Në qelinë ku njeriu kthehej në kafshë/ "Më shkatërruan ëndrrat, trupin, trurin"

0
5903
blank

I arrestuar për ndërtimin e një antene që kapte stacionet e huaja televizive dhe korrespondencën me turistët e huaj që kishin vizituar Shqipërinë, inxhinieri Saimir Maloku, u dënua në një gjyq poshtërues para 600 vetave dhe para se të dërgohej në burg, u mbajt, në kundërshtim me çdo ligj dhe konventë, për 100 ditë i izoluar në një qeli të nëndheshme, ndërkohë që familja nuk dinte asgjë për të. Një rrëfim për dëmet e pashlyeshme që i bëri komunizmi, nga gjithsesi Zoti deshi të dilte i gjallë, shkëputur nga libri i tij “Si mbijetova në ferrin komunist”…

Në maj të vitit 1976, Saimir Maloku, pikërisht ai që shpiku “kanaçen” që kapte frekuencat e stacioneve të huaja, i shndërruar në kockë e lëkurë gjatë periudhës së hetuesisë, doli para një gjyqi të hapur për të marrë dënimin e përgatitur. Hakmarrja e perëndive të regjimit komunist për këtë promete të kanaleve të huaja televizive, të cilin e akuzonin për veprimtari imagjinare agjenturore me 17 vende të huaja, do të ishte e pamëshirshme. I dhanë të vishte ditën e gjyqit, para 600 vetave, pa rrip dhe pa të brendshme, po ato pantallona që kishte kur peshonte 78 kilogramë, ndërsa tani ishte 43, si e si për t’i shtuar dënimit 10-vjeçar me burg edhe gjithë poshtërimin e mundshëm. Pas kësaj, në vend që ta çonin në repartin ku do të kryente dënimin, e izoluan edhe për 100 ditë të tjera në një qeli të nëndhshme pa dritë e ajër, për t’ia çuar në kufijtë e ekzistencës tiparet fizike, mendore e shpirtërore prej njeriu. Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i tij, inxhinieri ushtarak, Saimir Maloku rendit arsyet përse ai e dënon komunizmit që e dënoi pa të drejtë në vitet më të mira të jetës dhe karrierës, duke e torturuar pa mëshirë, siç kishte bërë me mijëra të dënuar të tjerë politikë.

blank

“Unë, viktimë e pafajëshme e torturave të Sigurimit të Shtetit”

Viktimë e këtyre dënimeve dhe e torturave të tmerrshme të xhelatëve komunistë isha edhe unë, Saimir Maloku. Në qelinë time të nëndheshme për rreth 200 ditë unë provova vdekjen kur akoma nuk kisha vdekur. Siç e kam theksuar edhe më parë, unë, i frymëzuar nga “Ditari i Anne Frank”, shkrova këto rrëfimet e mia, që sot më duken si një ëndërr, se si kam mbijetuar në ferrin komunist! Nuk e besoja se Komunizmi i shndërronte njerëzit në “kafshë”, i rrihte si kafshët dhe i mbante të izoluar më keq se kafshët e egra të pyllit dhe na ulnin personalitetin e dinjitetin tonë njerëzor duke na thënë: “Ti more qen i biri i qenit, je bërë si këlyshi i Imperializmit dhe i Perëndimit”.

E habitshme se këta komunistë, na shanin sikur ata vetë ishin mjekë të çmendur veterinerë…!? Gjithashtu, të gjitha aspiratat dhe ëndrrat e mia për të krijuar familje dhe të isha i lumtur në ato vite më të bukura të jetës time, u shuan si një meteor në qiell dhe u venitën si ajo lulja e mbetur pa ujë. Lumturia ime në moshën më të bukur, atë të rinisë, m’u kthye në fatkeqësi. Në vend që unë të provoja dashurinë, provova dhunën e pashembullt mbi trupin tim. Në vend që unë të krijoja familje dhe të kisha në dorë unazën e martesës, m’u vendosën prangat metalike. Hija e pleqërisë më pushtoi rininë, sepse në kokën time më ra dëbora e keqe e Komunizmit, që i zbardhi flokët e mi të bukura me kaçurrela dhe të zinj.

