Shkurt 45/ "Pushkatuam dy ish-partizanë që dezertuan. Pas plumbit, axhitacioni bënte efekt"

0
133

"Kjo ngjarje tmerroi dhe fshatarët. Partizanët u tronditën dhe u frikësuan nga ky pushkatim. Dhe me të vërtetë fryti i saj u pa mbasi pothuajse u prenë dezertimet…."

Dy ish-partizanë që kishin braktisur rradhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, pasi nuk ishin dakord me krimet politike të komunistëve, ishin ekzekutuar në mënyrë makabre për ti bërë shembull para gjithë brigadës. Ngjarja kishte ndodhur në janar-shkurt 1945 në Divizionin e IV-t.

Edhe pse Lufta kishte mbaruar, Ushtria Nacional Çlirimtare vijonte të shtonte rradhët dhe të ushtronte presionin e saj mbi popullsinë për të vendosur baza të sigurta për pushtetin komunist. Por me mbarimin e luftës shumë partizanë nuk donin të vijonin më tej jetën ushtarake. Duke qenë dëshmitarë në shumë krime politike dhe terror mbi popullsinë e pafajshme, ata kishin nisur të dezertonin nga rradhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Po dezertimi paguhej me çmim të shtrenjtë.

Në raportin informativ të divizionit të IV-t shkruar në Shkurt 1945, nga Sadik Boçaj kur ky divizion ndodhej në Shqipërinë e mesme, zbulohet ngjarja e rëndë e këtij ekzekutimi dhe mënyrat e tmerrshme të terrorit për t’i mbajtur rradhët e ushtrisë të forta që të mund të mposhtnin çdo rrezik që i kanosej regjimit komunist nga kundërshtarët e tyre politik.

Ja çfarë shkruhet në raportin e Sadik Boçajt: “Megjithëse punohej pa reshtur u pa se puna nuk jepte rezultate bile parullat e reaksionit të përhapura prej 3-4 vetash të Brigadës, që ishin si organizatorë gjetën vend dhe këto parrulla e ngjarje jau kemi vënë  në dijeni  në një raport të veçantë.  Si pasojë e kësaj propaganda disfatiste rodhi dëzertimi i një numri partizanësh, e në vend që të  paksohej vinte gjithmonë duke u shtuar. Kjo gjë na preokupoi mjaft. Gjendja paraqitej kritike. Shtabet humbën besimin në forca. Nervozizmi na kishte kapur dhe kësaj çështjeje i dhamë rëndësi.  Vetë shtabet e batalioneve dhe kompanjive bënin roje. Dhe në të vërtet u kap një partizan duke dezertuar, viktim i propagandës së reaksionarit Xhemal Llani që para disa ditësh kishte dezertuar. Dhe me shtrëngimin që ju bë këtij u zbulua rrjeti i tyre i pregatitur. Për këtë u arrestuan dy të tjerë që kishin mbetur si organizatorë. Të nesërmen për ta qetësuar gjendjen që ishte alarmuar bëhet një konferencë e gjerë në brigadë, ku flet komisari, zv.komisari, unë dhe komandanti. Flitet mbi rëndësinë  e ushtrisë sonë, sukseset e saja nevojat e mbajtjes së kësaj ushtrie, etj, veçanërisht demaskohen një e nga një të gjithë parrullat e hedhura në një mënyrë të thjehstë e të kuptueshme. Konferenca u prit mjaft mirë me duartrokitje dhe brohoritje të vazhdueshme. Dhe me të vërtetë fryti i saj u pa mbasi pothuajse u prenë dezertimet….

Të dy të arrestuarit  u hodhën në gjyqin e Korpusit dhe pas disa ditësh gjyqi vendosi ekzekutimin e tyre. Dhe kështu para gjithë brigadës, bëhet ekzekutimi pas një konference. Partizanët nga ky pushkatim u tronditën ca dhe u frikësuan. Por në konferencat e shumta që u bënë në kompani e batalione u skjarua mirë  çështja. Kjo ngjarje tmerroi dhe fshatarët.  Mbasi një kompani e kësaj brigade në bashkëpunim me Mbrojtjen e Popullit  kishte shkuar për ndjekjen e atyre që kishin ekzekutuar.

Vetë prindërit kur vinin për t’u takuar me  djemtë e tyre i porosisnin dhe i këshillonin që të mos largoheshin nga ushtria. Dhe kështu pas plumbit, axhitacioni zinte vënd, fjala dëgjohej dhe bënte efekt…” kujto.al sjell sjell më poshtë dokumentin ku janë nënvizuar pjesët, ku flitet për ekzekutimin e dy partizanëve.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here