Shkodër, qershor 1990/ Vrasja në kufi që u kthye në protestë

0
373
blank

Trupi i pajetë i 17-vjeçarit shkodran përshkoi qytetin duke shkaktuar zemëratën e popullit kundër regjimit komunist që po vriste edhe fëmijë

“Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Partia”, “Ata na vrasin djemtë tanë”, “Duam Liri, Demokraci”, ishin parullat me të cilat populli i Shkodrës përcolli për në banesën e fundit 17-vjeçarin e vrarë në kufi, Pëllumb Pëllumbi. Ishte qershor në vitin 1990, kur dy djem të mitur kishin vendosur të arratiseshin drejt vijës kufitare të Hanit të Hotit. Të dy djemtë e mitur, Marjan Zef  Ndoja dhe Pëllumb Nikoll Pëllumbi të datëlindjes 1973, ishin nga qyteti i Shkodrës. Ata ishin nisur bashkë me shpresën se do të mund të kalonin kufirin e diktaturës në kërkim të lirisë. Por nuk kishte qenë e thënë për ta sepse rojet kufitare i kapën dhe njërin prej tyre e ekzekutuan. Kur familjes iu dorëzua kufoma e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, panë edhe  dhunën që forcat e hetuesisë së Shkodrës kishin ushtruar mbi viktimën.

Këtë 16 qershor u mbushën 31 vjet prej asaj dite, por askush nuk është përgjigjur për jetën e humbur dhunshëm të këtij të mituri e qindra të tjerëve që u vranë në kufi kryesisht gjatë vitit 1990. Më poshtë publikohet edhe raporti i hetuesisë lidhur me ngjarjen.

Raporti i Hetuesisë

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Hetuesia e Përgjithshme

Tiranë, më 18.06.1990

Lënda: Për Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra që u vra në tentativë për të kaluar kufirin.

Ministrit të Punëve të Brendshme

Shokut Simon Stefani, Tiranë

"Më datën 14.06.1990 kanë tentuar për të kaluar kufirin në Pikën Kufitare Hot në Shkodër, Marjan Zef  Ndoja, i dt. 1973 dhe Pëllumb Nikoll Pëllumbi i dt. 1973, të dy banues në Shkodër. Hetuesia e rrethit filloi çështjen penale për kalim të paligjshëm të kufirit. Në fshatin Hot ... rreth orës 23.00 i ... afrohen pengesës elektrosinjalizuese. Këtu gërmojnë dheun për të hapur një gropë nga ku do të bënin kalimin. Në moment ata kanë parë njësitin kufitar dhe janë fshehur. Njësiti duke kaluar afër vendit ka konstatuar gropën që po bënin dy personat e sipërpërmendur dhe menjëherë kanë dhënë alarm. Duke dashur të shikojnë më mirë ushtarët se ku ndodheshin, Pëllumb Pëllumbi ngrihet pak nga vendi ku ishte fshehur por rrëshqet dhe bie në një kanal ujitës ku e merr rreth 10 m rrjedha e ujit. Në kohën që kapet anës kanalit për të dalë, atje ndodhej njeri prej ushtarëve të postës që ishte vënë në kërkim i cili qëlloi në drejtim të Pëllumbit duke e vrarë në vend. Brenda orës u kap i gjallë edhe Marjan Ndoja i cili është i arrestuar. Pasi u bënë veprimet hetimore, kufoma iu dha familjes. Gjatë ceremonisë së varrimit, kufoma është mbajtur gjatë gjithë rrugës në krah, duke mos u vënë në makinën e varrimit. Gjatë rrugës nga një grup prej 40-50 vetash janë hedhur shprehje si, “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Partia”, “Ata na vrasin djemtë tanë”, “Duam Liri, Demokraci” etj.. Hetuesia kreu veprimet hetimore dhe vërtetohet fajësia e tyre".

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here