“Na lanë gjithë natën jashtë, binte edhe pak borë. Në mëngjes, na çuan në biruca të ndryshme. Mbasi më hoqën hekurat duart nuk drejtoheshin, rrinin të ngrira; as pallton nuk e hiqja dot që ishte bërë ujë. Thirrën një të burgosur tjetër që ishte spiun. Kur më hoqi hekurat, ato morën edhe një copë mish me vete”. Dëshmia rrëqethëse e Dashamir Kovaçit sesi torturoheshin të dënuarit politikë në Spaç kur refuzonin punën.
Veç egërsisë së policëve dhe kushteve të përgjithshme, të dënuarit e Spaçit duhet të përballeshin edhe me egërsinë e klimës. Komanda e përdorte këtë të fundit si një mjet torture më tepër për ndëshkimin e të dënuarve. Dashamir Kovaçi ka rrëfyer për “Zërat e kujtesës” rastin kur bashkë me Kurt Kolën e kaluan natën jashtë, të lidhur pas shtylle, në mes të borës, sepse refuzuan të punonin.
Dëshmia e Dashamir Kovaçit
Në Spaç, erdhi Kurti (Kurt Kola). Iu afruam të gjithë. Ishte më i madh se unë, mbi 40 vjeç atë kohë. Deshi vetë a e prunë me zor të punonte...Ai e dinte që po të punonte, mund të merrte edhe 1 000 lekë në muaj. Kishte shumë të burgosur që më shumë u dhimbsej familja se sa vetja. Kurti kishte përvojë të gjatë nga internimi. Puna e rëndë dhe puna e fortë të shtazëron, të kthen në kafshë pune, të merr jetën pa e kuptuar ose aksidentalisht. Këtë qeveria e dinte prandaj, na shtrëngonin aq shumë që të realizonim normat. Bëje 10-12 vagona me majë, se ndryshe nuk ta llogariste ai kontrollori te dera, që edhe ai ishte spiun. "Dasho, më tha Kurti, unë nuk kam ndërmend të hedh asnjë gur këtu." "Pse, i thashë, mendon se kam qejf unë të punoj këtu? Mbase për gjimnastikë mund të mbush 1-2 vagona në 8 orë. Po mirë atëherë, nuk hedhim asnjë gur." U çua e më puthi në ballë.
Menjëherë erdhën policët, me të burgosur të tjerë: "Çfarë po bëni?" "Ja, po pushojmë pak." "Po nuk keni bërë asnjë vagon ju?" "Nuk nxjerrim asnjë vagon", u thamë. "Do shkoni në birucë?" "Ku të doni na çoni!" Ikën e erdhën disa herë dhe ne asnjë gur nuk hodhëm. Kur dolëm jashtë ishte turni i dytë. Na veçuan mua me Kurtin, njëri në njërën anë, tjetri në një tjetër. Mua dhe Kurtin na lidhën në hyrje të galerisë. Aty ishte një kolibe ku mbanin mjetet e punës: varretë, kazmat, lopatat, kandilat, kapelet. Na ndanë sepse po të rrinim bashkë, nuk ishin të sigurtë, se mund t'u ktheheshim.
U bëmë lëmsh me policët, unë nuk doja të lidhesha. Ra soba, u bë gjithë prush aty poshtë, policët u rrëzuan. Njëri nga ata oficerët më tha që "vetëm futi duart në hekura që të çosh fjalën time në vend, dhe pastaj do të çoj në birucë e do të zgjidh.
Sa i futa duart, ai: "Po ne të marrim shpirtin, more!" la futa me kokë atij që kisha afër, e u bë me gjak. M’i shtrënguan hekurat fort; e kam akoma shenjën. M'u enjtën duart menjëherë, dhe ishte ftohtë. Më lidhën poshtë një shtylle elektrike. Atje në majë ishte bërë një kallam akulli dhe për dreq më binte pika e ujit në qafë. Torturë gjithë natën. Kurti ishte në anën tjetër, i lidhur si unë. Na lanë gjithë natën jashtë, binte edhe pak borë. Në mëngjes, na çuan në biruca të ndryshme.

Mbasi më hoqën hekurat duart nuk drejtoheshin, rrinin të ngrira; as pallton nuk e hiqja dot që ishte bërë ujë. Thirrën një të burgosur tjetër që ishte spiun. Kur më hoqi hekurat, ato morën edhe një copë mish me vete. Nuk lëvizja dot as gishtat. M'i hoqi rrobat sepse nuk duhet të rrija në birucë përveçse me benevrekë dhe këmishë, se biruca ishte masë ndëshkimore.
Imagjino çfarë torture: në beton komplet. Më kanë lënë atje 30 ditë, besoj. Kurtin më duket e nxorën pak më shpejt; besoj se bëri 25 ditë. Aty kishte dy policë mirditorë dhe ia mbanin pak anën Kurtit. Jo se e privilegjonin, por ndonjë gjë të vogël. Dolëm, kjo ishte mënyra që përdornin me të gjithë të burgosurit Ama, rezistencën që bëmë ne, nuk guxonte ta bënte njeri. Format e ndëshkimit për të mos punuar qenë të forta: i kanë rrahur e u kanë thyer kockat, i kanë çuar gjithë gjak atje nëpër biruca. Dera e birucës ishte gjysmë metri nga dyshemeja. Pjesa poshtë ishte me dru. Kur shtriheshe, dërrasat ishin një po një jo, sepse e kishin studiuar që të hynte rryma e fortë e ajrit. Nuk shtriheshe dot se të zinte plevita në sekondë.
Batanijet, të cilat ishin që nga lufta, të holluara e të shthurura për të bërë triko me to, t'i linin 4-5 orë në natë. Batanijen vinin e sillnin nga ora 1-2 e natës. Ne prisnim deri sa e sillnin dhe nuk shtriheshim se bënte ftohtë. Do ishte lumturi nëse birucat ishin plot, se rrinim kurriz më kurriz që të ngroheshim pak.
Biruca si ndëshkim vlente edhe për personat që nuk arrinin të realizonin normën; qoftë edhe një vagon të linin mangut, prapë shkonin në birucë. Ditën në birucë, natën në minierë. Maksimumi i birucës ishte 30 ditë.
Shënim: Dëshmia dhe fotoja e Dashamir Kovaçit janë marrë nga “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VI, botim i ISKK, me intervista nga Luljeta Lleshanaku, Tiranë 2020. Skica i përket ekspozitës “Jeta në Spaç”, realizuar nga Ina Elezi, në kuadër të një projekti të kujto.al dhe hartaekujteses.al, të mbështetur nga KAS Albania.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.