Historia e Mark Kolës (Markut) dhe tre fëmijëve të tij të mbetur jetimë dhe të rritur me një mijë e një vuajtjet që regjimi u rezervonte familjarëve të “armiqve”. Aq shumë vuajtje e padrejtësi, sa edhe pas shembjes së diktaturës, ende nuk u besohej se jetonin të lirë. Me këtë ndjesi, jetoi dhe mbylli sytë Gjon Marku, djali i vogël i Markut dhe sot e bija e Gjonit, Nora, tregon historinë e familjes për të vënë në vend një amanet të të atit
Mark Kola (Marku) u lind në Arste-Miliska të Pukës, 110 vjet më parë, më 1 janar 1912. Ai u martua me Lezen dhe patën tre fëmijë: të parën një vajzë, Agen, të dytin djalin, Gjin dhe të tretin, Gjonin. Gjoni ishte vetëm 1 vjeç kur Markun e arrestuan. Fëmijët e tjerë ishin 5 dhe 3 vjeç. Sipas asaj që i ka thënë babai, Norës, mbesës së Markut, në atë kohë Marku kishte qenë kryetar i Këshillit të zonës. Sa më e lartë detyra, aq më e rëndë akuza dhe dënimi. Markun e akuzuan për “bashkëpunim me bandat e armatosura dhe përhapje të sekretit shtetëror me bashkëveprim”. Banda të armatosura, që prej kohës kur komunistët morën pushtetin e deri kur i zhdukën, quheshin antikomunistët e dalë maleve që kundërshtonin vendosjen e diktaturës në vend.
Për t’ia arritur qëllimit të zhdukjes së plotë të tyre, pushteti nuk tregohej i pamëshirshëm vetëm me ta, por edhe me këdo që i mbështeste, u jepte një copë bukë, ose që nuk bënte asgjë nga këto, por përdorej si kurban për të përhapur terror në mes të popullsisë. Duke arrestuar dhe dënuar një njeri me ndikim si Marku, ishte e sigurt që ky mesazh terrori do të përhapej gjerësisht në zonë. Atë e dënuan me burgim të përjetshëm dhe e çuan në burgun e Shkodrës, por pas shumë këmbënguljesh nga ana e familjarëve dhe pas shumë seancash gjyqësore, më 10 korrik të vitit 1953, gjykata shpalli dënimin me 25 vite burg.
“Tragjedia nuk mbaroi këtu për këtë familje, shkruan mbesa e tij, Nora Marku.- Kur Lezja mori lajmin që bashkëshorti i saj është dënuar me burgim, nga mërzia e madhe humbi jetën duke lënë pas 3 jetimë, ku më i madhi ishte vetëm 9 vjeç. Fëmijët u rritën nga njerëzit e Markut më vështirësi të mëdha. Ata nuk kanë njohur dajat e tyre dhe njerëzit e tjerë të nënës, deri në fillimin e demokracisë. Kjo si rrjedhojë se ata ishin njerëz të ngritur në parti dhe nuk donin të humbisnin pozitat që kishin krijuar. Ata vendosën të qëndronin në anën e partisë duke injoruar lidhjen e gjakut.”
Ndërsa Agia, Gjini dhe Gjoni qëndruan aty ku rrethanat, që do i kishin vazhdimisht kundër, i kishin hedhur. Rriteshin në varfëri, pa prindërit pranë dhe mbi të gjitha, duke zhgënjyer, çdo ditë, shpresat fëminore apo rinore derisa u bindën se jeta e tyre, nën atë regjim, do të ishte gjithmonë e vështirë.
“Jeta për 3 fëmijët e Markut ka qenë tejet e vështirë. Regjimi i kohës i largoi ata nga fshati ku jetonin, për t’i dërguar në “bjeshkë”(stane) që të qëndronin larg pjesës tjetër të shoqërisë. Fëmijët nuk u lejuan që të arsimohen më shumë se sa 4 klasë shkollë. Vajza e madhe Agia martohet nga axhat pasi babai ishte në burg. Ajo ka kaluar një jetë të vështirë që nga dita e parë e deri ditën që vdiq në moshën 50-vjeçare. Gjini punonte në kooperativë, ndërsa Gjoni në minierën e Qafë-Barit, në një repart shumë të vështirë, ku të gjithë punëtorët ishin të së njëjtës kategori shoqërore”,- tregon Nora Marku.
Vuajtje, punë të rëndë, plagë të pashërueshme shpirtërore për jetën e mbyllur të bashkëshortes dhe fëmijët që rriteshin larg syve të tij, përjetonte, në anën tjetër, edhe babai i tyre, Marku, burgjeve ku e degdisnin.
