Procesi i pazakontë ndaj Marie Tucit në “këtë minutë të fundit që më ka ngelur nga jeta”

0
250
blank

Kujto.al sjell detaje nge dosja gjyqësore e Marie Tucit, mësueses dhe rishtares stigmatine nga Ndërfushazi i Rrëshenit, tashmë e shpallur e Lume, si e vetmja grua mes Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Maria ndërroi jetë rreth 40 ditë pas procesit gjyqësor, në moshën 22-vjeçare, e masakruar nga torturat çnjerëzore që u ushtruan ndaj saj, gjatë hetuesisë.

Me historinë e Marie Tucit mund të bësh gjithçka, përveçse ta harrosh.

Maria u arrestua në tetor të vitit 1949, kur ishte vetëm 21 vjeçe. Më parë, në prill të ’48-ës, për shkak të “qëndrimit të saj të keq karshi pushtetit”, e kishin pushuar nga puna si mësuese në fshatin Gojan të Pukës ku kishte dhënë mësim për një vit. E afërmja e Markagjonajve akuzohej se kishte takuar “kriminelët e arratisur”. Akuzohej edhe se kishte “një rreth shoqëror kundërshtar të pushtetit”.

Marie Tuci kryeson listën me 34 persona që akuzoheshin kryesisht për “furnizimin e kriminelave” në akt-akuzën 7-faqëshe të përpiluar në atë periudhë nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe të firmosur nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu. Në këtë akt-akuzë, për të, shkruhej edhe se “Urdhëresat e pushtetit nuk i shikonte mirë, i quante të padrejta dhe për këtë fliste sheshit nëpër mbledhjet që bënte katundi me qëllim që të diskreditonte Pushtetin”.

Bukuria e saj nuk mund të mos binte në sy. E kombinuar me dinjitetin dhe karakterin e pamposhtur të rishtares stigmatine, nuk mund t’i sillte veçse vuajtje. Vatican News shkruan se vuajtjet më të mëdha për Marian do të vinin nga shefi i Sigurimit për Shkodrën, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzojë me të, por ndeshi në kundërshtimin e saj të ashpër. Kur e panë se Marian nuk mund ta thyenin dot, atëherë vendosën ta masakronin fizikisht duke e mbyllur në një thes me një mace, të cilën e godisnin vazhdimisht. Kur e nxorën që andej, vajza e re nga Ndërfushazi i Rrëshenit nuk njihej. E dërguan në spitalin e Shkodrës ku u nda nga jeta më 24 tetor 1950.

Marias i është zhvilluar procesi gjyqësor pikërisht në kohën kur ndodhej në spital. Që në rreshtat e parë të proces-verbalit të mbajtur për këtë proces gjyqësor, thuhet se u morën në pyetje të pandehurit “që ndodheshin në spital, ku në vend u bë gjykimi”. Maria Nikollë Tuci gjykohej bashkë me 63-vjeçarin Gegë Ndue Gjini nga fshati Vau-Shqezë i Rrëshenit, pas kërkesës së prokurorit me arsyetimin se “fajësia e tyre ka lidhje dhe është e një natyre”. Ata akuzoheshin se “Kanë bërë takime me kriminelët e arratisur dhe i kanë strehuar e furnizuar si dhe për mosdenoncim faji penal kundra Popullit dhe Shtetit”.

Në akt-akuzën e Prokurorisë Ushtarake të Shkodrës për Marie Tucin, firmosur nga prokurori ushtarak Kapiteni II, Mina Niço, pandehet se përveç takimeve me të arratisurit, të cilët i "ka strehuar dhe furnizuar", ajo “ka bërë dhe punën e ndërlidhësit”, “ka pasë dijeni për shumë elementë që do të arratiseshin dhe nuk i ka denoncuar”, si dhe se “ka popullarizuar këngën e kriminelave në popullin e katundit me anë të së cilës ata ofendonin pushtetin dhe udhëheqësat e tij”.

blank

Për sa i përkiste furnizimit të të arratisurve, Maria kish thënë, gjatë hetuesisë, se “Me përjashtim të një here në vjetin dyzet e gjashtë që në shtëpinë teme, axha jem Zef Marka Tuci, u ka dhënë bukë të arratisurve dhe për këtë arsye është dënue bashkë me babën tim: axha katër vjet dhe baba dy vjet dhe herë të tjera nuk kanë ardhë”.

