Rrëfimi i një fëmije nga "vendi më i lumtur në botë"

0
163
blank

Jeta në internim e fëmijëve të “armiqve”.  Kristina Gjomarkaj ka treguar kujtimet e atyre viteve.

 

Isha 12 vjeçe kur na dërguan në lagjen Prru të Beratit. Nëna eme ishte e sëmurë, i filloi paraliza. Polici ruante në errësirë, për ta vërtetuar a ishte e paralizuar nëna (mendonin se nuk ishte e vërtetë!).

Për arsye se nëna u paralizue, më morën mua, 12 vjeçe, më hoqën nga shkolla, më detyruan me punue, me normë. Më larguen nga familja, më çuen me punue në Kuçovë, me gra të hueja. Në një dhomë banonin njëzet gra, ato ishin dibrane dhe mirditore.

Policët që na ruanin natën qeshnin, qeshnin ose ma mirë zgërdhiheshin. Gratë e shkreta kishin shumë të nxehtë në dhomë (ishin në stinën e verës), ishte një nxehtësi e padurueshme…Ato vuanin, ndërsa ata (rojet me pushkë) talleshin me vuajtjet e tyre.

Flinim në tokë, dërrasat ishin të vendosuna mbi tokën me lagështirë. Dyshekun që fleja e bëja si thes, mbërtheja veshjet në duar e në kambë, që të mos më hynin bretkosat në trup…

Me drapnin në dorë pritnim misrin…, por preva kambën. Ishte natë, temperatura më shkoi 40 gradë, isha vetëm, nënën nuk e kisha pranë, ishin të gjitha gra që nuk i njihja. Ato më qëndruan mbi kokë, nuk m'u dha asnjë ndihmë mjekësore.

Punoja me karrocë, përgjatë rrugës ajo më derdhej, se isha e vogël...por drejtori dhe kapterrat argëtoheshin me këto skena, ata vetëm zgërdhiheshin me një të mitur.

Ne të internuarat punonim bashkë me të burgosurit në kamp, ne ecnim për tre, mos me e prishë rreshtin. Pandi Anastasi ishte kapiteni i të burgosurve dhe të internuarve... e thirri një nuse të re nga Kavaja, burri i saj kishte kalue kufirin, me një fjalë, ikë nga Shqipnija, ishte 20 vjeçe, quhej Servete. E izoloi Serveten në fushë, nuk linte t'i afrohej asnjë shoqe, i kërkonte normën..., e torturonte... Por ajo nuk u dorëzue. Ato femna që arrinte t'i thyente, që i binin në dorë, u jepte bukë, ndërsa ato që rezistonin i lente me tre ditë pa bukë... Një djalë të ri e rrahu aq shumë, sa ai vdiq. E morën kapterrin në vërejtje tre muaj, por e prune përsëri drejtor kampi...

Kur u ktheva nga puna, mbas disa javësh, nuk e njoha gjyshen e dashur, ajo ishte dobësue aq shumë, nuk kishte mbetur as gjysa e saj...Ajo shifte vuajtjet tona, të vegjëlit që ishin të detyruem të punonin, uria që na shoqnonte në çdo moment, dy djemtë iu vranë në rezistencën antikomuniste, Martën, hallën teme e kishin arrestue, po ashtu dhe hallën tjetër Bardhën, axhën e dashun Dedën, e kishin burgosun... kudo dhimbje e mjerim.

Në Berat, më mbajtën katër vjet. Na fusnin me punue në nxjerrjen e të vdekurve nga vorret...Në Tepelenë më vunë me punue në bartjen e druve. Isha e vogël, e parritun, ngarkesa e druve për mue ishte e randë, gjatë ecjes drutë takonin tokën. Rojet edhe me këtë skenë qeshnin, talleshin, zgërdhiheshin.

Ne, vajzat e reja na fusnin me punue në transportimin e plehut të njomë. Kishte raste që na nisnin për rrugë në orën 12 të natës. Zakonisht niseshim herët në mëngjes, duhej të banim m3 të druve. I ngjiteshim malit të Gjolikut, ngarkonim në shpinë drutë dhe zbritnim malin të ngarkueme, i vendosnim drutë në fushë, duhej të banim m3 (kjo punë ishte gjatë stinës së verës).

Më kishin lanë pa shkollë në Berat, në moshën 16 vjeçare, kur ishim të internueme në Elbasan, më dërguen në shkollë. Me vinte turp, isha ma e madhja në klasë.

Kam punue në Vidhas në hekurudhë, na venin me punue natën. Të burgosunit punonin ditën, ne të internuarit natën.

Kam marrë pjesë në mbjellje ullinjsh, në bamje tullash, në ndërtimin e burgut të Vlorës.

