Në murin e akademisë ushtarake në Modena në Itali, është e ekspozuar medalja e artë e Pal Thanit, por nuk e ka ende një varr ku familjarët ta qajnë e t'i vendosin lule
Nga Luljeta Progni
Në nëntor të vitit 1991, një delegacion nga Ministria e Jashtme e Italisë ishte vendosur në hotel Dajti në Tiranë. Ishte koha kur vendet e Perëndimit po përpiqeshin të mbështesnin Shqipërinë në rrugën e re drejt demokracisë. Pjesë e delegacionit italian ishte edhe një zonjë me emrin Ksandra Tani (Thani). Përveçse pjesë e misionit diplomatik ajo kishte një amanet për të kryer në Shqipëri. Bashkëshorti i saj, Franco Tani (Thani), i kishte dhënë një numër telefoni me prefiksin e Shkodrës dhe emrin Terezina Pali Zorba. Ksandra do t'i telefononte Terezinës për të lënë një takim në hotel Dajti, atje ku ishte vendosur delegacioni italian. Vizita në Shqipërinë e sapo dalë nga diktatura, por më shumë takimi me Terezinën do ta shenjonte jetën e Ksandrës, e cila gjithsesi dinte pak më shumë se kolegët e saj diplomatë për të kaluarën e Shqipërisë komuniste. Franko, bashkëshorti i saj, ishte një shqiptar, i biri i major Pal Thanit dhe Xhuljetës së tij, sopranos së bukur nga Modena.
***
Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur në Romë kishin nisur bombardimet, major Pal Thani dhe bashkëshortja e tij italiane Xhuljeta, u nisën drejt Shqipërisë. Pal Thani, djali shkodran që kishte shkëlqyer në akadamine ushtarake të Modenës me medalje ari, prej dashurisë me sopranon italiane, kishte vendosur të qëndronte në Romë, por lufta ua ndryshoi tërësisht fatin e jetës.
Xhuljeta ishte shtatzënë dhe udhëtimi nuk ishte aq i thjeshtë në kohë luftë. Pas një udhëtimi të lodhshëm, mbërrijnë në Shkodër dhe u vendosën në banesën e tyre të nëna Katrinë. Pas pak muajsh në vjeshtën e vitit 1942 lindi djali, Franco dhe jeta po vazhdonte qetësisht në qytetin e lindjes së Palit. Brenda pak kohësh në Shqipëri do të vendosej diktatura komuniste dhe Pali bashkë me familjen e tij as që e kishin menduar fatin tragjik nën regjimin komunist.
Në vitin 1945, nisi përndjekja e kundërshtarëve të regjimit dhe në këtë listë pa dyshim që do të ishin të gjithë intelektualët. Këtu do të përfshiheshin dy djemtë e familjes Thani, major Pal Thani dhe Kolonel Mark Thani, të dy studiuar në Modena në Itali. Shumë prej intelektualëve të Shkodrës u arratisën ose u fshehën nëpër male me shpresë se situata do të përmirësohej. Pali qëndroi në banesën e tij, i fshehur në bodrum bashkë me bashkëshorten. Ai qëndroi aty për shkak të bashkëshortes dhe djalit të mitur duke marrë parasysh se ajo ishte një shtetase e huaj dhe qëndrimi e izoluar pa bashkëshortin do të ishte mjaft i vështirë. Djali i tyre Franko ishte vetëm 3 vjeç. Me kalimin e ditëve përndjekja po ashpërsohej dhe Pali detyrohet të largohet nga banesa për t'u fshehur diku në një mal afër Shkodrës.
Vajza e Marijes, motrës së Palit, Terezina, një gjimnaziste ekselente që ishte angazhuar në lëvizjet antikomuniste, do të bëhej mbështetja kryesore për Palin dhe Xhuljetën. Lidhja e Terezinës me dajat e saj dhe veçanërisht me Palin, ishte shumë e rëndësishme për shkak se ajo ishte rritur në banesën e dajave të saj dhe ata kishin ndikuar në edukimin e saj. Pas largimit të Palit në mal, Terezina do të ishte mbështetja kryesore për italianen që po jetonte ditët më të errëta të jetës, e ngujuar në një bodrum me frikën se do të vinin ta arrestonin e pa ditur fatin e bashkëshortit. Por nuk do të kalonin shumë ditë dhe Sigurimi i Shtetit do të arrestonte Terezinën, por edhe Xhuljetën, për ta çuar në burg bashkë me Francon 3-vjeçar.
