“Më keni hequr të gjitha të drejtat, prandaj më burgosni ose internoni”

0
283
blank

Nikoll Pjetër Sefgjini (1919-1987), nga Kokërdhoku i Matit, i mbetur jetim nga fëmijëria, pati një jetë fatkeqe në regjimin komunist, u dënua dy herë, duke vuajtur mbi 15 vjet heqje lirie, si dhe vdiq gjatë vuajtjes së dënimit në moshën 68 vjeçare. Theksohej se ishte pa kartë Fronti.

Dënimi i parë

U arrestua më 3.1.1964. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Citohej të kish thënë se “mish dhe vezë nuk bën toka”, si dhe kish përdorur fjalë fyese ndaj kryeministrit kinez Çu En Lai. Gjykata e Qarkut Tiranë me veprim në Peshkopi, me vendimin nr.9, datë 25.4.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. U lirua më 4.8.1970 nga Reparti nr.309 Skrofotinë, Vlorë, vend ku punoi për shkripëzimin e tokave.

Dënimi i dytë

U arrestua më 10.5.1978. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Ishte marrë në kontroll operativ më 28.9.1973. Bashkëpunëtorit “Sokoli” i ishte shprehur: “Nuk mbahen fëmijët me 5 lekë që marrim në kooperativë, prandaj nuk e nxjerr gruan në punë”. Më 8.7.1977, u ngrit në përpunim aktiv 2A, kohë kur i arrestuan edhe djalin. Këtë kohë, sipas bashkëpunëtorit “Dajti”, ishte shprehur kritik për gjendjen e keqe ekonomike, kundër tufëzimit të bagëtive, etj.. Por me shkresën nr.206/1, datë 30.3.1978, Drejtoria e Hetuesisë i rikthen materialet, pasi sipas saj, pas analizës së bërë me Degën e 8-të të Drejtorisë së Parë, kishte nevojë për më shumë të dhëna sepse ishin vetëm 7 të dhëna nga 3 bashkëpunëtorë.

Ditën që do arrestohej në flagrancë, ishte thirrur në mbledhjen e brigadës pse nuk lejonte gruan të punonte. Këtu ishte shprehur: “Tani më dërgoni më mirë në burg ose internim. Ky vendim që ka marrë partia është i padrejtë. Partia edhe mund të më vrasë po të dojë. Më kanë hequr të gjitha të drejtat. Është më mirë të jetosh në burg se sa këtu. Atje ka ushqim, rroba, këtu nuk i ke këto gjëra dhe të mendosh të gjithë të drejtat, më mirë të shkosh në varr se sa të jetosh”. Kish thënë se ishte mërzitur me këto stërvitjet ushtarake, se kongreset e partisë nuk të jepnin bukë, se me rrogën e kooperativës nuk jetohej, se kishin pasur bagëtitë e veta më parë, se partia po i linte të vdisnin, se më mirë jetohej në burg, etj.. U cilësua “me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”. Gjykata e Rrethit Mat, me vendimin e datës 28.7.1978, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Vdiq më 19.7.1987 në spitalin e burgut në Tiranë. U varros në Tufinë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here