Fotografia e vetme

Ishim në Kamëz në Tiranë, ku punonim tjegulla në fabrikë... Morëm vesht se në kryeqytet jepej filmi "Skënderbeu"... Kishte ardhur një ditë një djalë shkodran, shofer me pa të afërmit e vet. Sapo u err, na dolëm fshehtas nga kampi, na mori shoferi me makinën e tij, e pamë filmin, u kënaqëm..., në këtë kohë hyna në studio dhe bana një fotografi, por... kur u kthyem ishte dhanë alarmi në kamp..., atëherë ne u zvarritëm dhe kena hy barkas nën telat me gjemba... Na udhëhoqi Valentin Previzi, njeriu që kishte mbaru akademinë ushtarake në Itali. Në sajë të udhëzimeve të tija mundëm me hy brenda territorit të kampit, ndërsa burrat që i kapën, i rrahën.

Vazhdoi internimi me dhjetëra vjet, u rrita, tashti punoja në fushat e Myzeqesë si në Savër, Gjazë, në punim toke, prashitje, vjelje pambuku, punë në diell e në shi, në të ftohtë apo në nxehtësinë e diellit në verë, me dy herë apel në ditë.

Kur ishte e vogël 12 vjeçe në Vlorë

Kisha nevojë për mjekimin e dhëmbëve e më shoqëroi polici, që ishte i pajisur me pushkë dhe më vinte mbas meje... Roja me pushkë... fëmijët e rrugës më shanin tuj bërtitun "Vajza që ka vjedhur". Gjatë gjithë kohës kam qa, gjithkund tue më poshtënue, tue qa u ktheva tek nëna eme, që ishte e paralizume, vetëm ajo me shikimin e saj, me atë dorën që ta vente amelcisht tek koka, ta largonte vuajtjen, stresin që po provonim që në fëmini, por që më ka mbetur në kujtesë:

Jemi në Tepelenë, janë muajt e verës të viteve 1949, 50, 51, 52, na çonin me transportu bar e pleh, kalonim urën e Dragotit, që ishte e lëvizshme, shkonim me marrë bar të thatë, na banin me ba dy, tre rrugë, nuk na lejonin me ndalue për me pi ujë... u thamë për ujë!

Me ne vajzat 16 vjeçare ishte edhe Elena Bega franceze, gruaja e inxhinierit të tharjes së kënetës së Maliqit, që ishte dënuar gjoja për sabotim. Në një moment të lodhjes së madhe, të etjes së pafund, të tharjes, jo vetëm të gojës, por të gjithë trupit, më lindi mendimi të hidhem nga ura e Dragotit në ujë..., me këtë veprim doja të dënoja dhe policin e keq që na torturonte, që nuk na lejonte të pinim ujë... por shoqet e mija, në veçanti Lajde Miraka, nuk pranoi, ajo më tha: "Jam vajzë e vetme, prindërit..."

Isha e vogël, isha shumë e dëshpërueme, doja të mbysja veten njëherit edhe policin... Por edhe ky moment kaloi, shoqet e mia Lajde, Gita Luka, etj., treguan që ishin të reja në moshë, por të rrituna para kohe në mendime...

Këtë veprim e mori vesht Lekë Previzi (kushëriri i em), i internuem që ishte me shpirt artisti dhe më tha: -Kristina! Në asnjë mënyrë me e pranu vdekjen, por të rezistojmë..., se do të mbijetojmë, shpreso në të ardhmen, ajo na mban gjallë...

Kur na dërguan në internim në Savër të Lushnjes morëm leje nga polici i qendrës së Savrës, leje për të dalur në qytetin e Lushnjes..., Ecnim rrugës, në çdo çast ktheja kokën prapa, se më dukej se më ndiqte, ai, polici. Në Savër më bahej apeli dy herë në ditë, në mëngjes e në mbramje.

Kaluan vitet, jam në Myzeqe e punorim në kanalin me ujë, ishin motrat Kaloshi (Avidana e Dozia), Veronika Dosti dhe unë. Ishte dhjetor, binte shi. Duke kaluar mbi kolektor Veronika kaloi, ndërsa unë rashë në ujë, isha tuj u mbyt sapo kisha mbushur të 20 vitet e jetës seme..., por më nxori Avidia. Në ato momente që po merrja vedin i tham shoqes -Pse më nxore? Pse s'më le të vdisja? Po të gjitha shoqet e mia, që dhe ato po vuanin si unë, më dhanë zemër dhe motoja jonë ishte: "-Në asnjë mënyrë me pranue vdekjen, të rezistojmë..."

 

Shënim: Marrë me shkurtime nga “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Fatbardha Saraçi Mulleti, ISKK. Në foton kryesore Kristina, motra Çelestina dhe vëllai Gjon Gjomarkaj, marrë nga i njëjti libër.

Kristina Mark Gjomarkajn e internuan familjarisht. Gjon Markagjonin e kishte gjysh. Ishte vajza e Mark Gjomarkut, që u vra më 1947, gjatë rezistencës kundër regjimit komunist.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here