Vinin në Shqipëri për t'i shpëtuar regjimit serb, por gjenin përsëri përndjekje nga komunistët
Pak ditë më parë, studiuesi Kastriot Dervishi solli përmes një postimi në Facebook,
historinë e dënimit të tre shtetasve nga Kosova, të cilët në vitin 1962 tentuan pa sukses të arratiseshin nga Shtyllasi i Fierit ku përballeshin me keqtrajtimin që iu bëhej të internuarve. Pasi u kapën, ata u dënuan me burg. Domethënëse është fotoja që iu bashkua procesit, të cilën Kastriot Dervishi e ka postuar gjithashtu. Aty shihen tre shtetasit kosovarë të cilët janë të lidhur me litar, ndërsa një nga policët që qëndron pas tyre, u ka drejtuar automatikun.
Postimi i plotë i Kastriot Dervishit:
"Duke qenë të internuar në Shtyllas të Fierit, kosovarët Qazim Vula, Qazim Bllaca dhe Hazir Halimi, nga poshtërsitë e diskriminimet shumta që u bëheshin, tentuan më 8.10.1962 të arratiseshin, por u kapën. “Unë doja të merrja frymë lirisht, këtu në Shqipëri e kam çuar jetën në burgje dhe kampe, prandaj doja me shku në Itali e nga këtej në Turqi”-deklaroi në hetuesi Q. Vula. Duke u pyetur sërish për vrasjen e Miladinit, Qazim Vula shton se i përmenduri, si komandant kishte filluar torturat në masë në Kosovë, ishte treguar tejet arrogant me shqiptarët, ndërsa në ironi e sipër përsëriste se edhe Shqipërinë do ta katandiste në koloni të Jugosllavisë. Në bisedë me Haki Tahën dhe Enver Sudin kishin arritur në përfundimin se të gjitha këto që po ndodhnin në Kosovë kishin për protagonist Miladin Popoviçin, prandaj ky duhej të paguante për këtë gjë. Qazimi u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në foton që iu bashkua procesit, janë të lidhur të tre me litar dhe një automatik u rri nga pas.
Miladin Popoviç, i cili bashkë me Dushan Mugoshën, ishte delegat i dërguar nga Jugosllavia për të themeluar Partinë Komuniste të Shqipërisë, u vra në vitin 1945 në Prishtinë nga mësuesi gjakovar, Haki Taha. Qazim Vula u dënua nga regjimi serb si pjesëmarrës në këtë vrasje. Ai arriti të arratisej më 1949 nga burgu i Nishit për të ardhur në Shqipëri, por sapo u mësua që ishte anëtar i organizatës që vrau Miladin Popoviçin, u arrestua dhe u dënua përsëri. Në vitin 1962, pasi tentoi të arratisej nga Shtyllasi, ku ishte i internuar, u dënua me 15 vjet heqje lirie. Siç shkruan Kastriot Dervishi, në disa postime të mëparshme, Qazim Vula, përveç internimit, vuajti 18 vjet, 4 muaj dhe 12 ditë heqje lirie në Shqipëri.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.