Mark Ndoja, jeta në letrat e burgut

0
759
blank

Letër nga burgu i Burrelit/...ti më shkruen seç kam nevojë ma urgjent. Ti e din vetë se si asht dimni këtu. Por kjo varet nga mundësitë e pakta financiare të tuat. Kam nevojë siç e din nga e vjeçmja për ushqime që të mbushin barkun dhe të japin kalori, sepse këtu të ftohtit vepron me rreptësi. Dhe ja qysh dje ka fillue të ngrijë akull me të madhe... pixhamat mu kanë coptue, sidomos pantalloni i pixhamës së kuqe; kam nevojë edhe për nji palë çorape të leshta. Natyrisht që edhe pa këto disi e shkoj, në rast se të randoj tepër...

Letrat e burgut, në ato familje që i kanë ruajtur janë më shumë se një burim i vyer historik. Ata na japin mundësinë të shohim nga brenda jetën e tmerrshme të burgjeve të diktaturës. Një prej familjeve që i kanë ruajtur këto letra, është familja e Mark Ndojës. Ata i kanë botuar këto letra në librin epistolar “E dashuna Mili- letrat e nji të dënuemi politik”...

Mark Ndoja ishte shkrimtar, studiues, përkthyes. Ai lindi në fshatin Iballë të Pukës, më 29 mars të vitit 1912, në një familje me origjinë nga Toplana e Dukagjinit. I mbetur jetim që në moshën 11-vjeçare, nën kujdesin e Imzot Pietro della Pietra-s, u regjistrua në Shkodër në jetimoren e Jezuitëve. Më pas vijoi studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, në degën e studimeve klasike, ku pati profesorë Dom Ndre Mjedën, Atë Zef Valentinin etj. Bënte pjesë në rrethin letrar të Gjergj Fishtës, që i botoi dhe librin e parë. Me mbylljen e shkollave fetare ku ishte diakon, përfundoi Liceun në Shkodër.

U emërua mësues i Gjuhës dhe Letërsisë në Liceun e Korçës (1938-1940) dhe në Liceun e Shkodrës (1940-1946). Që nga viti 1941, u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashit Nacionalçlirimtar, si përfaqësues i nacionalistëve. U bë komunist vetëm në korrik të 1944, pas vrasjes së shokut të tij, Manush Alimanit. U zgjodh deputet i Shkodrës në dy legjislaturat e para pas luftës. Më 16 janar 1956, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Mark Ndoja u dënua me 6 vjet burg, "për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër Republikës Popullore të Shqipërisë". Nga ky moment do të niste një kalvar i gjatë e i vështirë për Mark Ndojën nëpër burgjet e diktaturës.

Nga burgu i Tiranës ai i shkruante bashkëshortes, Milenës: 

Tiranë, 5 mars 1956. E dashuna  Milenë!

Letrën e mora. U kënaqa dhe u helmova njiherësh. Më vjen fort keq pse mërzitesh ti, dhe pse unë jam shkaktar i helmit të zemrës sate, në moshën tande ma të mirë. Nuk duhet pra të jesh aq  sentimentale...ta kam pas thanë sa herë... Këto që ngjanë, ngjanë o Milenë, më dërgo kostumin se do ta nxjerr me e la dhe me e qortue këtë që kam veshun! Jorgani m’u ba fërtele! Më dërgo ca zarfa me pulla! Më dërgo furçën e dhambëve (me bar dhambësh, në paç) për tigan interesohu. Mos harxho për mue, sa të mundesh përpara për vehte e pas fëmijtë. Gjatë nuk lejohet me shkrue, shpesh po..."

Dy javë më vonë, ndërsa ishte në merak për librat e bibliotekës personale që ia kishin bllokuar, në një letër tjetër për Milenën, Marku shkruan:

"Tiranë, 20 mars 1956

Të lutem gjej mënyrën për zhbllokimin e bibljotekës sime. Nuk kanë pse e mbajnë ma të mbyllun. Kujdesohu këtu në drejtori të burgut me tërheqë sendet personale të mijat që mi kanë marrë me proces ditën e arrestimit. Milenë, ti u këpute tue punue për vehte për fmijët e për mue! Rrofsh Xhan që po qëndron lart moralisht në këtë fatkeqësi!...."

blank

Pak javë më vonë ai shkruan sërish nga burgu i Tiranës...

