“Partia u nis në fillimin e prodhimit kinematografik nga konditat konkrete të vendit duke patur parasysh porosinë e Leninit: 'Prodhimi i filmave të përshkruar nga idetë komuniste, duhet filluar nga kronika'”
Art vs propagandë, është debati që kthehet shpesh në mediat shqiptare. Janë dy palë në debat sa i përket rolit që pati Kinostudio “Shqipëria e re” gjatë kohës së diktaturës. Nga njëra anë nostalgjikët e kohës së diktaturës por edhe të tjerë duke përfshirë shumë artistë, thonë se ishte art dhe përballë tyre një pjesë e rëndësishme e opinionit publik beson se ishte vetëm propagandë. Por çfarë mendonte ose besonte vetë udhëheqja e Sigurimi i Shtetit për rolin e Kinostudios “Shqipëria e re”?
Një dokument i arkivës së sigurimit të shtetit hedh dritë mbi rolin primar që pati kinostudio “Shqipëria e re”. Një dokument i Sigurimit të Shtetit i datës 1 nëntor 1970 tregon rolin e sigurimit të shtetit në garantimin e misionit të kinostudios “Shqipëria e re” në shërbim të regjimit.
Në këtë kohë u vendos hapja e një dosje të posaçme për kinostrudion “Shqipëria e re” me qëllim që të mbahej nën monitorim të rreptë e gjithë veprimtaria. Në dokument theksohej se ky institucion është i rëndësisë shumë të veçantë pasi garanton propagandën e partisë dhe udhëheqësit.
Dokumenti pasqyron edhe historikun e këtij institucioni ku veçojmë fillimet e propagandës komuniste kur i referohej citateve të Leninit. Partia u nis në fillimin e prodhimit kinematografik nga konditat konkrete të vendit duke patur parasysh porosinë e Leninit: “Prodhimi i filmave të përshkruar nga idetë komuniste që pasqyrojnë realitetin objektiv, duhet filluar nga kronika”, theksohet në raport. Më poshtë publikojmë dokumentin e marrë nga AIDSSH ku pasqyrohet një pjesë e dosjes së Sigurimit të Shtetit për kinostudion “Shqipëria e re”, e ku duket krejt qartazi se ky institucion prodhoi propagandë të kontrolluar rreptësisht nga Sigurimi i Shtetit.
Dosja kinostudio
Vendim
Për çeljen e dosjes së objektit për Kinostudio “Shqipëria e re”
Unë punëtori operativ Polikron Koço, drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë (ana e Sigurimit të Shtetit), mbasi studiova objektivin e Kinostrudios gjeta:
Se subjekti i lartpërmendur është një institucion me rëndësi të madhe kulturale-politike, si i vetmi objekt i këtij lloji në republikën e Shqipërisë.
Në këtë objekt punojnë një numër i konsiderueshëm punonjësish të artit tonë kinematografik, 332 persona. Duke u nisur nga rëndësia e veçantë politike e tij, orjentimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, dhënë nëpërmjet degës X-të si dhe për të zbatuar duke parandaluar në kohë veprimtari të mundshme armiqësore apo keqbërëse në këtë institucion.
Vendosa:
Që objektin e Kinostudios “Shqipëria e re” ta konsideroj objekt të rëndësisë së veçantë, duke i hapur dosje objekti dhe njëkohësisht ta regjistroj atë në kartotekë.
Punëtori operativ Polikron Koçi
Shefi i Seksionit të V-të
Bajram Doçi
HISTORIKU
Objekt i rëndësisë së veçantë Kinostudio “Shqipëria e re”
Arti kinematografik shqiptar lindi dhe u zhvillua me vendosjen e pushtetit popullor në bazë të orjentimeve të partisë, në bazë të mësimeve të shokut Enver. Në vitin 1947 me dekret të presidiumit të Asamblesë Popullore Shtetërore, sallat e kinemave kalojnë në duart e shtetit, po ashtu edhe distribucioni i filmave të huaj, krijohet kështu ndërmarrja kinematografike shqiptare. Po në këtë vit xhirohej për herë të parë nga kineastët tanë filmi kronikal dokumentar prej tri aktesh: “Komandanti viziton Shqipërinë e mesme dhe të jugut”. Kështu filloi rrugën e vet kinematografia jonë.
U fillua rruga pa patur asnjë kuadër të specializuar dhe me mjete krejt primitive. Operatorët tanë të parë e filluan këtë rrugë duke pasur në gjirin e tyre vetëm porositë e partisë.
Fillimisht kinematografia ka patur dy operatorë kurse më vonë jo vetëm që plotësohen nevojat e kronikës dhe të filmit por u pregatiten edhe u krijua dega e kinematografisë së ushtrisë si dhe u përgatitën e u dërguan kuadrot e para të specializuara për televizionin shqiptar.
Partia u nis në fillimin e prodhimit kinematografik nga konditat konkrete të vendit duke patur parasysh porosinë e Leninit: “Prodhimi i filmave të përshkruar nga idetë komuniste që pasqyrojnë realitetin objektiv, duhet filluar nga kronika”
Filmi kronikal dhe dokumentar nga viti në vit është rritur në sasi dhe cilësi, formoi traditën e vet si art dhe dalëngadalë po kristalizon fytyrën e vet nacionale duke i shërbyer për herë e më mirë zhvillimit revolucionar të vendit tonë, edukimit komunist të masave punonjëse. Sot është një ndër artet më masivë e më të preferuar të popullit tonë.
Filmi kronikal e dokumentar ndahet në tri periudha:
Periudha e parë është e viteve 1947-1952. Ky është fillimi i punës, foshnjëria e këtij filmi. Akoma nuk kishte kuadro të formuar. U xhiruan filma në vitin 1949: "Në festivalin folklorik”, “Hekurudha Durrës-Tiranë” , “Kongresi i II i PPSH-së”. Në këtë etapë përpunimi i filmave bëhet jashtë shtetit dhe vetëm nga mesi i vitit 1952 fillojnë të përpunohen krejt në Shqipëri.
Periudha e dytë përfshin vitet 1952-1962. Është periudha kur merr zhvillim si prodhimi ashtu edhe përgatitja e kuadrove të reja. Kështu dalin elementë të rinj si operatorë, regjizorë etj. Në këtë periudhë prodhohen nga një kino ditar në muaj, një dokumentar prej rreth 7 deri në 20 e ca akte në vit. Krahas rritjes në sasi kemi edhe rritjen në cilësi të filmave kronikave dhe dokumentarëve si psh: “Letër nga fshati" "Pusi 542" në vitin 1957, “Drita mbi Shqipëri” 1958, “Qyteti i 1000 dritareve” 1959, “Aleksandër Moisiu” 1960, “Migjeni”, “Ringjallja” 1961.
Periudha e tretë përfshin vitet 1962-dhe këtej. Kjo është periudha e pjekurisë së filmit, Gazeta e filmuar (kinoditari) filluan të dalin çdo javë, kurse numri i filmave dokumentar arrin në rreth 1000 akte në vit. Kjo periudhë karakterizohet jo vetëm nga vepra të shumta por edhe të ngritura e të pjekura nga ana ideo-artistike. Tani filmi kronikal e dokumentar ka hedhur baza të shëndosha. Kështu ka vepra dinjitoze si “Bistrica” 1963, “Kur vjen nëntori”, “Në flakë të revolucionit”, “Ata çajnë përpara”, “Dhjetor 1967”, “Rruga jote shok” etj. etj.