Biruca/ I kaloja netët duke ecur me gjunjë që të mos ngrija

0
212
blank

Për të mos ngrirë nga i ftohti, të dënuarit duhet të ecnin gjatë gjithë natës, brenda asaj dhomëze të akullt, të projektuar enkas për torturimin e tyre. Po kur këmbët ishin plagë nga rrahjet, si duhet të vepronin? Selim Cani tregon një nga momentet më të vështira të viteve të tij të burgut

 

 

Biruca, si formë ndëshkimi për të burgosurit, përbënte kulmin e torturave që ushtroheshin ndaj tyre. Kush refuzonte të dilte në punë, kush bënte ndonjë shkelje, apo kushdo që piketohej nga komanda, mbyllej në birucë për ditë me radhë. Aty duhet të përballonte izolimin, urinë, rrahjet dhe gjatë dimrave të acartë të zonave ku ishin ngritur kampet, si Spaçi, apo Qafë-Bari, të ftohtin e padurueshëm. Jo të gjithë i përballonin.

Selim Cani, i dënuar në vitin 1987, për një bisedë arratisjeje u dërgua në Qafë-Bari, për të kaluar aty vitet e fundit të diktaturës, por edhe për të jetuar atmosferën e egërsuar të këtij kampi pas revoltës së të burgosurve të vitit 1984. Nga ngjarjet dhe kujtimet e rënda të atyre viteve, ai veçon pikërisht momentin kur e mbyllën në birucë, pasi e rrahën barbarisht.

Dëshmia:

Më kujtohet një skenë që ka ndodhur në Qafë-Bari: Sipër kampit ka qenë izolimi. Në izolim, rrinin njerëzit që nuk punonin ose që ziheshin. Më kishte vjedhur çizmet e punës një durrsak, që e quanin Haxhi (Xhike). U zura me këtë person dhe policia na mori dhe na rrahu të dy. Mua më rrahën më keq se isha i burgosur politik. Nuk ecja dot për 10 ditë.

Një nga mënyrat e rrahjes ishte që të vinin afër një karrige mbrapsht dhe të gjuanin tek shputat e këmbës. Ajo ishte torturë, nuk mund të durohej. Këmba fryhej saqë nuk ecje dot. Disa të tjerë të gjuanin me shkelma në kraharor. Nuk më ra të fikët, por ngaqë nuk ecja dot, më morën zvarrë dhe më çuan tek izolimi. Edhe atje duhet të prisja në radhë sa të bënin kontrollin.

Kam qenë i zhveshur dhe dikush nga rreshti del dhe thotë: "Lëreni more, se është dimër dhe do vdesë!" Ka hequr xhaketën e tij dhe më ka mbuluar. Ata e kapën dhe e rrahën. Ai ishte nga Lezha ose nga Tropoja. Unë kam qenë 19 vjeç, kurse ai ishte gati 10 vjet më i madh.

Më çuan në izolim dhe më lanë dy ditë. Isha zbathur, i paveshur, pa batanije. Atje ishte i gjithi beton dhe kishte pasur raste që kishin vdekur nga i ftohti. Ai shoku i dhomës më thoshte që të lëvizja se ndryshe do të ngrija. Dy ditë nuk kam fjetur, vetëm lëvizja.

Po si të ecja unë me këmbët e enjtura? Në fillim ecja me gjunjë sa më ka rënë edhe të fikët. Ky ka qenë momenti më i dhimbshëm në periudhën e burgut tim politik.

Shënim: Dëshmia dhe fotoja është marrë nga libri “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VI, me intervista nga Luljeta Lleshanaku, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here