Letra e dëshpëruar nga ferri i diktaturës drejtuar nënës së saj italiane Axhela Kuarta. Elena Gjika, bija e publicistit të famshëm shqiptar Sotir Gjika që kaloi gjithë jetën kampeve të internimit
Elena Gjika Merlika, ishte bija e gazetarit të famshëm shqiptar Sotir Gjika. U lind dhe u rrit në Itali. Atje u diplomua, në Universitetin e Napolit për histori. Tema e saj e diplomës u botua nga Akademia Italiane e Shkencave dhe menjëherë u pikas nga albanologu me famë botërore, prof. Gaetano Petrotta i cili u përpoq shumë ta mbante asistente në katedër. Por Elena nuk mund të qëndronte sepse ajo ishte dashuruar me një shqiptar dhe do kurorëzohej në martesë në korrik të vitit 1942. Elena e lidhi fatin e saj me Petrit Merlikën, një inxhinier i diplomuar në Universitetin e Grenoblit në Francë. Petriti ishte i biri i kryeministrit të kohës, Mustafa Merlika i cili e kishte mik të ngushtë Sotir Gjikën. Dy të rinjtë u kthyen me shumë dëshirë dhe pasion për të ndërtuar të ardhmen e tyre në atdhe.
Do të ishin të bukura dy vitet e para në Shqipëri kur dhe lindi biri i tyre Eugjeni. Por me ardhjen e diktaturës, gjithçka do të kthehej përmbys. Mustafa Merlika do të largohej nga Shqipëria dhe do t'u kërkonte edhe djemve të tij dhe familjarëve të tjerë të largoheshin. Petriti me Eelenën qëndruan në Shqipëri sepse besuan se si profesionstë do të respektoheshin për çfarë kishin studiuar e po kontribuonin në vendin e tyre. Në vitin 1946 do të vinte goditja e madhe, arrestimi i Petritit i cili në atë kohë ishte punonjës në Ministrinë e Jashtme. Do të arrestohej edhe djali tjetër i Mustafa Merlikës, Fatosi.
Elena mbeti e vetme me të birin e mitur, Eugjenin, ndërkohë që regjimi i nxori nga banesa e saj në Tiranë dhe e zhvendosën në Shijak në një kasolle. Pak muaj më pas e transferuan në Krujë në një bodrum në qelitë e Degës së Brendshme.
Në këtë situatë të trishtë, ajo vazhdonte korrespondencën përmes letrave me nënën e saj italiane Axhela Kuarta, e cila i përkiste një familjeje të njohur aristokrate në Leçe, familja e juristit të njohur Oronco Kuarta, në atë kohë Kryetar i Gjykatës së Lartë të Italisë.
Elena ishte rritur jetime sepse i ati Sotir Gjika kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë qysh kur Elena ishte e mitur.
Një prej letrave që Elena i dërgonte së ëmës, Anxhelës, mban datën 9 prill 1948 ku Elena i shkruan:
“Nëna ime e adhuruar. Në këtë çast mora dy letrat e tua të datave 20 e 22 të muajit të shkuar; mos u merakos nëse ndonjë herë shkruaj zi, nuk mund t’ia fal vetes, sidomos kur mendoj se të shkaktoj dhimbje shumë, nganjëherë dëshpërohesh e nuk është mirë, jam e marrë e mjaft, mbyllet incidenti. Xhaxhait i lutem të më falë turbullimin tim; duke menduar për të i kam premtuar vetes se do të jem gjithmonë e fortë dhe buzëqeshur, derisa të mundem ta përqafoj sërish e të shihemi sy në sy, sepse fjalë është e vështirë se do të jemi në gjendje të shqiptojmë”.
Në gusht të atij viti, Elena i dërgon një tjetër letër nënës së saj ku shfaqet edhe shqetësimi për përgjigjet e munguara nga e ëma. Çdo letër kontrollohej nga regjimi dhe mesa duket përgjigjet e së ëmës së Elenës, i kishte mbajtur dega e brendshme. Elena i dërgon përsëri letër nënës ku i tregon se kishte shkuar në Vlorë te xhaxhai i Petritit, Asllan Merlika i cili ishte vëllai i vogël i Mustafa Merlikës. Asllani kishte bashkëshorte gjithashtu një italiane që quhej Giovannina Cezari, por që i thërrisnin shkurt Xhana. Në letrën e Elenës shprehet shqetësimi për përgjigjet e munguara dhe trishtimi i thellë që ajo po kalonte me bashkëshortin në burg dhe shumicën e të afërmve të tjerë gjithashtu të burgosur.
Letra
“Nënokja ime e adhuruar. Ka dy javë që gjendem këtu në Vlorë së bashku me Poçin; kemi ardhur këtu të kalojmë një muaj me Asllanin dhe Xhanën, për të ndryshuar pak jetën tonë të Krujës… Sa e trishtuar është heshtja e zgjatur nga ana e juaj, tepër, pambarimisht e trishtuar. Letrat tuaja janë gëzimi ynë, oksigjeni ynë material e moral; dashtë Zoti që të rifillojnë përsëri! Dje kam mbushur 28 vjet, nënokja ime, por u kujtova vetëm sot duke vënë datën në fillim të letrës: si kalojnë vitet e un nuk mundem të të shoh, të të shtrëngoj në zemër, të jetoj me ty dhe me Poçin një çast lumturie! Durim!
Do të jemi të fortë deri në ditën e bekuar të bashkimit tonë. Asllani e Xhana të përshëndesin shumë: më mbulojnë mua dhe Poçin me një botë dashurie e kujdesi dhe Poçi është i lumtur me dy vëllaçkot në det, në shtëpi e kudo. Me detin është mësuar shumë mirë, veç ta shohësh, si një peshk”.
Do të shkruante sërish një vit më vonë, nga Kruja ku i kërkontë së ëmës që të mund të interesohej për përfaqësinë italiane që do të vinte në Shqipëri e aty mund të sistemohej në një vend pune.
“Kam lexuar se shpejt do të jetë një përfaqësi e juaja këtu, a e kuptove? Mendoj se mund të gjej një vend pune me ta, çfarë thoni ju? Nëse e shihni t’arsyeshme, nëse keni mundësi, duhet t’interesoheni aty; nuk e di nëse është një ide e mirë, gjykojeni ju e përgjigjmuni…”.
Por shpresa nuk do të vazhdonte as disa ditë sepse regjimi do të merrte vendimin për ta internuar në kampin e Tepelenës, më të tmerrshmin kamp internimi ku vuajtën në mënyrë çnjerëzore gra e fëmijë e ku humbën jetën qindra prej tyre. Kalvari i Elenës do të vazhdonte për 45 vite në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë nga Tepelena, Vlora, Lushnja, në Gradisht, Pluk, Savër e në fund në Grabian, të Lushnjes. Në vitin 1991 Elena do të kthehej në Itali, por shumë vonë sepse atje nuk do t'i gjente më njerëzit e saj të dashur. Atje mungonte nëna Anxhela.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.