Kujto publikon dokumentin sekret të Vendimit të Këshillit të Ministrave datë 28.2.1985 “Për ndërtimin e banesave me të dënuar me heqje lirie”
Në kohën e diktaturës komuniste, në dokumente, të burgosurit quheshin edhe “punëtorë të detyruar”. Kishte edhe raste që cilësoheshin drejtpërdrejt “të dënuar” si p.sh. në VKM-në nr,59, datë 28.2.1985 “Për ndërtimin e banesave me të dënuar me heqje lirie”. Blloqet e shumta me apartamente në Tiranë ose qytete të tjera, ndërtoheshin pasi merrej një vendim i Këshillit të Ministrave, i cili ishte gjithnjë sekret dhe nuk botohej në “Gazeta zyrtare”. Edhe më parë kishin nxjerrë VMK të tjera si VKM-në nr.214, datë 9.7.1976 “Për ndërtimin e banesave me punëtorë të detyruar” dhe VKM-në nr.419, datë 25.12.1976 “Mbi një ndryshim në vendimin mbi ndërtimin e banesave me të dënuar me heqje lirie”.

VKM-ja e vitit 1985 prekte gjithë qytetet e vendit, por kryesisht volumi më i madh i ndërtimeve ishte në Tiranë. Në qytete shfrytëzoheshin edhe të paraburgosurit ose ata me dënime të vogla, të cilët nuk kalonin në regjim burgu apo kampi. Në Tiranë ishte i specializuar për ndërtime Reparti nr.325 Tiranë (te “Ali Demi”, vend i cili pas vitit 1990 u bë burgu i grave). Ky repart ndërtoi zonën e pallateve te lagjja “Ali Demi” dhe vende të tjera të Tiranës.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.