Sëmundja famëkeqe e “Murtajës Komuniste” helmoi shpirtin tim të çiltër dhe të pastër dhe e transformoi si mos më keq fytyrën time djaloshare, sikur të ishte fytyra e zbehtë e një njeriu të vdekur! Hera – herës nuk e kuptoja se ku banoja, në botën e të gjallëve apo në botën e të vdekurve, sepse vetmia në qelinë e nëndheshme ishte diçka tepër e tmerrshme dhe e llahtarshme. Ky ishte ferri më i tmerrshëm komunist në botë, ku vdekja kishte vlera shumë më të mëdha se jeta e njeriut, sepse shpëtoje nga vuajtjet e vazhdueshme. Lotët e gëzimit në sytë e mi m’u shndërruan në lot hidhërimi. Kisha një dëshirë të jashtëzakonshme të shikoja njerëz, kafshë dhe zogj, si dhe kopshte me lule edhe pyje plot gjelbërim dhe lumenj e përrenj. Dielli, hëna dhe qielli m’u zhdukën nga vështrimi im.

Djalli komunist zuri vendin e engjëllit në shpirtin dhe në zemrën time. Parajsa e jetës time u bë si një ferr apo skëterrë e mbushur plot me mistere dhe tmerre të pafundme e të pabesueshme. Shumë njerëz që unë i konsideroja miq, m’u bënë armiqtë e mi! Në vend që të isha i lirë dhe të shijoja jetën plot gaz dhe haré si çdo qytetar i Shqipërisë, më ndodhi e kundërta, sepse në trupin dhe në shpirtin tim filluan vuajtjet e paimagjinueshme, si pasojë e torturave të tmerrshme të kriminelëve komunistë. Komunizmi më arrestoi mua dhe mjaft djem të rinj, pse baballarët tanë kishin mbaruar studimet në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, si dhe në vendet perëndimore, sepse ne u edukuam me kulturën perëndimore dhe u brumosën me pikëpamjet antikomuniste dhe demokratike.

“Ja cilat janë arsyet që unë e akuzoj regjimin komunist”

Ja cilat janë arsyet që unë e akuzoj regjimin komunist, për këtë krim të përbindshëm e çnjerëzor që bënë ndaj meje. Komunizmi më dënoi qysh pa dhënë Gjykata vendim për dënimin me vdekje. Nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe Policisë Komuniste, kërkonte vdekjen time përmes kushteve tepër çnjerëzore ndaj meje dhe jetës time. Këto metoda torturash çnjerëzore dhe barbare, as gjatë periudhës së Mesjetës nuk janë përdorur. Vendndodhja ime ishte tepër sekrete edhe tre muaj mbas gjyqit. Komunizmi më cilësoi si një ndër armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë, duke më torturuar në mënyrë tepër çnjerëzore, gjatë viteve më të bukura të rinisë time. Ai më dënoi dhe ma bëri qelinë time të nëndheshme, sikur të ishte një arkivol apo sarkofag, ku djalli komunist vinte çdo ditë dhe më thoshte që të vdisja si armik i popullit dhe spiun i Perëndimit sepse: “Ke fyer Enver Hoxhën, heroin dhe Perëndinë e komunizmit dhe të socializmit”.

Këta barbarë më dënuan me 10 vjet burg, mbasi unë doja që populli shqiptar të mendonte i lirë, të fliste i lirë, të jetonte i lirë dhe të lëvizte i lirë e pse jo, edhe jashtë kufijve të vendit. Komunizmi më dënoi duke më shkëputur lidhjen me familjen time dhe ia mbajti të fshehur për tre muaj vendndodhjen time pas gjyqit. Cila ishte arsyeja që Sigurimi i Shtetit e mbante të fshehtë vendndodhjen time për një kohë të gjatë? Cili ishte plani kriminal i tyre? Tani, mbas 43 vitesh, bazuar në dokumentet e hershme shtetërore të Sigurimit të Shtetit komunist, zbulova se plani kriminal i tyre ishte dënimi im i dytë, (së bashku me babanë tim të paralizuar) me vdekje si agjentë imagjinarë të Shërbimeve të Zbulimit Anglez apo Britanik.