Kur Pali mori vesh se bashkëshortja ishte në burg, u dorëzua. Pas dorëzimit, Sigurimi e liroi nga burgu bashkëshorten e tij dhe djalin, por nuk e liroi nga burgu mbesën, Terezinën. Për rreth një vit e gjysmë, oficerët e Sigurimit përdorën torturat më të ashpra mbi trupin e Palit. Nën tortura do të ishte vazhdimisht edhe Terezina. Një ndër momentet më tragjike të jetës së Terezinës do të mbetej dita kur oficeri i Sigurimi të Shtetit e kishte sjellë Palin para dritares së qelisë së Terezinës dhe atje e torturoi mizorisht duke llahtarisur të gjithë të burgosurit. Terezina do të rrëfente shumë vite më vonë se kurrë nuk do t'i harronte ulurimat e dhimbjes së dajës së saj kur xhelati i Sigurimit të Shtetit dhunonte pa mëshirë trupin e tij.
Sipas dëshmitarëve të kohës, Pal Thani vdiq në tortura. Sigurimi i Shtetit lajmëroi familjen se Pal Thani kishte vdekur nga një sulm në zemër, por refuzuan t'ia dorëzojnë trupin familjes.
Tragjedia kishte pllakosur familjen e Palit dhe veçanërisht Xhuljetën e cila me një fëmijë të mitur tre vjeç endej rrugëve të Shkodrës në kërkim të trupit të bashkëshortit a një shpjegimi për fatin e tij. Kur kuptoi se ishte një betejë e humbur, Xhuljeta u këshillua nga familjarët e Palit që të merrte të birin Frankon dhe të nisej drejt Italisë. Nuk ishte e thjeshtë sepse Xhuljetës i lehohej të kthehej në atdheun e saj, por të birin nuk do t'ia lejonin sepse Franco ishte me shtetësi shqiptare. Familjarët e Palit gjetën një mundësi klandestine përmes një anijeje që nisej atë vjeshtë të vitit 1946 nga Durrësi drejt Italisë. Xhuljeta me të birin e shoqëruar nga e ëma e Palit, Katrina dhe të tjerë të afërm, qëndrojnë pak ditë në një hotel në Durrës. Atje kishin mundur të siguronin përmes disa të afërmve një lejekalimi dhe Xhuljeta bashkë me të birin hynë në anije, gjithnjë me frikën se po të zbuloheshin, Sigurimi i Shtetit do t'i merrte djalin.
Fati e deshi që të mos zbuloheshin dhe Xhuljeta bashkë me të birin Franco-n ia dolën të mbërrijnë shëndoshë e mirë në Itali. Ajo u kthye te familja e saj. Franco u rrit mes dashurisë së gjyshërve, ndërsa Xhuljeta kaloi të gjithë rininë me kujtimin e dashurisë që pati atë fund tragjik. Në dhomën e zbrazur të Xhuljetës gjendej vetëm fotografia e Paulos (Pal Thanit) ku ajo zgjohej çdo ditë me përshëndetjen e përhershme: Il mio Paulo... Në dhomë ishte gjithmonë edhe një qiri ku Xhuljeta lutej për shpirtin e tij.
Brenda hapësirave që kishte lënë regjimi, Xhuljeta mbante korespondencë me Terezinën, mbesën e Palit, e cila ishte liruar pas disa vitesh. Ato shkëmbenin letra e kartolina në raste festash.
Terezina ruajti në arkivën e saj të shtrenjtë, fotografitë që i dërgonte Xhuljeta dhe Franco. Njëra prej fotografive është e vitit 1960 kur Franco ishte 18 vjeç. Pas fotografisë është edhe dedikimi për kushërirën Terezinë.
Xhuljeta u nda nga jeta para se të rrëzohej diktatura komuniste. Ndërsa i biri, Franco mbajti lidhjet me Terezinën dhe familjen e saj. Terezina Zorba vizitoi Franco-n në Itali në vitin 1992 ndërsa Franco nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Mesa duket ai nuk ka dashur ta shohë kurrë me sy atë skenë ku u luajt tragjedia e dashurisë së prindërve të tij.
Fundi tragjik i Pal Thanit, është një ndër 6 mijë historitë e shqiptarëve që u vranë padrejtësisht nga regjimi komunist dhe varret e tyre u zhdukën me qëllim. Në murin e akademisë ushtarake në Modena në Itali është ende e ekspozuar medalja e artë e Pal Thanit, por nuk e pati kurrë një varr ku familjarët ta qajnë e t'i vendosin një lule.
Shënim: Historia bazohet në dëshminë e Elena Zorbës, vajza e Terezina Zorbës, e cila ia rrëfeu gjithë kalvarin e vuajtjeve në diktaturë, vajzave të saj. Terezina Zorba është bashkëshortja e poetit të njohur shkodran Zef Zorba. Kujto.al është duke bashkëpunuar me vajzat e Terezina Zorbës për të sjellë rrëfime e dëshmi autentike të kalvarit të dy familjeve të Zef Zorbës e Terezina Pali Zorbës, pushkatimet e burgosjet gjatë diktaturës komuniste.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.