Shteti i Illinois-it në SHBA do të kremtojë si Ditën e Lirisë 28 janarin, ditën kur u lirua nga burgu shkrimtari dhe poeti shqiptar, i dënuar i diktaturës komuniste
Data 28 janar do të kremtohet si dita e lirisë në shtetin e Illinois, Sh.B.A. Kjo ditë u caktua e tillë nga guvernatori i shtetit të Illinois, J B PRITZKER në nderim të poetit dhe shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti. Është zgjedhur kjo ditë sepse përkon me datën e lirimit të Zhitit nga burgu i regjimit komunist më 28 janar 1987.
Në proklamatën e vulosur nga guvernatori Pritzker theksohet rëndësia e kësaj dite si simbol i rezistencës së poetit ndaj regjimit dhe shtypjes.
“Duke pasur parasysh që Visar Zhiti, një poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, si dhe një kampion i të drejtave të njeriut, duroi vite të tëra burgimi të padrejtë për poezinë e tij guximtare, e cila sfidonte shtypjen dhe kremtonte shpirtin e pathyeshëm njerëzor dhe duke patur parasysh që lirimi i Visar Zhitit më 28 janar 1987 shënoi jo vetëm çlirimin e tij vetjak, por edhe një fitore për lirinë e shprehjes, duke mishëruar besimin se poezia është drita në errësirë, fjala që i mbijeton prangave; dhe, duke patur parasysh që pavarësisht përpjekjeve të një regjimi totalitar për të heshtur zërin e tij, Visar Zhiti u shfaq si një fanar shprese, duke e shndërruar dhimbjen e tij në vepra letrare të thella që na kujtojnë se, edhe në burgun më të errët, shpirti gjen rrugën drejt yjeve!”
Në proklamatën, e cituar nga disa burime në rrjet, evidentohet dhe kontributi i Zhitit i cili i emigruar nga Shqipëria në Illinois, sjell me vete dhe vlerat e letërsisë dhe trashëgimisë së vendit të tij si një personalitet tashmë dhe amerikan.
“Duke pasur parasysh që udhëtimi i Visar Zhitit e solli atë në Illinois, ku ai vazhdon të pasurojë peizazhin tonë kulturor me talentin e tij të jashtëzakonshëm, mençurinë dhe avokatinë e tij për të drejtat e njeriut, duke na kujtuar fuqinë e qëndresës dhe krijimtarisë dhe duke patur parasysh që Shteti i Illinois-it është krenar që është shtëpia e një individi, historia e jetës dhe veprat letrare të të cilit pasqyrojnë triumfin e shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe frymëzojnë brezat për të çmuar lirinë dhe dinjitetin; dhe Duke patur parasysh që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe të gjithë qytetarët e Illinois-it festojnë trashëgiminë e qëndrueshme të tij, duke njohur kontributet e tij në letërsi, mbështetjen e tij të palëkundur për drejtësi dhe aftësinë e tij për t’u dhënë zë të heshturve dhe duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve.
Unë, Guvernatori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it. E kryer në Kapitol, në Qytetin Springfield, këtë ditë të Trembëdhjetë të Janarit, në Vitin e ZOTIT TONË, dy mijë e njëzet e pesë, dhe të Shtetit të Illinois-it, të dyqind e gjashtin".
Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago-s, në 727 West Madison St. ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA.
“Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë. Këtu liria është më e vërtetë dhe më e fortë,dhe që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria. Liria jeni ju”, u shpreh Visar Zhiti gjatë fjalës së mbajtur.
Në ceremoni mori pjesë dhe aktori shqiptar me famë botërore Jim Belushi, i cili lexoi dhe disa poezi të Visar Zhitit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.