Tomorr Allajbej, i dënuari i revoltës së Spaçit

0
1898
blank

I lindur më 4.4.1941 në Peshtan të Beratit, me origjinë fshatar i pasur, kulak, nuk kishte si  mos të ishte në kontingjentin që regjimi komunist planifikonte të dënonte. Tomor Allajbeu vuajti dënimet me heqje lirie në vitet 1969-1987, duke qenë edhe një ndër të dënuarit e revoltës së vitit 1973. Hyri në burg 28 vjeç dhe doli prej andej 46 vjeç. Kujto.al boton me poshtë të dhenat për denimet e tij.

Dënimi i parë

U arrestua më 18.6.1969. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Në vendim thuhej: “I pandehuri...rrjedh nga një familje e pasur fshatare. Gjatë luftës nacionalçlirimtare i ati dhe pjesa më e madhe e farefisit të tij kanë qenë të lidhur me organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar dhe me fitoren e pushtetit tonë popullor, një pjesë e tyre janë dënuar me dënime të ndryshme dhe një pjesë janë arratisur në kampin imperialist. I pandehuri ka qenë në moshë të vogël dhe personalisht nuk ka zhvilluar aktivitet në dëm të lëvizjes nacionalçlirimtare, mirëpo, kohët e fundit, sidomos këto 2-3 vjet, duke qenë besnik e konsekuent i politikës tradhtare në dëm të RPSH-së, ka filluar të bëjë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor qe qëllim që të minojë e dobësojë këtë duke bërë thirrje dhe duke shkruar e ruajtur shkrime me përmbajtje kundër ideologjisë dhe politikë së partisë e shtetit tonë”.

Bëhej fajtor për ruajtjen e “literaturës reaksionare” me qëllim që idetë e tyre t’i përhapte “në masën e njerëzve të kallëpit të tij”. Citohej revista “Përpjekja” e Branko Merxhanit, e veçanërisht artikulli “Pse nuk jam marksist”, “në një kohë kur marksizmi po bën mrekullira në vendin tonë, të cilat nuk mund të krahasohen me asnjë nga regjimet e kaluara”.

Në qendër të vëmendjes ishte edhe kooperativa bujqësore. Për këtë, gjykata arsyetonte: “Nga viti 1967 e deri sa u arrestua, ka bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit tonë popullor, duke biseduar me persona të ndryshëm kundër sistemit kooperativist në fshat, duke thënë se gjoja në kooperativë njerëzit vuajnë, nuk ngopen me bukë, vdesin nga uria e të tjera gjëra të kësaj natyre. Ka biseduar me qëllim që të minojë dhe dobësojë pushtetin tonë popullor me person të ndryshëm, duke u thënë atyre se në vendin tonë jetesa është e vështirë, kurse në shtetet imperialiste bëhet jetë e mirë”.

Gjithashtu u fut edhe elementi se ishte kundër Kinës, ngaqë kish thënë se ishte larg. U përdorën 7 dëshmitarë. Vepra e tij u cilësua me “rrezikshmëri të theksuar” për “fitoret kryesore ekonomike, politike dhe kombëtare të revolucionit tonë popullor”.

Gjykata Popullore e Rrethit Berat, e drejtuar nga Lavdosh Zotaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Niazi Kurti, me vendimin nr.73, datë 14.10.1969, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Dënimi i dytë

U arrestua më 23.5.1973 në revoltën e Spaçit. U akuzua në bazë të neneve 72, 73/2 dhe 76 të Kodit Penal. Akuza ndaj tij u formulua kështu: “Ka marrë pjesë në revoltën e organizuar në kampin e Spaçit dhe gjatë ditëve të revoltës ka qenë një nga më aktivët në hedhjen e parullave armiqësore duke u shprehur: “’Ja vdekje-ja liri’, ‘Poshtë komunizmi’. U ka bërë thirrje të dënuarve për t’u hedhur në revoltë dhe për ta vazhduar atë. Ka refuzuar për të dalë në punë dhe u ka bërë thirrje të dënuarve të tjerë për të mos punuar në galeri. U është kundërvënë urdhrave dhe thirrjeve të komandës për të stabilizuar gjendjen në kamp dhe për të filluar punë, duke iu përgjigjur me parulla: ‘Ne nuk punojmë në galeri’, ‘Ja vdekje-ja liri’, ‘urra’, etj. Është bashkuar me shprehjet që u janë bërë ushtarëve për të dorëzuar armët dhe mos iu bindeshin komandës”.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Filip Lako, me pjesëmarrjen e prokurorit Zef Deda, me vendimin nr.29, datë 30.6.1973, e deklaroi fajtor dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.1158, datë 15.8.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 19.11.1987./kujto.al

Shenim: Fotoja e Tomorit në arrestimin e parë

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here