Qani Çollaku, vëllai i Heroit, armiku i Popullit

1
2552
blank

Mësuesi që u recitonte Lasgush Poradecin nxënësve të tij. Rebeli që u shkruante letra udhëheqësve të kohës. Vëllai që i dhimbsej gjaku i të vëllezërve të rënë në luftën që solli në pushtet regjimin diktatorial. Heroi i njohur dhe i panjohur i familjes, qytetit dhe vendit të tij, ku për thuajse 50 vite heronjtë u thirrën armiq

 

Heronjtë japin jetën për idealet. Në familjen e tij, këtë e kishin bërë të dy vëllezërit: Reshiti, i cili ishte vrarë në moshën 27-vjeçare në luftë me pushtuesit dhe vëllai tjetër Muharremi, që kishte mbaruar Pedagogjiken në Elbasan dhe ishte mësues në Gjilan. Ai erdhi, i zuri vendin të vëllait në luftë, por u vra kur ishte 23 vjeç. Prej të njëjtin brumë qe gatuar dhe Qaniu, edhe pse ai nuk njihet si hero sepse në diktaturë, heronjtë e vërtetë quheshin armiq.

Qaniu e dinte mirë çfarë e priste, por nuk mund t’i bindej një force tjetër, veç asaj që mendonte që ishte e drejtë. Nuk mund të linte mënjanë gjatë orëve të letërsisë, Lasgush Poradecin përballë poetëve mediokër, siç bënin antologjitë e botuara pas Çlirimit, nuk mund të zëvendësonte Dostojevskin me shkrimtarët e realizmit socialist, nuk mund të heshtte në mbledhjet e këshillit pedagogjik kur kërkohej që procesi mësimor të përshkohej nga filozofia dhe mendimi politik i ditës.

Ai e ngrinte zërin. Revolta ndaj padrejtësisë ishte më e madhe sesa frika ndaj pasojave, në ndiejnë të tillë heronjtë. Ndoshta fillimisht mund të ndiente edhe një farë paprekshmërie ngaqë ishte vëllai i Heroit të Popullit, Reshit Çollakut, por edhe kur shenjat e ndjekjes dhe kërcënimi u bë i qartë, ai nuk ndryshoi sjellje. Dhe si përfundim, u dënua për agjitacion dhe propagandë. Kështu, Isuf Çollaku, plaku i nderuar i gjithë krahinës së Mokrës, kishte një djalë Hero Populli dhe një tjetër armik partie.

Karakterin heroik të Qaniut e ndërtojnë sot, vite pas ndarjes së tij nga jeta, dëshmitë e njerëzve që kanë qenë pranë tij, në kohë e rrethana të ndryshme dhe që rrahin në të njëjtin drejtim, atë të një personaliteti të pazakontë, të një eruditi, të një rebeli të papërkulur.

“Në kujtesën time Mokra bashkëshoqërohet gjithmonë me figurën e një të riu që guxoi t’ia përplaste diktaturës gjithë urrejtjen e tij prej qytetari dhe njeriu të ndershëm. Ky qe Qani Çollaku, vëllai i heroit Reshit Çollaku nga babai”, shkruan për të Naum Prifti, i cili kishte dëgjuar për Qaniun që para se ta njihte, bashkë me pseudonimin e tij “Çallëku”, pra “I krisuri”, për guximin që kishte qysh student për të shfaqur mendimet e tij kundër sistemit. “Shpirti i tij u mbush me mëri ndaj sistemit politik që sundonte në Shqipëri... Ai pa se idealet e luftës u tradhëtuan, gjaku i dëshmorëve shkoi kot, prandaj pyeste veten dhe të tjerët, nëse ata do ta kishin dhënë jetën sikur ta dinin çfarë regjimi do të vendosej. Ai qe vërtet çollak nga mendimet. U habita që m’u hap aq shpejt, qysh në bisedën e parë, pa më njohur. E kishin lutur të hynte në parti, si vëllai i Heroit të Popullit Reshit Çollaku, mirëpo ua kthente se nuk e ndiente veten aq të pjekur sa ta meritonte atë nder. Ç’qe kjo, modesti, sinqeritet i çiltër apo ironi? Ndërsa të tjerët luteshin dhe bënin çmos të hynin në parti, ai nuk pranonte. Kjo shkaktoi të krisurën e parë midis tij dhe komitetit të partisë. Ata arritën në përfundim se ai nuk donte të militonte brenda radhëve të saj, se kishte rezerva, se nuk i pëlqente kursi. Sa herë i kujtonin se qe vëllai i heroit, ai protestonte duke u thënë se në radhë të parë duhet të shihnin Qaniun si njeri me të mirat, të metat dhe personalitetin e tij, pastaj vëllain e Reshitit. Të trondiste me ashpërsinë e gjykimeve dhe me vendosmërinë që tregonte për bindjet e tij. E kishin thërritur kushedi sa herë në Komitetin e Partisë duke iu lutur të tregohej i arsyeshëm, i devotshëm ndaj partisë, entuziast për fitoret, se qe vëllai i Reshitit. Ai taramam! Porositën të atin ta këshillonte djalin të ndërronte rrugë se po turpëronte familjen, nderin e tyre, se po rrezikonte prestigjin e fisit, famën e Reshitit, mirëpo edhe kjo nuk dha ndonjë rezultat... Pastaj filluan paralajmërimet (kërcënimet) e Degës së Brendshme, se me sjelljen e tij dhe me fjalët që llapte poshtë e lart meritonte burgun, po për hatër të Reshitit nuk e kishin rrasur brenda, pa u shkuar mendja se ashtu e fyenin më shumë. Kur e pyeta me se merrej, çfarë pune bënte, përgjigjja e tij lapidare m’u ngulit në tru: “Kam kënaqësinë të mos i ndihmoj me asgjë kësaj m*tësie!”. E braktisi detyrën e mësuesit, apo e pushuan, s’e di mirë. Më tregoi se gjatë një vizite në Mokër, për të vizituar farefisin e tij, një dyzinë informatash kishin arritur në Degën e Brendshme për të. Pas disa vitesh dëgjova se e arrestuan dhe e dënuan me një gjyq formal, ku dosjen e mbushte sigurimi dhe vendimi jipej para se të gjykohej. Sa herë vija në Pogradec kujtoja Qaniun dhe më dukej sikur qytetit i mungonte diçka origjinale, rebeli i njohur”, ka shkruar Naum Prifti për Qani Çollakun në shkrimin e tij të publikuar së bashku me një foto ku shihet Qaniu dhe Lasgush Poradeci, mik i vëllait të Qaniut, Reshitit, të cilit i kishte kushtuar dhe një poezi.

