Shënkolli i përgjakur në Shkodër

0
1196
blank

5 dhjetor 1946 - Si u vranë nga komunistët Marie Zojzi dhe bashkëshorti i saj, Pjetër Deda. Si u bë festa vaj për nënë Pinën, që nuk e lanë as ta shihte të vdekur vajzën e saj Marie

5 dhjetor 1946. Nëpër rrugicat e qytetit të Shkodrës feksin dritat e festës. Është nata e Shën’ Kollit. Festa kremtohet në të gjithë qytetin. Por ky Shënkoll nuk është si më parë, sepse nëpër sofrat shkodrane mungojnë shumë djem e vajza, burra e gra. Janë arrestuar nga komunistët, në sulmet e frikshme të organizuara nga gjakatari Mehmet Shehu dhe skuadrat tij të pushkatimit. Shumë djem e burra shkodranë janë vrarë ndërkohë nga komunistët. Qindra të rinj shkodranë dergjen nëpër burgjet komunistë të ngritura ato kohë, posaçërisht në qytet për të zhdukur ajkën e Shkodrës, atë pjesë që nuk e donte sistemin gjakatar komunist.

Ndaj, qindra familje shkodrane nuk ishin në festë natën e 5 dhjetorit 1946. Një prej këtyre familjeve ishte edhe ajo e Shtefën Zojzit.

Pina Zoisi, e shoqja e Shtjefën Zojzit, qëndron e vetmuar në sofrën e saj të shtruar e ku s'ka kush të afrohet. I biri, Rrok Zojzi është arrestuar e po vuan nëpër birucat e torturave të sigurimit të shtetit. Zemra i qan për birin e saj, por nëna Pinë s'ka fuqi të bëjë asgjë për të. E bija e Pinës, Marija mungon gjithashtu. Nënë Pina nuk di për kë të vajtojë më parë. Marija është nisur prej muajsh në një betejë të pamundur. Kishte vendosur bashkë me të shoqin, të luftojnë me armë komunistët që i kishin arrestuar të vëllanë, Rrokun dhe kishin pushkatuar kushëririn e saj, Ludovik Zojzit, arkitekti i shquar shkodran. Marija ishte 30 vjeç kur u vesh si burrë, u armatos dhe doli në mal, bashkë me të shoqin, Dedën, për të luftuar komunistët. Bashkëshorti i saj ishte Pjetër Dedëjakupi. Marija zgjodhi këtë rrugë, e mbushur me urrejtje për krimet që komunizmi po bënte mbi njerëzit e saj më të dashur të familjes. Bashkëshorti e ndoqi pa asnjë dilemë nga pas në këtë betejë, fundi i së cilës do të ishte tragjik.

Ishtë ora 4 e mëngjesit të datës 6 dhjetor, dita e Shënkollit. Kriminelët komunistë Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil  Kapisyzi e Zenel  Cani me “shokët e Ndjekjes”, kishin rënë më herët në gjurmët e Marijes dhe bashkëshortit të saj. Në të dalur të dritës, në luginën e përroit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, Maria sapo dilte nga çadra ku ishte strehuar bashkë me Pjetrin, bashkëshortin e saj. Papritur, Marija dëgjoi një zë të tmerrshëm: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!”... Por ajo u përgjigj menjeherë me zjarr, sepse e kishte të qartë se komunistët do ta vrisnin gjithsesi: “Për së gjalli kurrë nuk dorëzohem, mor qena....!”, nxori armën nga brezi... Por ndërkohë, grykët e automatikëve të xhelatëve komunistë lëshuan zjarr nga të katër anët dhe Marija u rrëzua përdhé... Marija mbeti aty, ndërsa Pjetri u arrestua nga komusnitët për t'u toruturuar, maskrauar e pastaj për t'u vrarë në zallin e Kirit, atje ku dergjen eshtrat e shumë martirëve.

Marija u varrus aty ku u vra. Fshatarët e Meshkallës e mbajtën atje për 45 vjet, në një vend të fshehtë atje në mal, poshtë disa shkurreve, ku gjendej një rasë e vogël me mbishkrimin: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”.

Pas rrëzimit të sistemit komunist, banorët e fshatit Meshkallë e të tjera fshatra të krahinave e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përrreth, e përcollën Marijen për në varrezat e Rrëmajit.

Të dhënat për ngjarjen janë marrë nga Radio Shkodra, dhjetor 1992. Autori është Fritz Radovani.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here