Komunizmi më dënoi personalitetin dhe dinjitetin tim, duke shpifur në popull, sikur isha i çmendur, sepse, sipas tyre, kisha fyer rëndë engjëllin e komunizmit shqiptar – diktatorin Hoxha, i pagëzuar nga djalli Marksizëm-Leninizmi. Komunizmi më dënoi sepse unë kërkoja të isha me të drejta të plota edhe si çdo qytetar i Evropës dhe Shqipëria të ishte një vend i lirë dhe demokratik. Komunizmi më dënoi duke më rrahur, torturuar dhe goditur më keq se një kafshë e egër e pyllit, sepse nuk pranoja që isha spiun britanik dhe i Perëndimit. Komunizmi më dënoi, sepse unë demaskova dhe iu kundërvura diktatorit Hoxha dhe regjimit komunist, për krimet e tyre para popullit, si dhe lavdërova Perëndimin, kulturën dhe muzikën perëndimore.

Komunizmi më dënoi mushkëritë që mezi ngopeshin me frymë, duke u sforcuar nga ajri i pakët, i ndotur e plot lagështi në atë qeli të nëndheshme, ku sporteli i derës ishte i mbyllur ditë e natë pareshtur. Kjo më shkaktoi ftohje dhe dëmtim të mushkërisë së djathtë. Unë flija mbi dyshemenë e ftohtë, prej dërrase. Komunizmi më dënoi stomakun dhe zorrët e barkut, duke më ndaluar ushqimet dhe duke më mohuar e ndaluar frutat, ujin e pastër edhe duke më dhënë ushqimin e pakët skandaloz të burgut. Komunizmi më dënoi trupin dhe gjymtyrët që rrinin pranë mureve të ftohta e me lagështi të qelisë, gjatë gjithë kohës edhe kur përjashta binte dëborë apo kishte edhe ngrica akulli, duke u dridhur nga të ftohtët nga mungesa e teshave, rrobave, çorapeve, batanijeve, dyshekut etj.. Kjo më shkaktoi sëmundjen e reumatizmit, të spondeliatrozës së qafës dhe të shtyllës kurrizore.

Komunizmi më dënoi sytë, duke ndenjur në një ambient tepër të errët dhe me ndriçim të dobët natyral, ma mohoi dritën e diellit dhe shoqërinë njerëzore me muaj të tërë, gjë që më shkaktoi sëmundjen e miopisë. Komunizmi më dënoi me vdekje përmes torturave dhe vuajtjeve të pafundme dhe më çnjerëzore në qelinë e nëndheshme, që përbën një shkelje flagrante dhe e paprecedentë e Konventës të të Drejtave të Njeriut në Botë. Komunizmi më dënoi dhëmbët dhe gojën me sëmundjen e rëndë të skorbutit dhe të paradontozës, nga mungesa e vitaminave, duke më ndaluar ushqimet që më dërgonte familja. Si pasojë, nga dëmtimi i rëndë i gojës dhe i dhëmbëve prej infeksioneve qelbi, e kisha të vështirë të haja ushqime edhe në të ardhmen.

