, por ti mos u jep përgjigje sepse nuk kanë kompetenca as për të nxjerrë në banjo, as për të ndezur cigare, e as për të ushqyer.” “Mos më porositni më, u thashë, se i kam bërë 12 vjet nëpër kësi birucash.” Ndërkohë merrnin e më vinin hekurat kur më dërgonin në hetuesi. Po vetëm me hekurat, ata mund të ta nxinin jetën po të donin.

Sapo më futën aty, i bënë telegram gruas në emri tim: ”Jam shëndoshë e mirë, duke bërë zborin në Tropojë. Të fala, Prela.” Gruaja kohë më vonë më tregoi që “e mora telegramin, por nuk më ngrohu hiç, sepse ti zakonisht ia bën telegramin vëllait, jo mua”.

Më merrnin në hetuesi kot. Kur bëra shtatë ditë, erdhi kryetari i Degës, Bajram Sulejmani. I nxori jashtë të tjerët, mori disa dosje a shkresa dhe më tha: “Unë kam ardhur tashti së fundmi në Lezhë; kam nja gjashtë muaj. Por me këto që shoh unë këtu, vështirë se del pa u dënuar ti”. Unë i thashë: “Kjo nuk është hetuesi njerëzore. Kjo është hetuesi shtazarake. Shteti, një njeri, e vret kur të dojë. As më keni zënë në mal, as të armatosur, as të arratisur. E çfarë paskam bërë unë?” “Pse, tha, të kanë torturuar?” “Mjaftojnë këto hekura, me të marrë shpirtin. Nuk është fare nevoja të më torturoni. Kur t’i shtrëngojnë në zero hekurat gjermane, s’ka nevojë për torturë tjetër.” “Shiko, këtu! Nëse të prek kush me dorë, mos vazhdo hetuesi. Unë jam Bajram Sulejmani, kryetari i Degës së Lezhës dhe jo i Tropojës. Ti mos vazhdo hetuesi dhe vetëm thuaju dua ‘kryetarin e Degës së Lezhës’.“

Atë ditë e mbrapa, edhe t’më vinin hekurat përtonin, edhe pse e kërkonte ligji gjoja. Kur kaloja korridorit, dëgjoja policët e Tropojës të thoshnin: “Marshalla nusja e gjatë, por s’di se si do të na dalë!” Kujtonin se më kishin kthyer jugosllavët, sepse jugosllavët në atë kohë i kthenin disa nga të arratisurit....

..Si përfundim na nxorën në gjyq, që zgjati tri ditë. Kur u futëm pashë që salla ishte mbushur plot: familjarë, miq, të njohur, por edhe thjesht kureshtarë, sepse kishim gati dy vjet në birucë të padënuar. Tetëmbëdhjetë muaj; ishim bërë gati gjytyrym!

Për mua nuk kishin asnjë dëshmitar. Gjatë gjyqit, unë i drejtohem prokurorit: “Ku i ke të arratisurit? Ky popull do të dijë diçka, se i keni mbytur njerëzit në biruca!”

“Armik i betuar, - tha prokurori, do të dekonspirosh sekretet e Sigurimit të Shtetit ti!”

Dhe atëherë dha urdhër që njerëzit, publiku në sallë, të dilnin jashtë dhe salla të boshatisej. Sollën një spiun sa për të thënë që kjo histori e kishte një dëshmitar. Ky kishte ndenjur dy net në të njejtën birucë me mua. E pyeti prokurori: “Çfarë di për Prel Sykun?” Dëshmitari tha: “Prel Syku është armik i betuar. Ka bërë 20 vjet burg (unë kisha bërë 12 vjet, në të vërtetë). Prel Syku më ka thënë që nuk ka tradhtuar Bashkimi Sovjetik, por ka tradhtuar Shqipëria, se ata janë 80 parti bashkë dhe ne jemi një Parti vetëm.”

“O, nuk më ka hëngër meraku për Bashkimin Sovjetik, e as për Kinën, por këto janë iluzionet e Gjolek Lajthisë, sepse unë në burg kam qenë në kohën e Bashkimit Sovjetik e në burg në kohën e Kinës, e në burg me ju. Unë armik jam, por veprimtari armiqësore nuk kam bërë.”

“Ke dëgjuar Zërin e Amerikës!” - më tha prokurori.

“Po, e kam dëgjuar, - i thashë. Nuk është e ndaluar. E ke të ndaluar me ligj kund?”

“Jo vetëm e ke dëgjuar, por edhe e ke komentuar. Ke dëgjuar Amerikën…”

Pra, na nxorën në gjyq me 3 shtator 1978, në Lezhë. Si përfundim na dënuan: 10 vjet mua, Ahmet Bej Keçin 10 vjet, Pal Sykun 9 vjet, Lekë Sykun 9 vjet, Gjergj Bicin 7 vjet dhe Llesh Sykun 7 vjet. Na cilësuan "grup kulakësh" dhe na dënuan për “agjitacion e propagandë në bashkëpunim” për përmbysjen e pushtetit popullor.

Pasi dhanë dënimin, na çuan në kaushin e Tiranës dhe pastaj na ndanë nëpër kampe: dikë në Spaç e dikë në Ballsh. Mua më çuan në Ballsh. Atë kohë, në Ballsh, nuk kishte as amnisti, as stimul e as zbritje të dënimit në varësi të punës. Shokët që i kisha lënë herën e parë në burg me dënime të rënda, i gjeta prapë në burg. Bile më dolën nja njëqind metra përpara dhe më ndihmuan me dyshekun e teshat që kisha në shpinë. Ma vunë dyshekun midis kampit dhe më sollën një kafe. U tregova shkurtimisht punën e Tropojës, se kjo puna e Tropojës është histori e çuditshme. Aty ishin edhe Parid Darani e Tush Berisha; Parid Darani e ka pasur të atin prefekt, i cili edhe vetë kishte qenë i burgosur dy herë” ka rrëfyer Prelë Syku.

blank

Shënim: Rrëfimi i Prelë Sykut është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës”, botim i ISKK me autorë Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here