I thashë një herë Padre Meshkallës: "Na thuaj diçka për veten tënde... Padre"! Ai mbylli ata dy sy të vegjël, që depërtonin në shpirtin e gjithkujt, e, pastaj, duke shikuar diku, larg, tha: Linda SHQIPTAR. Me anë të Pagëzimit, u bëra KRISTIAN. Më vonë, u shugurova MESHETAR... Tashti jam i BURGOSUR, për të tria së bashku!
Në vitet 1992 dhe 1993, në gazetën Liria, e hapur menjëherë pas rënies së regjimit komunist, nga Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë në Shqipëri, gjejmë shumë dëshmi e denoncime mbi krimet që kanë ndodhur në vendet ku vuajtën dënimin politik mijëra shqiptarë të burgosuar apo internuar. Por në kujtimet dhe dëshmitë e tyre gjejmë edhe shkrime që zbulojnë portretet e ndritshme të shumë personaliteteve të dënuar nga diktatura, si ky më poshtë kushtuar At Pjetër Mëshkallës, sjellë si botim në vitin 1992 nga ish i burgosuri politik Zef Jushi.
Grimca nga jeta ne burgjet politike të diktaturës komuniste
Me Padre Meshkallen
I thashë një herë Padre Meshkallës: Na thuaj diçka për veten tënde... Padre!
Ai mbylli ata dy sy të vegjël, që depërtonin në shpirtin e gjithkujt, e, pastaj, duke shikuar diku, larg, tha: Linda SHQIPTAR. Me anë të Pagëzimit, u bëra KRISTIAN. Më vonë, u shugurova MESHETAR... Tashti jam I BURGOSUR, për të tria së bashku!
Kërkonim në histori data e personazhe, në gjeografi vende të vogla e të largëta, shkrimtarë të hershëm e të vonë, filozofë, shkencëtarë, etj. Ishte e pamundur të mos përgjigjej me saktësi për secilin e për gjithçka Padre Meshkalla. Je i madh, o Pader! Jo, or bir, iu drejtua atij që foli. Tufani dhe era e fortë shkulin dhe rrafshojnë përdhe lisat e lartë e jo shkurret që përkulen majtas e djathtas. Të MEDHENJTE, mjerisht, nuk janë këtu.. midis nesh. Në këtë drejtim, komunizmi ka qënë i pagabueshëm.
Në konferencat e shumta që na mbanin në kamp, kur përmendeshin udhëheqësit e vendit apo të huaj, detyri misht duhet të ngriheshim në këmbë dhe të duartrokisnim. (Sa të pangopur! Edhe për duartrokitjet tona kishin uri!) - Ku do të rrimë, Pader, i them një ditë.
- Të shohim, tha. Prapa jo, se nuk dua t'u fshihem. Para jo, se nuk dua t'i fyej dhe t'u shes trimëri duke mos duartrokitur. Do të rrimë në mes, sepse, mjerisht, janë shtuar ata që duan të tregojnë rehabilitimin e tyre me forma të jashtme e të pahijshme, që do të na bëhen mburojë. Për vete, nuk dua kurrsesi të brohoras, por as të fyej!
E pyeta një ditë:
- Pse, Pader, më tepër se me të tjerët, të shoh të shoqëruar me Osman Kazazin?
M'u përgjigj: Osmanin e gjeta këtu dhe e lashë këtu! U lirova, erdha e, përsëri, e gjeta këtu. Për afro një vit, në burg jepnin vetëm 600 gr bukë misri dhe asgjë tjetër. Me Osmanin në krye, grupi i të rinjve organizoi mbledhje ushqimesh, duke ia hequr edhe gojës së tyre. E them pa frikë, se ka shpëtuar jetë njerëzish ndër ata që s'kish kush t'i ndihmonte. Ja pse e admiroj Osmanin; për kurajon që u ka dhëně bashkëvuajtësve dhe për shpirtmirësinë e tij!
I kërkuan të jepte një gjykim për shkrimtarët e hershëm dhe për ata të periudhës së komunizmit.
-"Poeti i madh francez, La Martin, e errësoi disi figurën e vet, kur pranoi të bëhej kryeministër i Francës. Gjeniu iu përkul autoritetit, sado i mirë që të ishte, mbret apo President. Edhe Ernest Koliqi, autor i Tregtarët e flamujve, aq i dashur nga rinia, e zbehu figurën e vet, kur u bë Ministër i Arsimit, ndonëse në veprat e tij, nuk gjejmë asnjë frazë që ta ulë karakterin e njeriut në oportunizëm e servilizëm. Shkenca krijoi robote për veprime matematikore të shpejta e të përpikëta, por jo për krijime letrare, ku pasqyrohet shpirti i NJERIUT. Pra, njeriu nuk mund të krahasohet me robotet, krijesa të dorës së tij. NJERIU a GJENIU vlerësohet jo nga aftësitë e telekomanduara, por për aq sa mund të bëjë për NJERIUN, pa e përçudnuar dinjitetin e vet si NJERI".
***
Padre Mëshkalla kaloi 15 vite të jetës së tij në burgun e Burrelit, në vitet e urisë ekstreme dhe dhunës së jashtëzakonshme që ushtrohej aty. Të gjithë ish të burgosurit e ndërgjegjes, që ë kanë njohur kanë përcjellë në kujtime e tyre , mbresa të jashtëzankshme për të. Arshi Pipa ka lënë këtë përshkrim për Padre Mëshkallën. "Me At Meshkallên, jam njohtë në burgun e Burrelit, ku e prunë bashkë me një grup të burgosurish, nga burgu i Shkodrës, nuk më kujtohet saktë ka vjeti 1953-1954. Ai ishte at'herë rreth të pesëdhjetave, vocerrak dhe i imët ka shtati, me dy sy si gaca. Ç'ka i ndriste syni, ja shkrepte gjuha, sado që zani i tij ishte i shtruem e i paqëm "Suaviter in modo, sed fortiter in re" (i butë në mjete, i fortë në qëllim). Fjalët i kishte të thjeshta e të preme, si i kanë zakonisht njerëzit me bindje të forta në ç'ka besojnë. E ushtronte profesionin e vet, si Ushtar i Krishtit, në shërbim të nevojtarëve të mjerë. Në atë kohë drejtor i burgut, ishte një xhelat që i pëlqente me mbajtë fjalime, para të burgosurve tue i marrë nëpër kambë, por kishte asish që nuk e mbyllnin gojën, e ndër ta, At Meshkalla, ndahej në shenj. Përgjigjej ku duhej, pa e çue zanin. Por fjala e tij kishte autoritet edhe mbi drejtorin, i cili ishte i regjun, tue pasë studiue, teologji e filozofi. Ishte kjo një mënyrë me mprehë tehun e mendjes. Topitë nga plogështia e burgimit, At Meshkalla, do të mbesë në analet e Kishës Katolike të salvueme, si ai qe vuajti, salvimin gjate, pa i ba lak, deri sa pat shpirt".