Komunizmi më dënoi trurin duke më mbajtur të izoluar më keq se një kafshë brenda një ambienti tepër të vogël, ku mbizotëronte pagjumësia, uria e tmerrshme, fyerjet nën kërcënimin e përdorimit të elektroshokut, të ftohtit të acartë, torturat psikologjike. Unë isha në pragun e çmendurisë njerëzore, etj.. Komunizmi më dënoi sytë edhe veshët e mi, sepse dikur shikoja dhe dëgjoja stacionet e huaja televizive dhe radiofonike, meqenëse ky regjim harronte se unë isha edhe qytetar i Evropës dhe i botës. Komunizmi më dënoi fshehurazi me vdekje të tmerrshme, në mënyrë të ngadaltë dhe nga më mizoret pa marrë leje nga Zoti. Jetën ma kishte dhënë Zoti dhe i takonte po Atij të ma merrte. Komunizmi ma dënoi lëkurën time duke më lënë shtatë muaj pa u larë, që të infektohej dhe të sëmuresha rëndë nga sëmundjet më të rrezikshme, që të vdisja duke ma zhdukur trupin dhe varrin tim.

Kjo më shkaktoi infeksione të shumta të lëkurës të shoqëruara me skuqje dhe me vatra qelbi. Komunizmi më dënoi sepse donte të ma shkulte shpirtin nga trupi në mënyrën më djallëzore, më tinëzare dhe më të tmerrshme, sepse unë kisha fyer rëndë diktatorin dhe demaskova ashpër regjimin komunist. Prandaj ky regjim gjakatar kërkonte patjetër vdekjen time, nëpërmjet torturave që ushtronte ndaj meje dhe të vuajtjeve të pafund dhe antinjerëzore. Kjo dhunë fizike dhe psikologjike gjatë hetuesisë, më dëmtoi trurin, duke më shkaktuar pagjumësi, uljen e memories, ndjenjën e frikës në kohën e gjumit, të folurin përçart gjatë natës e tjerë.

Komunizmi më dënoi pa më dhënë fletë-akuzën; pa më njoftuar mua dhe familjen time për datën dhe orën e gjyqit; pa më dhënë laps dhe letër për të mbajtur shënime gjatë gjyqit dhe për t’u ankuar në Gjykatën e Kasacionit. Kjo ishte një shkelje flagrante e Kodit Penal dhe e Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë. Gjatë 100 ditëve mbas gjyqit, Policia ma ndaloi ajrosjen e qelisë. Komunizmi më dënoi pa më dhënë avokat; duke më bërë presion të madh psikologjik hetuesi dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit në sallën e Gjyqit, që po të mos pranoja para Trupit Gjykues fletë-akuzën, do të internonin prindërit e mi dhe do të më kthenin mua përëri në hetuesi; duke më mashtruar ditën e gjyqit, se do të më çonin të firmosja disa proces-verbale të vjetra në vendin e punës time dhe papritur më futën në sallën e gjyqit, në mënyrë që të isha tepër i papërgatitur dhe tepër i çoroditur; pa më dhënë rripin e mesit të pantallonave, që të diskretitohesha dhe turpërohesha para popullit; më nxorën në gjyq pa u larë, rruar dhe me rrobe tepër të pista, etj..

Komunizmi më dënoi duke falsifikuar dhe manipuluar Sigurimi i Shtetit, shumë nga proces-verbalet e deklarimeve të mia në hetuesi, në mënyrë për të me paraqitur mua dhe babain tim, si agjentë imagjinarë të Zbulimit Anglez dhe duke synuar më vonë të na dënonin të dyve me vdekje, në një gjyq special ushtarak në Tirane, gjoja si grup tepër i rrezikshëm agjenturor britanik në vendin tonë. Ky ishte akti i tyre tepër kriminal dhe antinjerëzor. Komunizmi më dënoi dhe uli dinjitetin dhe personalitetin tim njerëzor në mënyrë publike, si dhe nxiti ekstremistët e vet duke më fyer, duke më tallur dhe sharë me fjalët më të ndyra dhe duke më goditur me vezë të prishura, me domate të kalbura dhe me shqelma në sallën e gjyqit, për arsye se unë i tregova popullit të vërtetën e këtij regjimi të urryer dhe gjakatar.

