Kam përjetue të tri diktaturat (Fashizmin, Nazizmin, Komunizmin) dhe me humbje të mëdha: Babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë nga komunistët… Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jaratisë me rrezikun e jetës… Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder, më jep emnin shqiptar”!
Intervistë dhënë Kryeredaktorit të Gazetës ”DIELLI” në Nju Jork, Dalip GRECA
Profesor Sami Repishti u lind në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit, në lagjen Dudas në Shkodër, më 6 prill 1925. I ati ishte figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar. Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën “Oso Kuka” dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës, ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste.
Më 1942, mbaron maturën. Merr pjesë në një konkurs në Tiranë, për studime të larta jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, mësoi se e kishte fituar bursën nga Ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences.
Me mbërritjen në atdhe, më 1943, shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij. Prej se strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin dhe e torturojnë duke vdekur prej hemorragjisë, më dt. 29 shtator 1943. Samiu duke qenë i pari i shtëpisë, detyrohet t’i sigurojë bukën familjes.
Punon në sektorin e rindërtimit, me të hyrë në pushtet regjimi i ri. Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike, shpërndan trakte dhe i dorëzon një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve. Në maj të 1946, mori pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur e arrestojnë forcat e Sigurimit në vendin e punës, me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Për 14 muaj, iu nënshtrua hetimeve intensive, ku takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie. Në burg do të shoqërohej me P. Çiprian Nikën dhe vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947, dërgohet në Burgun e Madh dhe më tej, në kampin e Vloçishtit, në Beden të Kavajës, më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.
Mbas daljes nga burgu më 1956, punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të qendrës zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë, si ndihmës karpentier deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet; lirohet nga izolimi në prill 1961 dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.
Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina–s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të “Vatrës“, ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. Fitoi qytetarinë (citizenship) amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës, në City University of New York (1977). Për 25 vjet me radhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e çliruar, e realizoi në prillin e 2000 (kjo është biografia zyrtare).
Për më shumë ndiqni intervistën:
Dalip Greca: Si ndjeheni me shëndet Profesor Repishti?
Sami Repishti: Ndjehem mirë; tue marrë parasyshë moshën e avancueme, shumë mirë.
PYETJE: Për kureshtjen time dhe të lexuesve të lexuesve: Si është e organizuar një ditë e zakonshme juaja në këte moshë? Si e filloni në mëngjez dhe si vijon dita?
S.REPISHTI: Që nga dita e pensionimit, dita e ime ashtë mjaft monotone.Lexoj nga çdo lami, kryesisht histori e letërsi botënore, dhe pa dyshim fletoret e vendit, sidomos The New York Times, të përjavëshmen The New Yorker, dy organe mjaft serioze dhe informative të dorës së parë. Revistat Foreign Affairs dhe Le Monde Diplomatique janë busulla e ime politike. Krahas me këto lexime, unë ndjek shtypin shqiptar të Shqipërisë (ma pak të Kosovës dhe Maqedonisë për arsye teknike). Natyrisht, dy gazetat tona këtu Dielli dhe Illyria, jane mjaft cilësore dhe plotësojnë nji nevojë të madhe për mergatën tonë. Ndiej nji nevojë të fortë shpirtnore me mbajtë kontakt me vendin tim të lindjes, si dhe me botën ku jetoj. Kur paraqitet rasti me thanë dy fjalë, atëherë shkruej ashtu si mendoj për zhvillimet që ma të shumtën më dëshprojnë…dhe kjo ashtë e shpeshtë.
PYETJE: Dhe jeni plot energji!
REPISHTI: Mos u çuditni: ky 93 vjeçar shkon në palestër 4-5 herë në javë për ushtrime gjimnastikore.Me ndihmojnë shumë.
PYETJE: Ju ende jeni i vemendshëm ndaj ngjarjeve, veçanërisht atyre në trojet shqiptare, dhe vazhdoni të përcillni kritika, ide, mesazhe. A ndjeheni i lodhur dhe i trishtuar pse këshillat e mesazhet bien në vesh të shurdhër, pasi klasa politike vazhdon t’ia cenojë imazhin Shqipërisë?
S. REPISHTI: Jo! Seriozisht jo! Sepse mbas 60 viteve në Botën e Lirë, dhe me edukatën arsimore që mora në shkollat dhe institucionet amerikane (dhe franceze) kam fitue aftësinë me lexue, me peshue, dhe me gjykue mendimet e të tjerëve me gjakftohtësi dhe sidomos mos me ra në kurthin e megalomanisë dhe përfundimit se mendimi im ashtë i vetmi mendim i drejtë. Edhe në rastin kur jam plotësisht i bindun që kam të drejtë, ka nji përqind mundësi që mund të jemë gabim. Ky dyshim i vogël, nuk më lejon me u ba fanatik. Mentalitet i rrallë në botën shqiptare…..
