Mestan Ujaniku, legjenda e maleve që u shua nga torturat në qelitë e diktaturës

0
2501
blank

Një nga figurat më në zë të luftës antifashiste në Jug të Shqipërisë, që pak vite pas mbarimit të luftës, ndërroi jetë në qelitë e burgut, sepse nuk kishte pranuar të bëhej komunist

 

Mestan Ujaniku është themelues i një prej çetave të para antifashiste në Shqipëri, ndikimi i së cilës u zgjerua përtej fshatit të tij të lindjes, Ujanik, në gji të malit të Tomorit, duke përfshirë thuajse gjithë Jugun. Sukseset e së ashtuquajturës “Çeta Plakë e Skraparit”, bënë që komunistët t’i afroheshin e t’i kërkonin bashkëpunim. “Në këtë kohë vjen edhe Gjin Marku, takohet për herë të parë me Mestanin dhe djemtë e tij në Velabisht të Beratit, që andej shkojnë në Tomoricë, Kurmak. Ishte 14 marsi 1942. Në teqenë e Kurmakut, ku punonte Baba Aliu, bënë dhe prezantimin e Gjin Markut si komisar të çetës dhe e quajtën çeta partizane, prandaj historiografia e re, komuniste, e quan datën e themelimit 14 mars 1942, kurse ata, këtë çetë, e gjetën të përgatitur që në vitin 1939”, ka thënë në emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços, në TvKlan, djali më i vogël, i Mestanit, Nuri Ujaniku, i cili vijon të tregojë veprimtarinë antifashiste të të atit, e cila ka hyrë në histori. Në gusht 1942, një detashment milicësh po torturonte burrat dhe po digjte shtëpitë e Ujanikut, për të dorëzuar Mestanin, i cili në atë kohë nuk ndodhej aty. Me ta marrë vesh, çeta e Mestanit e rrethoi detashmentin që u detyrua të dorëzohej, por i la të gjithë milicët dhe xhandarët e lirë duke u thënë se kush dëshironte mund t'i bashkohej në luftën për liri. Krejt ndryshe nga ç'thuhej se vepronin çetat partizane.

“U rrit emri i Mestanit. Iu bë propozimi për t’u bërë komunist. Nuk pranoi dhe qëndroi me pikëpamjet nacionaliste. U bë komandant i qarkut të Beratit. Meqenëse nuk pranonte të bëhej komunist, disa komunistë filluan të shprehnin pakënaqësi sepse thoshin “nuk po na dëgjon ne”. Ky nuk pranonte të prisheshin shtëpitë, le të ishte me Ballin ai tjetri, thoshte “përderisa s’ka bërë gjë kundër atdheut, nuk keni punë ta ta digjni shtëpinë”. Këtu nisi krisja e parë”, ka treguar Nuriu.

Me mbarimin e luftës, Mestanin e transferuan në Shkodër si anëtar të Shtabit të Divizionit të Dytë. Atje, ai pritet mirë dhe krijon marrëdhënie të afërta me patriotë të shumtë, përfshirë Riza Danin. Ndërkohë, nuk ngurron të shprehë pakënaqësitë ndaj reformave ekonomike që po zbatoheshin e që rëndonin shumë mbi fshatarin e mesëm. Krisja e parë, vazhdon të theksohet derisa marrëdhëniet mes tij dhe pushtetarëve thyen përgjithmonë në Kongresin e Përmetit, kur Mestan Ujaniku kundërshtoi hapur Enver Hoxhën për caktimin e padrejtë të gradave ushtarake. Ata pritën rastin për ta arrestuar, gjë që ndodhi në Tiranë, në maj të 1947-ës. Me t’i vendosur prangat Mestanit, djemtë e tij, që gjithashtu kishin luftuar kundër pushtuesve, i burgosën ose i liruan nga ushtria, siç bënë edhe me anëtarë të tjerë të fisit, që kishin marrë pjesë në luftë.

Doli në gjyq në janar të 1948-ës, ku gjykohej me 16 vetë, grupi i dytë i deputetëve. “Akuza që iu bë Mestanit, ishte lidhje me imperializmin anglo-amerikan për të rrëzuar pushtetin popullor, krijimi i çetave balliste dhe komandant i Ballit i Jugut, komplotist dhe inspirues i vrasjes së Baba Fajës dhe Baba Fejzos, “i ke dhënë revolen Dedesë”, kur revolen e tij e gjetën në shtëpi”, ka treguar Nuri Ujaniku.

Një apo dy muaj pas gjyqit, ai bashkë me të ëmën shkoi ta takonte babanë në burgun e Tiranës. E kishin dënuar fillimisht me ekzekutim, por më pas e kishin kthyer në burgim të përjetshëm. “Mbaj mend, i vogël isha, në atë sallën e burgut, me dy palë hekura, ai po vinte me një polic që e mbante prej krahu dhe mbahej në anë të murit. Ishte 46 vjeç. Mezi ecte. Katandisur si mos më keq, dobësuar sa s’ka ku të vejë më! Një burrë që ishte mbi 90 kile, u katandis në 40-50 kile. I tha nënës sime: “Mbahu dhe shiko djemtë se unë nuk e kam të gjatë”. Më pa mua duke qarë, më foli. “Bëhu burrë,- tha,- mos qaj”. Nuk shkoi shumë, vdiq më 11 korrik të 1948-ës, si pasojë e torturave të egra që i ishin bërë”.

Një bashkëvuajtës që Nuriu e takoi në Kavajë, vite më vonë, i tregoi se e kishte pasur afër në spitalin e burgut Mestan Ujanikun dhe e kishte parë me sytë e tij që kofshët i kishte të shpuara me hekur të nxehtë. Tortura si kjo, e të tjera, si mbushja e gojës me kripë e shëllirë, bënë që burri i kthyer në legjendë të shuhej në qelitë e burgut.

Bashkëshortja, me djalin e vogël prej dore, pasi mori vesh çfarë kishte ndodhur, kërkoi trupin e të shoqit, por drejtori i burgut, i tha se nuk u takonte atyre ta jepnin. Prokurori i rrethit, një ish-partizan që kishte luftuar në krah të djalit të Mestanit, as e mori në konsideratë kërkesën. Nuriu tregon se familja bëri kërkime private në atë kohë dhe më pas, kur ndryshuan regjimet, por pa arritur ta gjejë ku e kishin varrosur.

“Një njeri që u bë jehonë në gjithë Shqipërinë për çlirimin e vendit dhe la mbresa të mira te luftëtarët e tij, nuk ka një varr të tijin”, shpreh keqardhjen e tij Nuriu.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here