Megjithatë në mbarim të kësaj beteje të ashpër gjyqësore, që zgjati dy ditë, unë isha fitimtar nga ana shpirtërore, morale dhe politike. Komunizmi më dënoi duke grisur fotografinë time publikisht, si student i shkëlqyer, fotografitë e rinisë dhe duke më djegur librat e shenjta të Biblës e të Kuranit, si dhe mjaft revista dhe libra teknike të miat të gjuhës angleze, si libra të Imperializmit e të Perëndimit. Komunizmi më dënoi mua dhe familjen time, duke na quajtur familje armike, kur kjo familje kishte kontribuar me vite të tëra para dhe mbas çlirimit për këtë vend, e duke më akuzuar mua dhe babanë të paralizuar, si spiunë të Perëndimit. Komunizmi më dënoi familjen sepse ne kishim takuar e mirëpritur në shtëpinë tonë shumë turistë perëndimorë, me dyshimin për veprimtari agjenturore të huaj.

Koha tregoi se këta turistë ishin miq të Shqipërisë, ndërsa komunizmi ishte xhelati i popullit tonë. Komunizmi më dënoi trupin tim, që nga uria e tmerrshme dhe i ftohti i madh filloi të tretej si qiri i ndezur dhe të vyshkej si një lule pa ujë duke humbur 35 kg, dhe duke shteruar energjitë e mia deri në pikën më ekstreme të jetës. Kjo sepse më quajtën fajtor për mendimet e mia për botën dhe jetën e Perëndimit. Komunizmi më dënoi paraqitjen e jashtme timen, duke e shndërruar nga fytyrë engjëlli, në një fytyrë djalli. Komunizmi më dënoi me synimin që oficerët e Sigurimit të Shtetit, të merrnin e të përvetësonin sendet e mia personale gjatë kontrollit që ushtronin në shtëpinë time pas arrestimit.

Komunizmi më dënoi dhe ma shkatërroi shëndetin dhe shpirtin tim në vitet më të bukura të jetës. Uria, mosajrosja e qelisë dhe i ftohti, ishin tortura për mua. Komunizmi më dënoi mua duke më vënë pseudonimin armiqësor apo epitetin fyes dhe tallës “Patoku”, për të fshehur veprimtarinë e tyre, duke më ndjekur dhe survejuar ditë e natë. Pra, dinjiteti im njerëzor ishte shndërruar në një emër shpendi dhe ulur mjaft, kur ata më nxorën në gjyq me ato rroba tepër të pista dhe pa rrip mesi e pa ndërresa të brendshme. Të gjitha këto krime të rënda që shkaktoi komunizmi ndaj meje, më çuan në pragun e greminës së madhe të jetës, si pasojë e rënies katastrofike të peshës sime trupore dhe të simptomave të para të çmendurisë, duke më ofruar drejt vdekjes mizore.

Komunizmi më dënoi duke më mbajtur për 9 vite në burgjet e ferrit komunist, ku hyra si njeri dhe më shndërruan e më trajtuan më keq se një kafshë e egër. Ishin të gjitha këto dënime që më dha mua komunizmi, që unë ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 ta injoroja dhe ta poshtëroja publikisht monumentin dhe librat e diktatorit Hoxha, në mes të kryeqytetit. Koha tregoi se unë kisha të drejtë. Ishin persekutorët komunistë që kishin përgatitur “varrin tim të fshehtë të vdekjes”. Kjo është arsyeja që fytyrat e persekutorëve të mi, nuk më hiqen nga mendja dhe nga shpirti im gjatë gjithë jetës. Ata gjithmonë më janë bërë dhe më duken si fytyra e djallit, që ka dërrmuar shpirtin tim, duke më hapur një plagë të madhe dhe nuk ka ilaç në botë që ta shërojë atë. Po kështu, janë me dhjetëra mijëra vetë, që patën fatin tim. Kjo sepse unë dhe të gjithë të persekutuarit politikë nuk lindëm që të vuajmë në këtë botë të qytetëruar dhe moderne./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here