PYETJE: Ju jeni një dëshmitar aktiv i përjetimit të diktaturave ekstreme, si nazi-fashizmi ashtu edhe komunizmi. Të parat, ju hodhën në barrikadën e idealistëve; tek e dyta, patët fatin e keq të ishit viktimë e dhunës ekstreme. Ish Presidenti bullgar Zhelio Zhelev, tek i krahason këto diktatura, ka nxjerrë përfundimin se fashizmi dhe nazizmi kanë një “të mirë”, se janë afatshkurta krahasuar me komunizmin që jeton gjatë dhe ‘han’ veten. Përfundimi që keni nxjerrë ju nga përjetimi vetiak i këtyre diktaturave, cili është?
S. REPISHTI: Dallimi në mes të tri diktaturave ashtë vetëm nga ngjyra.Të tria kanë nji objektiv: shtypjen e individit,heqjen e lirive personale, dhe forcimin e konformitetit të shoqënisë, ku çdo qytetar ashtë vetëm nji “objekt”që shërben “partinë” dhe asgja ma shumë. Unë kam përjetue të tri diktaturat dhe me humbje të mëdha: babaj ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë. Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës.
Shoqënia shqiptare ka pësue nji degradim të madh gjatë viteve të diktaturave, rrjedhimet e të cilit i ndjejmë edhe sot. Duket sikur nga dhimbja e madhe, shqiptarët janë çveshë nga koncepti i lirisë qytetare dhe i dinjitetit personal. Sot ata jetojnë në botën e konfuzionit politik, ekonomik e shoqënor që ka krijue nji klasë politike të pandërgjegjëshme për fatin e vendit e të qytetarëve, dhe që karakterizohet nga moskokëçarja, korrupsioni, dhanja mbas pasunisë së pistë, dhe drogave e dëfrimeve degraduese e moralisht të dënueshme. Uroj që kjo të jetë nji fazë kalimtare, dhe sa ma e shkurtë. Shqiptarët meritojnë nji qeveri ma të mirë se këto të viteve të fundit. Ata meritojnë të jetojnë të lirë nga frika dhe të lirë nga uria, të jetojnë si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë.
PYETJE: Diku keni shkruar se akti rebel, kur i thatë jo diktaturës, pothuajse ju vrau, por dhe ju çliroi. Në ç’kuptim ju çliroi?
S. REPISHTI: Ky përshkrim ashtë i influencuem nga fryma ekzistencialiste franceze, dhe u shkrue gjatë studimeve të mia. Na, të gjithë na, jetojmë në nji botë ku çdo ditë gjindemi para nji “situate” që kërkon nji “zgjedhje” (le choix, the choice). Kjo ‘zgjedhje’ ka dy mundësi: bahet me ndërgjegje të pastër (la bonne foi) pavarësisht nga konsekuencat që vijnë, por që jep përshtypjen se ju jeni zot i fatit tuej, pavarësisht nga pengesat shoqënore; ose bahet pa bindjen tuej, me “kënaqë” dëshirën ose urdhnin e “tjetrit”(la mauvaise foi) dhe në kundërshtim me bindjen tuej. E para ashtë “vepër në frymën e bindjes personale”, dhe e dyta në frymën e shtypjes dhe detyrimit që vjen nga “tjetri” që mund të jetë nji individ ose nji organ qeveritar ose shoqënor. Ndërsa ‘zgjedhja’ e parë ju ban të lirë pavarësisht nga konsekuencat, e dyta ju ban përgjegjës për aktin tuej të ulët.Ju keni dorëzue lirinë tuej në duert e “tjetrit”. Këtu “tjetri” ashte “anmiku” i juej.
Kur unë refuzova “ofertën”, mora në duert e mia fatin tim, pavarësisht nga konsekuencat… por e ndjeva veten të lirë, sepse kundërshtova forcat që dëshirojshin asgjasimin tim, vdekjen time morale. Edhe sot, përsëri mendoj që veprova ashtu si më diktonte ndërgjegja në atë moment. Këte qendrim e mbajnë vetëm njerëzit e lirë, zotë të fatit të tyne! Pagova çmimin: edhe pesë vjet tjera në burg…. por shijova lirinë e vertetë!
PYETJE: Profesor më ka mbetë në mendje një skenë dramatike tek rrëfimet tueja “Nën hijen e Rozafës”: 20 nentor 1947. Po ju çojnë bashkë me të burgosurit e tjerë nga Sigurimi tek Gjykata e Shkodrës. Turma e irrituar, pa e ditur se ç’farë “krimesh” kishit bërë, shpërtheu në histeri: “Trathëtarë…Plumbin ballit!…Skene tronditëse..”Si e kujtoni ju atë skenë dhe çfarë mendoni për manipulimin e turmave?