 

 

"Tiranë 5 maj 1956.

E dashuna Milenë

Me të drejtë u qave që nuk të kam shkrue tash së fundi. Megjithatë ti dije se unë tek ti e kam mendjen natë e ditë.

S’kam njeri në botë aq të dashun sa ty, këtë besoj se ti e din fort mirë, dhe kam arsye me të dasht se ti e meriton dashuninën time, derisa të kem shpirt. Nuk e paskam dijtë se të doja kaq fortë, por ngjarjet e hidhuna ma provuen këtë. Malli për ty më lodh tepër nganjiherë, por mandej rroj me poezinë e dashurisë sonë të vjetër e gjithmonë të re, dashuri që do të mbetet e paharrueshme. Unë me fjalën time të shkrueme do mundohem ta baj të pavdekshme.

Mileni, si janë djali e çupa? E di se kam mall edhe për vogëlueshen që ta lash 7 ditësh në gji kur u largova prej teje në mënyrë të befasishme?

Xhan Milena! Xhan Luli, xhan Marinta! Babi juej ju përqafon e iu puth sytë me zjarr dashurije..."

Marku ndërsa vuante dënimin në kampin e punës së detyruar në Zadrimë, në një letër dërguar në familje më 9 gusht 1956 shkruan:

"Fort e dashur Milenë,

Kam marrë 4 letra prej teje, deri tash këtu në Zadrimë. Unë kam nis tre dhe kjo ashtë e katërta. Mora edhe telegramin. Pse gjithë ky alarm prej teje?

Unë me shëndet jam fare mirë. Edhe në punë shkoj fare mirë. Po mësoj (pak si vonë, asht e vërtetë, por ma mirë vonë se kurrë) zanatin e babës, d.m.th. me punue me lopatë e me karrocë; dhe kjo asht nji punë që mund të bahet e të ban mirë, e asht e ndershme si gjithë të tjerat, dhe ka shumë ma pak kokëçarje se me shkrue vjersha. Jo që vjersha unë nuk duhet të kisha shkrue, sepse që pa talent dhe megaloman; me pretendime të kota. Pra: “krushkamadh, i hollë e i gjatë, rri n’zanat që t’la yt atë!”, siç thoshte fjala popullore. E Milena? Asht kështu apo jo?..

Deri në vjeshtën e vitit 1956, Mark Ndoja do të vijonte dënimin në kampin e punës së detyruar në Zadrimë dhe në Shkodër. Në burgun e Burrelit do të transferohej në fillim të vitit 1957 dhe do të qëndronte aty deri në fund të dënimit më 1960.

Nga burgu i Burrelit, me 2 shkurt 1957 Marku i shkruan Milenës:

Burrel 2 shkurt 1957

...teshat për të cilat më pyesje i kam të gjitha. Më ço bukë si herën tjetër, 6 kg miell misri, 3 kg patate të pjekuna, 4 kg gështenja të pjekuna e të zieme, 1 kg kryp t’imët, 1 kg hudhra, i peshqir, nji fshesë doracake; bjer cfarë të mundesh, po smunde ska gja; ullinj turshi e djathë pa qyp dheu s’ke pse i dërgon. Ço edhe 5 kg qymyr, 1 çank dheu 2-3 kg.., nja 10 gazeta. Çdo muej më blej e më co letërsinë sovjetike frengjisht. Kaq! Pse? Pak janë do të thuesh ti? Janë boll e tepër për buxhetin tand varfanjak por unë s’kam si ja baj. Po iu kërkoj. E dij se ç’ka mundesh m’i dërgon me siguri. Për të tjerat rrijmë edhe pa to....

blank

Po atë vit, në dhjetor, kur dimri sapo kishte nisur, në një letër tjetër, edhe pse nën peshën e censurës, Mark Ndoja na shpalos prapë jetesën brenda atij burgu dhe nevojat ekstreme të të burgosurve...

Burrel 2 dhjetor 1957

Shumë e dashuna Milenë...