Kënga që “ofendonte pushtetin dhe udhëheqësit e tij” kishte këtë përmbajtje: Mbi bishat e kuqe përmbi komunizëm, do të triumfojë nacionalizmë/ Me armë kreçnike ecni moj rini, për të çlirue Nanën Shqipëri/ Neve Shqipërinë do ta çlirojmë dhe para flamurit do të parakalojmë me armë e tjerë/ Llogari do të japin para atdheut Enveri, Tuku dhe Mehmet Shehu. Marias ia kishte treguar këtë këngë një mik i saj, Gjon Marka Ndoi, i cili e respektonte dhe e dashuronte, pavarësisht që ajo nuk i ishte përgjigjur ndjenjave të tij. Ai kishte vendosur të arratisej duke qenë se ndiqej nga Sigurimi dhe këtë ia kishte thënë Marias gjatë një bisede në fund të tetorit 1948. "Kur jemi nda që i kam dhënë dorën për ta përshëndet, ay më tha: a do më harrojsh? Unë i thashë se nuk të harroj si person, por në atë drejtim që mund të ma thuajsh ti, unë nuk të kujtoj. Pastaj jemi nda". Persona si ky, i cili përmendet vazhdimisht pasi kishte lidhje dhe me dajën e saj, Nikoll Bardhokun, sipas prokurorisë, Maria duhet t'i kishte denoncuar.

Në proces-verbalin e marrjes në pyetje nga Nëntogeri Ferhat Matohiti, ditët pas arrestimit, Maria ka thënë “Për sa i përket kangës kundra shtetit, unë këtë ua kam thënë këtyre personave: Frrok Pergegës dhe ky më tha: "hajt moj se kjo nuk asht kurrgja", Nikoll Bardhokut dhe tjetër kujt nuk i kam thanë me përjashtim të hallës time, Gjela Tuci” dhe nuk pranon ta ketë përhapur atë.

Megjithatë, Gjykata vendos se të gjitha fajet janë pranuar nga vetë e pandehura. Për këto faje, Maria do dënohej me 3 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar, por u vendos që Maria të lirohej me kusht për shkak të gjendjes së saj të rëndë fizike.

Në dokumentet e procesit, del qartë gjendja e saj e rënduar fizike, por se nga vinte kjo gjendje e 22-vjeçares dhe kush e kishte katandisur ashtu, nuk thuhet asnjë fjalë.

Prokurori Hilmi Telegrafi kërkon që dënimin me 3 vjet privim lirie për Marien ta kthejë në dy vjet dënim me kusht dhe ta lirojë nga burgu “për konditat fizike të saj”. Ndërsa, Marie Tuci në fjalën e fundit gjatë procesit, citohet të ketë thënë: “I lutem Gjykatës që të ma falë edhe këtë minutë të fundit që më ka ngelur nga jeta”.

blank

Gjendjen e saj të rëndë fizike e pranon dhe trupi gjykues, i kryesuar nga Shuaip Panariti me anëtarë: Nonda Papuli dhe Hidaji Lagji, që vendos ta lërë të lirë Marien me arsyetimin se në gjendjen në të cilën ajo ndodhej, kjo nuk përbente ndonjë ndryshim. Gjykata e Lartë Ushtarake konstatonte se: “Të pandehurit Marije Tuçi dhe Gegë Gjini kanë bërë takime me të arratisurit dhe i kanë strehuar dhe furnizuar. Megjithëse vepra e tyre ka rrezikshmëri shoqërore, Gjykata merr parasysh gjendjen e dobët shëndetësore të së pandehurës Marije Tuçi dhe duke çmuar se edhe duke mos vuajtur dënimin, efekti i tij do të jetë i njëllojtë tek ajo; prandaj ja zbut dhe ja pezullon këtë dënim”.

Kështu, dënimi prej 3 vitesh heqje lirie që meritonte “faji i strehimit dhe furnizimit të kriminelëve të arratisur”, Maries i kthehet në “kondicionel për 2 vjet kohë”, ndërsa i pandehuri tjetër Gegë Ndue Gjini, dënohet me 2 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.

Vendimi u mor më 13 shtator 1950. Më 24 të muajit pasardhës, Maria ndërroi jetë. Marian nuk e dënuan vetëm se ishte e qartë që nuk mundnin më ta dënonin.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here