S. REPISHTI: Ka qenë nji tragjedi kombëtare! Nji popull i tanë i detyruem me u shnjerëzue deri në atë pikë sa të kërkojë vdekjen e nji qytetari të pafajshëm. Sepse edhe sot mendoj që kam qenë i pafajshëm! Akoma pa ndigjue akuzat, turma pa tru bërtiste “plumbin ballit”! Sepse ashtu ishte udhëzue nga autoriteti shtypës.
Nji përvojë tronditëse: në vitin 1944, u vra nji shok i imi nga gjermanët. Unë shkova për ngushëllime në familje. Nana e viktimës që ishte në sallë gjatë gjykimit tim, kur të tjerët thirreshin “plumbin ballit! ajo ngrihej dhe tue më shikue drejt në sy, përsëriste thirrjen banale. E pabesueshme, për shokun e djalit të vramë….!
Në fillim, u trondita sepse më shkoi në mend akti i ekzekutimit, i vetëm dhe në nji mënyrë barbare. Sapo kisha dalë nga nji hetuesi 14 mujore torturash të egra. Isha i ri, 21 vjeçar, nuk e kisha shijue jetën dhe po vdisshe në nji mënyrë tmerruese. Pak nga pak, fillova të ndërgjegjsohem për gjendjen, dhe fillova të kemë mëshirë për këto masa të paedukueme, dhe të indoktrinueme me urrejtë; vetëm me urrejtë me urdhën nga nalt. Nuk di sa koshient ishin ata që bërtisnin, por në fëtyrën e tyne unë shihshe nji përkrahës të krimit dhe të kriminelit dhe kjo më errësonte sytë…dhe gjykimin e këtyne “viktimave” të propagandës çmendëse komuniste, dhe të frymës së terrorit që ajo shpërndante. Në këto momente, shihej ma mirë se kudo, dhe kurdo, shtazëria e diktaturës, në këte rast diktaturës së proletariatit, dhe çnjerëzimi i plotë i turmave të gënjyeme.Shumë e vështirë me dëshmue dhe me u gjykue me gjakftohtësi….!
PYETJE: Në skutat e qelive dhe torturat e hetuesisë, në kampet e tmerrshme të punës dhe në qelitë e burgjeve, ju ratë në kontakt me xhelatin që torturon dhe me viktimën që torturohet. Cili është vlerësimi i juaj për shpirtrat njerëzorë të të dy kategorive?
S. REPISHTI: Në fakt, ashtë përleshja në mes të dy botëve diametralisht të kundërta. Ashtë vdekja kunder jetës, dhe përfundimi ashtë fitorja e njenës dhe humbja e tjetrës. Për fat të keq, vdekja doli fituese shpesh herë në vendin tonë komunist, dhe kjo përshtypje pothuejse e përgjithëshme ka karakterizue atmosferën shoqënore në vend. Vdekje nga çdo mënyrë dhe në çdo vend e në çdo kohë….ose frika e vdekjes që rrin mbi kokët e qytetarëve ditë e natë….Nji mbijetesë e vështirë dhe me rezultate që nuk përmirësohen edhe kur prezenca e vdekjes ndjehet ma pak…nji fenomen që dëshmojmë sot në Shqipërinë tonë martire….
Sot, unë mendoj se dola fitues dy herë: e para, refuzova me urrejtë xhelatin që më merrte shpirtin në torturë; dhe e dyta, dashunova pa kufi viktimën që priste vdekjen çdo orë. Nji pozicionim i këtill me shpëtoi dinjitetin.
PYETJE: Çfarë ka mbetë në kujtesën tuaj nga bashkëvuajtësit e qelive?
S. REPISHTI: Këtu qendron bërthama e rezistencës kundër së keqes së madhe komuniste: qendrimi heroik i “kolegëve” që vuejshin në qeli, pa faj, pa arsye, pa kuptue se ç’ndodhëte rreth tyne…Disa prej tyne përfundojshin para skuadrave të ekzekutimit pa njoftim deri në ditën e fundit…ose në dhomat e torturës ku fshihet bisha që na mbajmë mbrenda vetes e që çfaqet në raste të këtilla. Rezistenca e “bashkëvuejtësve” ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë. Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare….
PYETJE: Ju mbeteni nji ikonë shqiptaro-amerikane, luftar aktiv i “të drejtave të njeriut”. Si, kur, dhe në cfarë rrethanash nisi “beteja” juaj për mbrojtjen e të “Drejtave të Njeriut”?