“Marku, gjatë viteve të dënimit u dërgua në burgun e Laçit duke u angazhuar në ndërtimin e Fabrikës në Laç. Gjatë punës për ndërtimin e fabrikës ai ka pësuar aksident duke qëndruar në gjendje kome për 4 muaj. Ai së bashku me shumë të burgosur të tjerë, u dërguan në Tiranë për të ndërtuar lagjen që sot quhet “21 dhjetori”. Më pas, dërgohet në Tërbuf të Lushnjës për të tharë kënetën e famshme të Tërbufit. Falë sjelljes së mirë dhe punës së madhe që bëri gjatë burgut, dënimin e tij e ulën në 13 vite.
Pas përfundimit të këtyre 13 viteve të tmerrshme, Marku doli nga burgu me 07.01.1966 duke u kthyer në familje, ku i gjeti fëmijët në një varfëri dhe mjerim të tejskajshëm. Edhe pse ai kishte kryer dënimin, persekutimi dhe torturat për familjen e tij nuk patën mbarim asnjëherë. Ai jetoi gjithë jetën e tij pa asnjë të drejtë dhe me një emër përçmues: “armik i popullit”. Të mos mjaftonin këto, fëmijët e tij nuk kishin asnjë të drejtë dhe martesat e tyre duhet të bëheshin brenda së njëjtës kategori "familjesh të persekutuara". Djemtë e Markut martohen me dy motra po nga Puka, familje e persekutuar me gjysh (Kol Prek Ndreu) dhe dajë (Kol Bibe Doda) të burgosur. Bashkëshortja e Gjinit kishte mbaruar Shkollën e Mesme Bujqësore në Peshkopi me rezultate të shkëlqyera, ndërsa Lina, bashkëshortja e Gjonit kishte mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike, Shkodër. Edhe pse të dyja motrat kishin mbaruar shkollën me rezutate të larta, për arsye politike, ato nuk u lejuan kurrë të punonin në profesionin e tyre. Persekutimi i tyre vazhdoi deri në atë pikë sa kur organizoheshin qitje nga çetat ushtarake, familjes së Markut nuk i jepnin kurrë armë. Kur në familjen e tyre kishte mort ose dasmë nuk u vinte askush, se nëse shkonte kush do spiunohej dhe dënohej nga shteti. Në kohën kur është martuar, Gjoni i kishte kërkuar kryetarit të kooperativës që t’i jepnin një kalë për të mbajtur “arkat e nuses” sepse ishte 9 orë rrugë dhe nuk ua kanë dhënë, kjo për të vetmen arsye se ishin të persekutuar. Punët më të vështira caktoheshin për familjen e Markut, si p.sh. me bajtë urinën e lopëve me kova, me bajtë në shpinë për kooperativën, me dal ditëve të festave si të Krishtlindjeve, Pashkëve me pastru bunkierët etj. Marku dhe djemtë e tij me nuset, arritën vetëm të hanin bukë edhe pse vlerat e tyre njerëzore dhe profesionale ishin shumë më të larta, krahasuar këto me njerëzit që i drejtonin”, tregon Nora historinë e gjyshit, babait, nënës që më pas u bë dhe e saja. Edhe brezi i tretë, veçanërisht fëmijët e vajzës së Markut, Ages, e trashëguan barrën e përndjekjes. “Fëmijët e hallës e ndien më shumë përndjekjen, duke mos mundur të punojnë asgjëkundi përveçse në kooperativë, duke mos iu dhënë mundësia as të arsimohen dhe as të punojnë në ndonjë punë tjetër….
…Persekutimi vazhdoi brez pas brezi, në forma dhe mënyra nga më çnjerëzoret dhe mund të themi me bindje që këtyre personave që kanë jetuar këto kohë akoma nuk u besohet që po jetojnë të lirë”.
Dhe kjo është drama e sa e sa njerëzve që kanë përjetuar dhunën e diktaturës komuniste. Është drama e atyre të mbijetuarve që jetojnë në Shqipëri në rrugën e vjetër të Drejtë, ku qeveritë vështirë se kujtohen të kalojnë e t’u japin shpërblimin e merituar moral për vuajtjet e padrejta. Dhe është e rëndë që shumë prej këtyre njerëzve, kanë mbyllur sytë në këtë gjendje dhe pse janë mbushur 30 vjet pluralizëm.
Shënim: Në foton kryesore, Gjini, Gjoni dhe halla e tyre.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.