As fletë arresti, as gjyq, asnjë dënim, e morën dhe me dhunë e me grushta e futën në një kamion plot e përplot. Mbas shumë e shumë orëve rrugë arritën në një vend që mbante era kërmë. Kishin arritur në kënetën e Maliqit. Aty Osmani si gjithë të tjerët, me kushte çnjerëzore, filloi të punonte për të tharë kënetën
Nga Marsida T. Najdeni
Për Osman (Preza) Kalaja kam dëgjuar qysh më 2013. Një foto e tij veshur si oficer i Zogut plot sqimë më mori vëmendjen. Ashtu si veproj me tironsit e vjetër në përgjithësi e shënoj dhe e ruaj diku ndërkohë që bubrrimet (kërkimet) vazhdojnë. Sa herë ia kam çarë kokën Isida Kalasë për gjyshin, aq të mira qofshin. Për Osman Kalanë nuk do të gjeni asnjë arkivë, asnjë letër shtetërore, pothuajse asgjë. Ai nga sistemi totalitar u keqtrajtua, edhe sigurisht u përpoqën që vuajtjeve mos t'i linin asnjë gjurmë. Dhe vjen një ditë...
Jeta e Osman Preza Kalaja para komunizmit
Osmani ishte i biri i Sadik Prezës, lindi më 1905 brenda në Prezë. Gjyshi i Osmanit ishte Adem beu i Prezës. Bajram Curri e kishte konakun e mikut dhe rrinte me besë tek Ademi. Babai i Osmanit Sadikut ishte mullixhi i prodhimit të miellit në Vorë. Kishin prona të shumta si në Prezë dhe në Vorë. Osmani shkollën fillore e ndoqi në Medrese të Vorës. Dikur, kur familja zbriti në Tiranë, me ligjet e reja të mbiemrave një bark u bë me mbiemër Preza dhe barku tjetër me mbiemër Kalaja. Për shembull, të famshmin doktor të neurologjisë shqiptare Dr. Bajram Prezën, Osmani e ka nip. Osmanin e njihnin dhe me emrin Asmon, Osmon, Bab Osmoni etj..
Osman Kalaja, me ardhjen në Tiranë, vazhdoi mësimet. U diplomua në të famshmen Harry Fultz të Tiranës. Për shkollën teknike kishte nostalgji. Isida tregon se gjyshi i fliste me dashuri për ato vite të shkollës. "Po të flisnim shqip gjatë drekës na vinin 5 grosh gjobë. Nqs e thoja ma kalo krypën dhe jo pass me the salt." - i ka treguar Osmani mbesës.
Studimet e larta i ndoqi në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali ku u diplomua si këmbësor ushtarak dhe më vonë mori gradën toger. Me ardhjen nga Italia në Shqipëri u punësua në ushtrinë e Mbretërisë së Zogut. Jeta rridhte normalisht për Osmanin, i cili ishte një djalë i ri plot energji. Rodhi dhe martesa dhe fëmijët. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Osmani doli rezervist dhe luftoi për të mbrojtur atdheun. Ai e quante veten ushtar të Shqipërisë dhe uniformën me emblemën e Skënderbeut në ballë e kishte të shenjtë.
"Çlirimi" i Shqipërisë më 1944
Me ikjen e pushtuesit, Osmani mendoi se Shqipëria ka nevojë tani më shumë se kurrë. Veshi uniformën dhe doli të paraqitej në zyrat ushtarake në shërbim të atdheut si gjithnjë. Kur doli rrugës e mbërthyhen çlirimtarët e rinj dhe i thanë ç'e kishte atë uniformë. Osmani s'kuptoi asgjë. Uniforma e tij kishte përkrenaren e Skënderbeut në ballë: si mund t'i shqetësonte?
