Shkrimi i rrallë i Koliqit: Mark Gjomarkaj, theror i traditës

0
1336
blank

"Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t'u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, Ai dha provën e gjalle se s'ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës..."

Ky është një shkrim i rrallë i Ernest Koliqit shkruar me rastin e 25 vjetorit të krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, e që përkonte dhe me 25 vjetorin e vrasjes së një prej shqiptarëve më trima që ka njohur historia jonë e shekujve modernë, Mark Gjomarkaj. Prof. Ernest Koliqi e mban këtë fjalë në ketë përvjetor të veçantë dhe shpalos nje portret të jashtëzakonshëm të prijesit të derës pri cërore të Mirditës. Shkrimi eshtë zbuluar dhe pergatitur per botim nga poetja dhe studiuesja Ervina Toptani, e cila e sjell per lexuesit bashkë me faksimilet e dokumentit origjinal.

Mark Gjomarkaj, theror i traditës 

(në 25 vjetorin e vrasjes së tij 1946 - 1971)

Ka fatosa me fat e fatosa pa fat. Të parëve u ngrihen përmendore, u vihet emri në rrugët e qyteteve, përmenden orë e çast në shkrime e fjalime, u kumbon lavdia gojë më gojë, ndërsa të dytëve u zbehet kujtimi padrejtēsisht. Janë viktima të rrethanave ndërruese. Historia shqiptare është e mbushur me emra fatosash që u therorizuan (u flijuan) për një ide të lartë, së cilës nuk i buzëqeshi suksesi ose i buzëqeshi shumë vonë, pas vdekjes së tyre. Duke lënë mënjanë Skenderbeun (Scanderbeccu i pafàn, domethënë i pa fat siç thotë De Rada) qe doli ngadhënjyes në 22 beteja por humbi luftën, kemi ndër të tjerë Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën të cilëve ua shqeu jetën ora e zezë dhe për disa kohë ua mjegulloi vlerën atdhetare nje mëri zyrtare prapanike.blank

Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombëtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndjesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit pērballë disa fatosave tek të cilet spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.

Një ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.

Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mendjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjerë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t'u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithshme kombëtare. Kapedani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m'u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.

Shumicës së të rinjve të asaj kohe ia ndalonte vegimin e qartë të botës së brendshme e të jashtme ngujimi në rreth krahinor. Nuk ishte faji i tyre. Të gjithe ne, më mirë njihnim qytetet e Europës sesa ato të Shqipërisë. Prej mosnjohjes së natyrës dhe prirjeve të njërës palë prej palës tjetër rridhnin dhe mosmarrveshjet e shpesh dasitë e paarsyeshme në bashkësinë shqiptare.

blankI rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t'u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerë si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit ia kishte dëgjuar zërin.

Kurrë, në bisedat e shpeshta me mua, Marku nuk mbivlerësonte prejardhjen e tij nga një Derë eprore - Dera e Kanunit të Lekë Dukagjinit - si e njohur gjithkund dhe e nderuar sidomos ne Gegni. Mua më është dukur se kjo prejardhje disi e shqetesonte, ndoshta kishte frikë se nuk do të mundej të tregonte në lartēsinë e duhur kur t'i vinte rradha e prijes si trashëgimtar i Kapedanëve të Mirditës. Shihej qartas se ndjenjën e detyrës si prijes e kishte të rrënjosur thellë në shpirt. Ajo ndjenjë nuk ishte për të shkak i zbrazët krenarie, por shtysë për t'u lartësuar në vepra të mbara për fis.

I paharrueshmi eksponent politik i nacionalizmit shqiptar, Ali Këlcyra, disa herë m'i ka përsëritur fjalët që Marku i tha në Prefekturën e Shkodrës në takimin e fundit që pati me të. Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t'i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: "Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe ta vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t'ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që ta përcjellë. Sa për vete, mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t'i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta. Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë".

Këto fjalë m'i tha Ali Klissura e ia ka thënë edhe të tjerëve.

Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t'u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, Ai dha provën e gjalle se s'ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën.

U vra në një pyll të Perlatit më 14 qershor 1946. Sivjet mbushen 25 vjet të vrasjes së tij. Pranë Markut vdiq Nikollë Perpjetri, një djalosh 17 vjeçarë. Ky duke rënë pikë gjallë bri Prijësit, i cili vërtetoi duke vdekur meritimin për të ushtruar të drejtën e udhëheqjes dëshmoi vërtetimin e besnikërisë, të një besnikërie vullnetarisht të pranuar që nuk i shmanget rrezikut të vdekjes por shugurohet me gjak të derdhur. Edhe kjo është dëshmi e gjallë e traditës shqiptare.

E në qoftë se këto flijime jete nuk njihen si shkëlqim lavdie shqiptare, nuk di ku duhet ta varim krenarinë e kombit tonë.

Shqiptarëve u shkon për piri trimëria. Për shumë kohë, sidomos në motet më të errëta historike, ajo ishte produkti më i njohur i vendit tonë, s'ka vis e trevë jo vetëm në Ballkan por edhe pëtej, që nuk çuditi njerëzinë mënyra sesi shqiptari e bënte vdekjen si me lindë. Mjerisht shpesh bijtë e shqipes shkrinë jetën për gjëra krejt pa rëndësi, nxitë nga sedra me ia kaluar shokut në mundshin. Energji e humbur kot.

Por ka dhe raste të shumta ku shqiptari e bëri të shkëlqejë trimërinë tonë gojëdhanore me mend e me vend.

Historia e kombeve të mëdhaja e të vogla që kanë një histori, zhvillohet nëpër rrugë shënjuar me murana të përgjakura trimash. Jeta kombëtare njihet e përtërihet në gjak fatosash. Gjaku i derdhur për një ide fisnike nuk thahet por njomë qindra vjet në qind vjet traditat jetësore të kombit.

Mark Gjomarkaj ra në moshën 33 vjeçare theror i traditave më fisnike të rodit shqiptar. Ai, duke u flijuar për liri, për atë liri që viset e tij kurrë nuk e humbën as në errësirën e sundimeve më mizore të huaja vërtetoi se me ç'brumë ngjeshen shqiptarët që e kanë ruajtur në vete të paprekur vulën e fisit arbëror.

Sundime e regjime të ndryshme kaluan mbi shpinën e popullit shqiptar. Traditat mbajtën të paprekur fizionominë e kombit. Nëpër stuhitë shekullore, mbi shtigjet e nje historie fatkeqe, besimi në fisnikërinë njerëzore të trashëgimit stërgjyshor na shpëtoi nga kobi për të ndërruar emër e veti e na mbajti me një fizionomi tonën në rradhën e kombeve të botës. Si ishim jemi e kemi për të qenë.blank

Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut dhe i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, një vit më mbrapa, në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kënd nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon më fort lirinë e vlerat gojëdhanore të jetës. Vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbëror.

Ai tharm ka për t'ia shpërblyer kombit në të ardhmen vargun e vuajtjeve të djeshme dhe të sotshme duke lulëzuar në bashkëjetesë vëllazërore të shqiptarëve, rreth Votrës së Nanës Shqipëri ku do të ndriçojë rishtas e ndezur flaka e zakoneve nëpër të cilat e ndjejmë veten të pajisur me dy gisht nder nē ballë në rradhën e kombeve të botës.

Ernest Koliqi

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here