..ti më shkruen seç kam nevojë ma urgjent. Ti e din vetë se si asht dimni këtu. Por kjo varet nga mundësitë e pakta financiare të tuat. Kam nevojë siç e din nga e vjecmja për ushqime që të mbushin barkun dhe të japin kalori, sepse këtu të ftohtit vepron me rrebtësi. Dhe ja qysh dje ka fillue të ngrijë akull me të madhe. Pra...ç’te te them. Besoj se e merr me mend vetë. Si veshëmbathje s’jam fort keq, por jam ende pa mbushë dyshekun, pixhamat mu kanë coptue, sidomos pantalloni i pixhamës së kuqe; kam nevojë edhe për nji palë çorape të leshta. Natyrisht që edhe pa këto disi e shkoj, në rast se të randoj tepër...

Ndërsa ishte ende në burgun e Burrelit, menjëherë pas një amnistie, Mark Ndoja i shkruan gruas së tij Milenës për përfytyrimet e tij në liri, ndërsa shpresonte se burgut po i vinte fundi..

“Shumë e dashuna Milenë....

Amnistinë besoj se e pe. Mue më takon të përfitoj prej saj, afro 11 muej: kështu që më bjen të dal në korrik 1960, në vend se në qershor 1961. Pra gati një vit përfitim...natyrisht që ty kjo pak të ngroh, por edhe kaq beretqaversen fundja. Kështu unë aty nga fundi i janarit të afërm kam edhe të drejtën e kondicjonelit, në mos daltë gja me lutjen që kam ba për falje. Sidoqoftë unë shpresoj gjithmonë. Jam optimist dhe pres të dal të punoj për fëmijët e mi, për atdheun tim që e due me gjithë zemër dhe s’ka burrë në botë që mund të më sjellë ma të voglin fakt që unë se due e se nderoj Atdheun, se skam  punue ose s’do të punoj për të. Pra besoj me ngulm se do të më jepet e drejta të punoj prapë i lirë, me mish e më shpirt, pa asnji përtesë për ti shërbye popullit, bir i të cilit jam!..."

blank

Ishte një ditë maji e vitit 1960, kur Mark Ndoja e la burgun e Burrelit dhe u kthye në shtëpi. Kur e kishin burgosur, bashkëshorten Milenën e kishte lënë në maternitet. Nuk e kishte parë dot lindjen e  vajzës Marintës. Vajza e vogël ishte rritur pa figurën e të atit në shtëpi. Ajo do ta njihte nga afër vetëm pasi ai të lirohej nga burgu i Burrelit..

“Unë kam qenë 5 vjeçe, babai është liruar në maj të vitit 1960. Herën e parë që e kam parë, unë nuk e njihja se kush ishte, kam qenë te dera e shtëpisë, por ma treguan të tjerët. Ishte një burrë i gjatë, me pallto gub, gri, copë-copë, me një thes në kurriz dhe me syze. Ai ishte babai im", kujton Marinta.

Njësoj si ajo, me përjetime edhe më të forta ishte rritur edhe i vëllai Luli. Por edhe pse në liri, jeta e Mark Ndojës nuk do të ishte më kurrë si më parë. I mbajtur nën survejim dhe i privuar nga shumëçka, ai do të vuante papunësinë e shumë vështirësi financiare në familje.

Gjithsesi, pasioni i tij për letërsinë do të ishte një ngushëllim, ku ai gjente strehë pas çdo lëndimi e zhgënjimi që pësonte në jetë. Për rreth 4 vite, ai do të bënte një jetë të tillë, mes familjes dhe librave. Gatë kësaj periudhe, Mark Ndoja përktheu nga shqipja në italisht në anonimat një vëllim me tregime të autorëve të rinj shqiptarë, veprën e Mjedës, "Kënga e fundit e Balës" të Gavril Darës. Përktheu në shqip "Komedinë Hyjnore" të Dante Alighierit, veprën e Horacit, Antologji të Poetëve të mëdhenj italianë. I dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për botimin e përkthimit të Ferrit me rastin e 700-vjetorit të lindjes së Dantes dhe, si përgjigje, më 25 dhjetor 1964, ditën e Krishtlindjeve, në shtëpi do t'i vinte urdhri për internim.