Hajde-haj, Reshit Çollaku,

Në atë gjoks të zjente gjaku

blank
Qani Collaku, i pari majtas me nje grup miqsh te Lasgush Poradecit, dale para shtepise se poetit

Regjimi komunist e kishte lënë krejtësisht në hije Lasgush Poradecin, aty ku poeti u pozicionua me qëllim, vetëm e vetëm që të mos përzihej me asgjë që kishte të bënte me diktaturën e cila sundonte mbi gjithçka. Ky izolim i tij shprehej edhe në tekstet mësimore, ku Lasgushi përfaqësohej vetëm me pak faqe mes dhjetëra të tillave që i zinin poetët e realizmit socialist. Mirëpo, siç ka treguar Istref Haxhillari, një nxënës i Qaniut, mësuesi i letërsisë e përmbyste këtë raport në orët e mësimit. “Në antologjinë e letërsisë shqipe të gjimnazit tonë, Lasgush Poradeci përfaqësohej me tri poezi të përmbledhura në dy faqe, ndërsa një poet pa asnjë vlerë përfaqësohej me dhjetë faqe dhe zhvillohej në katër orë mësimi, kundrejt një ore që zhvillohej poezia e Poradecit. Por, falë profesorit të letërsisë, ky raport shndërrohej në pesë me zero në kahun tjetër. Kështu e fillonte ai një orë mësimi të letërsisë: “Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir/ Po përhapet dalëngadalë një pëlhurë si një hije…”etj. Duke recituar, mbante ritmin muzikal të vargut dhe, me sy të perënduar, krijonte një atmosferë qiellore, ku nuk ekzistonte asgjë përveç natyrës së mahnitshme të liqenit përrallor. Ne harroheshim duke e dëgjuar, na vinte keq kur mbaronte dhe habiteshim se si nuk e paskëshim parë këtë bukuri që e kishim aq pranë. Binte zilja dhe magjia mbaronte. Profesori kthehej në jetën reale si i trembur dhe na thoshte:– Hapni librat nga faqja kaq e deri aq keni mësimin e ditës. Kur fillonim të studionim, hapnim të parin librin e letërsisë ku me habi lexonim emrin e një tjetër poeti dhe të tjera poezi...Gjimnazi ynë kishte në atë kohë një trupë pedagogjike të kualifikuar dhe autoritare, me profesionistë të vërtetë. Nga këndvështrimi i kohës së sotme unë e kuptoj shumë mirë vështirësinë e tyre përkundrejt presionit ideologjik të kohës. U kërkohej që çdo lëndë mësimore të përshkohej nga filozofia dhe politika. Por Qani Çollaku qe gatuar nga tjetër brumë, ishte tjetër natyrë. Revolta e tij ndaj filozofisë së kohës ishte krejt e natyrshme dhe e sinqertë, e argumentuar me një qartësi të admirueshme. Arsyetimi buronte nga krejt qenia e tij, i pastër e i thjeshtë, pa asnjë paragjykim, si prej fëmije. Në mbledhjen e radhës së këshillit pedagogjik të gjimnazit u mbajt një raport, thelbi i të cilit ishte që i gjithë procesi mësimor të përshkohej nga filozofia dhe mendimi politik i ditës. Diskutimet ishin në të njëjtën frymë (kujt ia mbante të thoshte të kundërtën)... Qaniu ishte ulur në bankën e fundit bashkë me mua, (përfaqësues i klasës së tretë C, ku ishte mësues kujdestar). Nga qëndrimi, lëvizjet, tiku nervor i vazhdueshëm që i shtohej në raste nervozizmi, kuptohej qartazi revolta e brendshme. Kur njëri nga mësuesit, e mori fjalën dhe po fliste në të njëjtën frekuencë që diktonte mbledhja, Qaniu u ngrit me vrull, pa marrë leje, i preu fjalën kolegut (kjo ishte krejt jashtë kulturës së tij).– Kolegë të nderuar, – tha, – unë mendoj se e kemi për detyrë t’u mësojmë këtyre nxënësve më së pari matematikë, letërsi, kimi, fizikë dhe, pasi të formojnë personalitetin e tyre, le të bëhen po të duan edhe komunistë. Doli nga klasa me hap të nxituar, pa thënë asnjë fjale. Mbledhja u prish. Fjalët e tij, rrufe në qiell të hapur lanë pas habi, pështjellim, kundërshti po edhe miratim të heshtur nga shumica e profesorëve të shkollës. Atëherë ne nuk kuptonim shumë gjëra, po koha tregoi se ato fjalë ishin prologu i kalvarit të vuajtjeve pa fund të atij njeriu që për ne ishte dhe mbetet model i thjeshtësisë, inteligjencës, erudicionit dhe i një personaliteti të jashtëzakonshëm”, mbyllet shkrimi i i publikuar në gazetën Dita, në vitin 2017.

