Pastiçeri i dënuar nga Gjykata Speciale

0
351
blank

Një listë thëniesh për Shqipërinë, Italinë apo anglo-amerikanët rreshtohen si akuza për pastiçerin Shaban Reka dhe e dënojnë atë me 15 vjet burg, në një proces të mbushur me kontradikta dhe të varfër në prova

Nga Kastriot Dervishi

Pastiçeri Reka ishte shënuar si person i dyshimtë në lidhje me dinamitin në legatën sovjetike në Tiranë. U arrestua më 20.2.1951. Ishte shtresë e pasur, i padënuar më parë, i tatuar me tatimin mbi të ardhurat me 25.000 lekë.

Shaban Reka ishte lindur në vitin 1917 në Dibër të Madhe dhe banonte prej 20 vitesh në Tiranë. Në vitet 1944-1947 kishte kryer shërbimin ushtarak.

Akuzohej si më poshtë:

-Në vitin 1949 pas ikjes së shokut të tij të ngushtë Lulzim Pogoni në Itali, organizoi një grup tjetër për t’u arratisur, duke paraqitur situatën në Itali shumë të mirë, se në Shqipëri nuk jetohet etj..

-Ka folur vazhdimisht me shokët e tij që do arratisej dhe e ka paraqitur gjendjen se do ndryshonte shpejt duke e lidhur me ndërhyrjen anglo-amerikane.

-Ka pasur lidhje me element të dyshimtë si Marie Frashëri së cilës i ka folur për sukseset anglo-amerikane në Kore.

-Ka qenë organizator i grupit në arratisje dhe duke e pasur detyrë, nuk kishte kallëzuar asgjë rreth tyre.

-Ishte në dijeni të aktivitetit të grupit të Zenel Rikës-grupi që hodhi dinamitin.

Fajet provoheshin te deponimet e të arrestuarit. Dyshimet e Sigurimit  ishin se mund të ishte rekrutuar agjent i legatës italiane, sepse në dyqanin e tij hante ndonjë pastë apo akullore edhe sekretari i parë i legatës. Por meqë thesi u hap, dyshimet e Sigurimit ishin edhe për rekrutime të tjera p.sh. ato jugosllave para lufte.

Qëndrimi në hetuesi cilësohej i keq sepse mundohej të fshihte çdo gjë.

Siç edhe mund të shihet, akuza përsëritet disa herë. Ndërsa në mjaft raste është kontradiktore. Në fillim thuhet se fajësia e tij provohet me deponimet e tij, e në fund thuhet se ka mbajtur qëndrim të keq pasi nuk ka pranuar asgjë.

Shaban Reka u pyet në zyrat e Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës më 26.2.1951 nga oficeriiI Sigurimit, toger Adem Ahmeti. Hetuesi këmbëngul në pyetjen pse i pandehuri erdhi në Shqipëri. Përgjigjja është e thjeshtë: për arsye ekonomike dhe fisnore. Procesin e vijon më tej hetuesi Niko Paskali. Gjatë gjithë zhvillimit të hetuesisë nuk dalin fakte konkrete, por gjëra të përgjithshme si dhe çështje që I shtonte hetuesia në mënyrë që e shihte të arsyeshme. Çështja e arratisjes së shokut të tij ishte në plan të parë.

Shaban Reka u dënua nga Gjykata Speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme me vendimin nr.99, datë 10.4.1952, me 15 vjet heqje lirie. Ky vendim nuk disponohet në dosje.

Në fillim të vitit 1958, i dënuari vuante dënimin në repartin nr.307 në Tiranë, duke ndërtuar pallate. Ky vit ka disa zhvillime për të. Kërkoi lirimin. Disa herë kërkon për t’u liruar me kusht. Në opinionin e datës 11.12.1958 të Degës së Kampeve dhe Burgjeve të Drejtorisë së Policisë Popullore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhej:

“Qëndrimi aktual…nuk është i mirë. Në burg qëndron me elementë që zhvillojnë aktivitet kundër pushtetit tonë popullor dhe ky vetë zhvillon agjitacion e propagandë. Për kohën që ka qenë në kamp pune, normën e ka realizuar. Realizimi i normës nuk është se ky është penduar, por me qëllim për të hequr vëmendjen e komandës së burgut dhe për të fituar sa më shumë të holla dhe zbritje dënimi”.

Mirëpo kjo përgjigje, pa fakte e argumente, nuk e ka kënaqur Gjykatën e Lartë, e cila më 9.9.1958 kërkoi të dhëna plotësuese nga MPB-ja, e cila ktheu përgjigje se nuk ka prova të tjera. Gjykata e Lartë merrte në konsideratë letrën e Rekës. Në këtë letër ai shkruante se në vitet 1952-1956 vuajti dënimin në Punëtorinë Qendrore të Artizanatit, ku dhe u sëmur.

Më 20.2.1958 Gjykata e Lartë e liroi me kusht Shaban Rekën, por, brenda së njëjtës dite pleniumi i kësaj gjykate e prishi vendimin dhe e la në burg.

Përfundimisht, u lirua nga Reparti 303 në Tiranë më 22.7.1962.

 

Marrë nga libri “Terrori komunist i vitit 1951”, Kastriot Dervishi, botim i Institutit të Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit, 2017

Foto ilustruese, Tirana e viteve ‘50

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here