Marinta kujton: "...në dhjetor të vitit 1964 vjen një letër. Unë isha në shtëpi. Vjen një polic dhe më sjell një letër. Shkruhej që në orën 7 Mark Ndoja duhet të paraqitet para Degës së Punëve të Brendshme. Ia jap babit. Ai nuk e lexoi fare. Unë i thashë që e ka sjellë një polic këtë letrën. Më tha: “E di që është për burg”. Dhe në atë kohë i erdhën “disa” miq dhe e kam dëgjuar vetë që i thoshin “mos shko Mark, mos shko”. Pastaj ai e mendoi vetë dhe ka shkuar në orën 7, është paraqitur atje te dega. Mua nuk më kishte lënë ndonjë porosi që të rrija në shtëpi. Mami ishte në punë. Unë shkova të blija bukë. Te shkallët e shoh babin me dy civilë, përkrahësh. Edhe ai shumë i qetë. Ato syzet, se ishte miop, i mbante kështu të varura. Më pyeti se ku po shkoja dhe unë i thashë që do të shkoja të blija bukë. Më tha që të mos vonohesha shumë se ai do të ikte me punë, se kishte gjetur punë, se ishte gjithmonë në kërkim të punës. Më tha që do të shkonte në Vlorë dhe do të merrte disa rroba dhe unë duhej të kthehesha shpejt. U ktheva shpejt, vetëm bukë arrita të blija. Ndërkohë kishte ardhur edhe mami. Na lanë në korridor. Po bënin prapë kontroll të shtëpisë. Edhe mori disa rroba, një krevat, një dyshek, disa gjëra. Edhe kur doli unë i dhashë bukën që bleva dhe kishim blerë disa mollë për vitin e ri se ka qenë prag Krishtlindjesh. Edhe iku..."

Marinta kujton se në jetën e tyre do të përjetonin të tjera vuajtje dhe  sakrifica. Në familje, para se babanë ta internonin, kishte ardhur edhe një fëmijë tjetër, Leka. Tashmë Milena dhe tre fëmijë duhej të ndiqte Markun në internim që t'i çonte aq herë sa mundej ushqim e veshmbathje. I internuar në Zvërnec të Vlorës ai do ta kalonte gjithë pjesën e mbetur të dënimit atje, derisa një ditë të fillim janarit 1968, do të pësonte një hemoragji cerebrale.

"Ka qenë fillimi i janarit, ka qenë duke çarë dru në pyll dhe në këtë kohë ka qenë në këtë ishull Kristo Budo dhe babi. Dhe të dënuarit e tjerë që kanë qenë për 5 vite bashkë, Gjin Marku, Xhavit Qesja edhe Maqo Çomo, ishin larguar. Edhe këta prisnin një dënim tjetër, të tretë. Ishte punë ditësh. Dhe kur i ka rënë hemorragjia cerebrale, Kristo ka lajmëruar postën kufitare dhe e ka shtrirë aty në det, në breg të detit, dhe i ka bërë kompresa gjithë natën. Nuk kanë ardhur që ta marrin. I ka bërë kompresa me ujë deti dhe në mëngjes kanë ardhur dhe e kanë marrë, edhe e kanë çuar pranë morgut, sipas atyre që janë shkruar. Por se si është e vërteta, nuk e di", thotë Marinta.

Gjithsesi Mark Ndoja do t'i mbijetonte kësaj fatkeqësie. Ashtu gjysmë të paralizuar do ta kthenin në Tiranë në shtëpi me një barrelë. Fëmijët e tij e mbajnë mend në atë gjendje, tejet të rëndëruar, gjithë fundin e jetës së tij. Ai do të jetonte ashtu i sëmurë edhe 4 vite të tjera dhe do të mbyllte sytë përgjithmonë.

Marinta thotë se kjo ishte hera e dytë që jetonte në një shtëpi me babanë.  "Rreth 4-5 vite dhe pastaj vdes në qershor, ditën e lindjes sime, më 1972", thotë ajo me ngashërim.  

Marinta e mendon gjithnjë këtë përkim të trishtë datash dhe hesht e trishtuar. Ishte i tillë fati saj: Të jetonte me babanë vetëm 4 vite të lumtura të fëmijërisë dhe pastaj edhe edhe 4 vite të tjera nën pushtetin e sëmundjes, derisa mbylli sytë.

Ajo do ta lidhë gjithmonë ditëlindjen e saj, me ato ditët e para në jetë, kur mamaja e kishte ende në maternitet dhe të atin ia kishin arrestuar apo edhe kur ai u kthye nga internimi në gjendje paralize deri sa mbylli sytë sërish ditën e lidjes së saj me 19 qershor 1972.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.