Prit gruaja të kthehej në shtëpi Osmani, hiç! Prit vëllezërit të kthehej Osmani, asgjë! Ditët kaluan dhe Osmani nuk u duk asgjëkund. Familja filloi të shqetësohej shumë. Vëllezërit shkuan ta kërkonin me miq e me të njohur. Asnjë në Tiranë nuk e dinte se ku gjendej Osman Preza Kalaja. Vëllai Osmanit, Asim Kalaja, do të vdiste shumë shpejt në duart e komunistëve, të cilët e vranë si anëtar të Legalitetit. Familja Preza-Kalaja po qante dy djem të zhdukur nga duart e komunistëve. Ditën e xhenazes së Asimit (vëllait të Osmanit) ato nuk përcollën një kufomë, por në fakt dy.
Si ishte gjallë Osmani?
Ditën që doli për t'u paraqitur në zyrat ushtarake në rrugë e kishin ndaluar ca partizanë, të cilët prej uniformës e piketuan menjëherë. As fletë arresti, as gjyq, asnjë urdhër nga lart, asnjë dënim, e morën dhe me dhunë e me grushta e futën në një kamion plot e përplot. Mbas shumë e shumë orëve rrugë arritën në një vend që mbante era kërmë. Kishin arritur në kënetën e Maliqit. Aty Osmani si gjithë të tjerët, me kushte çnjerëzore, filloi të punonte për të tharë kënetën. Njohu shumë miq të tij të vjetër ndër të tjerë dhe zotni Vuçiternën, që disa thonë e varrosën të gjallë. Aq shumë u torturua nga kjo lodhje e pamëshirshme sa mbas një farë kohe Osmani u sëmur dhe e çuan në burgun e Kalasë së Gjirokastrës. Aty Dr. Kadri Kërçiku e gjeti dhe u çoi lajmin familjes: "Njëri çun ju iku, po ecni sepse keni tjetrin gjallë". Mbas 8 muajve Osmani u gjet.
Kur i shkoi e shoqja ta vizitonte në spital ai nuk pranoi. Mjekra i ishte zgjatur deri në gush'. Këmbët i kishte me dhjetra vrima nga ushunjëzat. Aq të thella ishin ato vrima sa hynte gishti brenda dhe vetëm rridhnin gjak. Ishte dobësuar, bërë kockë e lekurë. Ai burri 2 metra ishte zvogëluar, plakur, bërë sa një dorë. Trupi i ishte bërë gërrmuq duke ndejtur me orë mbi kënetë. U desht dashuria e një gruaje të përkushtuar ta silltë në jetë këtë mashkull.
Jeta dhe vdekja gjatë komunizmit
Shqipëria komuniste kishte privilegjin të kishte një hamall si Osmani, i cili ishte jo vetëm i shkolluar, por dhe njohës mjaft i mirë i anglishtes, italishtes, arabishtes, turqishtes, gjermanishtes, edhe rusishtes. Punoi fort për të rritur katër fëmijë. Mbante pesha e shkarkonte me qindra arka druri të rënda në ditë. Edhe pse punonte punë kaq të rëndë ai nuk iu shkëput dijes. Gjithë nipërit e mbesat me gjyshin i kryen detyrat e shtëpisë. Nuk kishte lëndë që ai mos t'ia mësonte. Isida e kujton gjyshin e saj si burrin me zërin më të ëmbël. Një burrë i urtë dhe i butë që veç fjalë të ngrohta nxirrte nga goja. Një njeri ekonomikisht i varfër, por shpirtërisht e mendërisht shumë pasanik. Fati e deshi që Osmani të jetojë gjatë dhe të vdiste i rrethuar nga familjarët.
FALËNDERIME DHE NDIHMË
Falenderoj miken time Isida Kalaja (vajzën e djalit të Osmanit) dhe zonjën Emine Kalaja Shijaku, e bija e Osmanit, e cila dhe në moshë, u tregua e gatshme të na kallxonte.
Po ashtu kërkoj ndihmë nëse Osman Kalaja dhe Asim Kalaja kanë dosje në Arkivën e Shtetit, t'i paraqiten publikut.