S. REPISHTI: Betimi im i mbrendshem mos me “u shnjerëzue” mos me trathëtue veten dhe shokët, u krijue shpejt mbas arrestimit dhe mbas torturës së ditëve të para që më shkatërruen në fillim, dhe më ngriten ma vonë në piedestalin e rezistencës kambëngulëse. Mbrojtja e “të drejtave të njeriut” akoma e pa formulueme zyrtarisht, dhe e pa kuptueme mirë, lindi nga nevoja urgjente, primordiale, mos me lejue të tjerët të kalojshin nepër provët e mia dhe të torturoheshin ashtu si unë e të tjerë si unë, kudo qoftë në botë dhe kurdo qoftë në kohë. Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër. Përsa kohë që ka burra, gra, fëmijë të pafajshëm që vuejnë për çdo arsye qoftë dhe në çfarë do mënyre qoftë, duhet të jetë detyra e çdonjenit nga ne me luftue këte të keqe pa kompromis. Çdo spjegim, çdo justifikim me i ikë kësaj detyre të shenjtë nuk ka vlerë. Çdo gja tjetër ashtë e dorës së dytë. Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi ashtë në krye të listës së detyrimeve tona në jetë.Nji parim themelor i këtill na frymëzoi edhe në burgje e kampe pune të detyrueshme,dhe krijoi nji lëvizje solidariteti me ata që vuejshin ma shumë se na: me ndihmue, me përballue së bashku, me qetësue shpirtrat e trazuem, me ngushëllue ata që nuk ngushëlloheshin, e kështu me rradhë… !
Kam ardhë në përfundimin se me prue buzëqeshjen në fëtyrën e nji njeriu që vuen ashtë suksesi i madh në jetë; dhe, me thye zemrën e nji qenie të pafajshme ashtë dështimi i plotë në jetë!
PYETJE: Duke e kthyer veshtrimin pas, a mund të sillni copëza historie nga kjo betejë e gjatë, që nisi në 1965 në Kongresin Amerikan, Departmentin e Shtetit etj…?
S. REPISHTI: Nji rrëfim! Kur zbrita në aeroportin e New York-ut, prill 1962, akti i parë ka qenë gjunjëzimi dhe puthja e truellit amerikan. Kjo natyrisht sepse kuptova që nuk jam përsëri në rrezik me u kthye mbrapa, ose me u vra në nji skutë të errët të kampeve famëkeq të refugjatëve ku mbretnonte kaosi i vertetë. Po edhe ma shumë: e konceptueme si vendi i lirisë dhe demokracisë, SHBA paraqiste për mue, për ne të gjithë,, rastin ma të shkelqyeshëm me ndihmue shokët e vuejtjeve në Shqipëri, dhe kudo që ata ishin në të gjithë botën, tue popullarizue gjendjen e tyne të vështirë dhe pa rrugëdalje, vuejtjet e tyne dhe shpresët e tyne.
“Errësinë në mes të ditës” (Arthur Koestler) ashtë titulli i nji romani që më ka tronditë me tregimet e tia, dhe që unë dëshiroj me përkthye. Vuejtjet janë smundje që kanë dërmue miljona në gulage, burgje e kampe tjera internimi ku kishin kalue vite të gjata.
Në SHBA, bota ishte teatri i akteve të mia, dhe të persektuemët ishin aktorët me të cilët unë luejshe dramën time në favor të të gjithë atyne që nuk kishin za me folë, as pendë me shkrue, as mundësi me tregue në çfarëdo mënyrë qoftë botën e errësinës ku ata akoma jetojshin, familjarët e mi, e kujtimi i të cilëve më prishte gjumin e natës çdo ditë që kalonte pa lajm… Janë akoma gjallë, apo kanë vdekë?
Për arsye të frikës nga persekutimi i matejshëm i familjarëve, unë u kufizova publikisht mbrojtjes së të drejtave të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavinë, dhe Çamërinë. Gjatë nji qendrimi të shkurtë në atë vend anmiqsor, dëshmova vuejtjet edhe trajtimin shnjerëzor të bashkatdhetarëve të mi shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës…. asajë që shpesh i referohemi si “Shqipëria Lindore”.I mblodha këto kujtime, i ruejta si nji dhuratë e shtrenjtë, dhe kur u paraqit rasti, i tregova botënisht, tue informue publikun ndërkombëtar për këte dhunë të pameritueme, dhe nevojën me e ndalue.
Dëshminë e parë e kam ba në Kongresin amerikan në prill 1965. Mbas kësaj paraqitje, dëshmitë e mia në Kongresin amerikan, e ma vonë edhe në Shtëpinë e Bardhë, dhe në Departmentin e Shtetit, me gojë e me shkrim, kanë qenë të shpeshta dhe kanë pasë nji jehonë pozitive.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.