“Mark, unë po të pagëzoj në emën të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë! Amen”

0
1164
blank

Histora mbresëlënëse e një pagëzimi në fshehtësi. Po afrohej fundi i diktaturës. Pak ditë më pas, më 25 dhjetor 1989, kambanat e kishës së Bukureshtit oshëtinë për herë të parë pas 45 vitesh, si për të festuar vdekjen e “antikrishtit”. Pas një viti liria do të vinte edhe në Shqipëri.

Ishte dimër në Rrëshen në vitin 1989 kur Dom Ndoc Ndoja ish nisur në një udhëtim që kish vite që e planifikonte. Do të shkonte në Mirditë, në fshatin Selitë, atje ku kishte shërbyer si prift për më shumë se dhjetë vite.

Udhëtimi ishte i vështirë në atë kohë për shkak të mungesës së automjeteve. Pas peripecish nëpër disa skoda të rastit që gjendeshin në rrugën drejt Mirditës, Dom Ndoci takohet me një djalë të ri rreth 25 vjeç. Dy udhëtarët nisin të bëjnë rrugën bashkë nga vendi ku i la makina e rastit për të mbërritur me këmbë në Rrëshen.

Në bisedën e njohjes, Dom Ndoci e njohu djalin e ri sepse ishte i biri i shokut të tij të prangave. Ishte djali i Markut, një i burgosur që kishte pasur për mik gjatë kohës së vështirë të burgut në Burrel e Spaç.

“Eh, more djali Markut, çfarë babet ke pas! Çfarë burrit! Sa na ka ndihmu ne priftavet. Disa prej nesh ishin të vjetër, disa nuk ishin mësue me punën e do të tjerë të brishtë me trup. Ai bante shpesh normën edhe për ne. Nji herë e kanë rrahë gardianët se morën vesh se më kishte ndihmue mue. Ishte një ditë e nxehtë vere. I nxehti kishte hy gati edhe në galeri, ku zakonisht âsht fresk, edhe pse nuk ka ajër të mjaftueshëm, e dukej sikur kishte depërtu në asht. Unë atë ditë isha sëmurë. M’u morën mend, rashë e vrava kryet. Më doli gjak. Marku mori ujë të pastër nga pagurja që kishte për të pirë ma hodhi mbi krye e ma pastroi plagën. Duke qeshur i thashë: “Po më duket sikur po më pagëzon, mor Mark”. Pastaj ma lidhi me këmishën e vet. Ia kam bekue shpirtin sa e sa herë. Njerëz si baba jot janë heronj të heshtun. Ndoshta kurrë nuk ka me u shkrue për ta, por emnat e tyne janë të shkruem në librin e Zotit”.

Biseda mes të riut dhe priftit vazhdoi deri në Rrëshen. Ndërsa nata kishte ra, Dom Ndocit i duhej të udhëtonte edhe për disa orë për të mbërritur në Selitë, të miku që e priste. Por djali i Markut këmbënguli për ta mbajtur në shtëpinë e tij atë natë e ditën tjetër, prifti do të nisej, në mëngjes, drejt Selitës.

Atë natë Dom Ndoci bujti në në shtëpinë e djalit të Markut. Plaka e shtëpisë, nana e Markut ishte e njohur për Dom Ndocin sepse kish qenë shpesh në atë shtëpi kur ai shërbente në Mirditë si prift, por e njihte edhe sepse nëna mirditore shkonte shpesh për të parë të birin në burg e çonte ushqime edhe për priftërinjtë. Por Marku ishte sëmurë menjëherë pas lirimit nga burgu e kish ndërru jetë.
Dom Ndoci solli atë natë kujtimet e paharrueme me Markun në burg duke shprehur mirënjohjen e thellë për të dhe familjen e tij. Më pas nana e Markut iu lut Dom Ndocit që të pagëzonte nipin e saj, pra djalin e djalit të Markut. Ishte koha kur në Shqipëri ndalohej çdo rit fetar, por priftërinjtë ia dilnin shpesh që në fshehtësi të plotë të pagëzonin fëmijë në malësinë e Mirditës e vende të tjera.

Dom Ndoci nuk hezitoi aspak veç nisi të përgatitet për ritin e pagëzimit të djalit të vogël, i cili mbante emrin Mark, si gjyshi i tij.

Kur nisi të thotë fjalët e pagëzimit, para sysh iu shfaq Marku, miku i tij i vuajtjeve në burg.

Mark, unë po të pagëzoj…” Iu kujtua galeria atë ditë kur vrau kryet. I doli përpara fytyra e Markut e dora e tij që mbante paguren në dorë e hidhte ujë mbi kryet e gjakosur të dom Ndocit.

“… në emër të Atit

I shpëtuan dy pika lot e u përzien në gotën e ujit të bekuar

të Birit… e të Shpirtit të Shenjtë. Amen!”

Të gjithë kishin heshtur, e përveç djalit të Markut, askush nuk po e kuptonte pse i dolën lot dom Ndocit. Kur mbaroi u tha: “Me jetë të gjatë Marku i vogël! U baftë burrë i madh!”.

Është treguar kjo histori nga Dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Mirditës dhe është një ndër pagëzimet më emocionuese të asaj kohe të vështirë.

Do të kalonin shumë pak ditë dhe në Shqipëri do të niste të frynte era e ndryshimit. Sepse kishte ndodhur më herët në vendet e tjera të kampit socialist, atje ku po rrëzohej regjimi komunist e era e lirisë po shpërndahej me shpejtësi në çdo cep të Evropës Juglindore dhe padyshim që do të vinte shpejt edhe në Shqipëri. Ngjarjet në Rumani i dhanë goditjen e fundit diktaturave në këto vende. Përmbysja ndodhi në ditën e madhe për krishtërimin. Më 25 dhjetor 1989, u ekzekutua diktatori famëkeq i Rumanisë Nikolai Çaushesku bashkë me të shoqen. Po atë natë, më 25 dhjetor 1989, kambanat e kishës së Bukureshtit, oshëtinë për herë të parë pas 45 vitesh, si për të festuar vdekjen e “antikrishtit”. Festa do vinte shpejt edhe në Shqipëri.

blank

Shënim: Historia është huazuar nga tregimi "“Agimi që lindi nga uji” me autor Dom Gjergj Meta.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here