Qaniu do të mbetej i njëjtë edhe në burg, çfarë e tregojnë dëshmitë e atyre që e kanë njohur matanë hekurave. Vetëm pak ditë më parë, Agron Tufa ndau në murin e tij të FB, një përshkrim nga Kolec Marash Traboini për Qani Çollakun. “Nji djalë imcak, guximtar, vlla me dëshmorin... Reshit Çollaku. Më kallxon, se jam dënue me 8 vjet burg «agjitacion e propagandë»; kam studiu në BS, për letërsi. Ashtu, si ti, më pyesin shumë njerëz këtu: «Po ti, pse në burg? Ke pasë mundësi të mira jetese, për biografinë që keni në gjithë qytetin. Çfarë ju ka shtye, që jeni i pakënaqur? Pedagog ti dhe gruaja jote, në gjimnaz!». Sipas këtyne të burgosunve, duhet të flasin vetëm ata njerëz, që vuajnë nga sistemi komunist. Dhe ne, që kemi studiue e dijmë nga librat shumë gjana për marksizmin, të mos flasim asgja, por të mbyllim gojën. Unë i kam dërgue letër E. Hoxhës, tue i shpjegue, që marksizmin, nuk thotë në asnjë formë, se «lufta e klasave» të bahet edhe mbas 30 vjetësh! Shtetin nuk e rrezikon ma ajo klasë… Në vend të përgjigjes, më ka ardhë arrestimi e dënimi me 8 vjet burg «agjitacion e propagandë». Në çdo festë vjen në shpi tonë udhëheqësi. E kur baba i ka thanë «ma liro djalin, se ka dy fëmijë dhe gruan», i ka thanë: Atë kokë ka ai!  E dergova të bajë pautokritikë, për atë punë armiqsore, por ai jo vetëm, që s'pranon, por vazhdon edhe ma fort armiqësinë!” Plaku i gjorë i qe përgjigjur se nëse Reshitin ia mori lufta, Qaniun ia kishte marrë udhëheqësi politik i Shqipërisë, duke e futur në burg.

Mbesa e kësaj familjeje, këngëtarja e njohur Ermira Babaliu, ka treguar në një intervistë të para ca kohëve, për Shqiptarja.com që daja i saj, Qaniu i kishte dërguar edhe një letër Mehmet Shehut me titull “Zejtarë të artit”. Kjo letër, sipas saj, kritikonte hapur artin e kohës. Ajo ka rrëfyer, që megjithëse kjo familje i kishte dhënë Shqipërisë dy heronj lufte, nuk u përjashtua nga konfiskimi i pasurisë. Tokat e shumta që zotëronte në Mokër gjyshi i saj u morën nga shteti, ndërkohë që nuk u kursye as i biri i gjallë, Qaniu, i cili u fut në burg.

Kur doli që andej, nuk jetoi shumë gjatë. Jeta e tij ishte sakrifikuar, si dhe ajo e vëllezërve të tij. Vetëm se në atë epokë të mbrapshtë, ai nuk quhej hero, por armik.

kujto.al

Ky shkrim është përditësuar pas publikimit të parë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Kolec Traboini gabimisht e quan Reshit Collakun hero i Mezhgoranit. Reshit Collaku u vra ne Pojske ne breg te Liqenit te Pogradecit ne luftime me italianet. Ne Mezhgoran eshte vrare Asim Zeneli!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here