Sapo ishte kthyer nga spitali i Gjirokastrës, kur polici e mbylli në një dhomë të errët ende pa takuar të ëmën, e cila nuk dinte asgjë për të bijën që kur e kishin marrë të sëmurë rëndë nga kampi i Tepelenës. Ishte fëmija i vetëm i Lulë Lekndreajt, pasi vajza më e vogël, Pashka i vdiq në Tepelenë.
Kujto.al sjell kujtimet e Zojë Lekndreajt, një fëmije të mbijetuar nga kampet e diktaturës komuniste në Shqipëri
Me gjasë, kujtimet e para të Zojë Lekndreajt janë pikërisht nga kampet e internimit. Ajo u gjend në kampin e Beratit në moshën 3-vjeccare, me të ëmën, e cila në atë kohë qe shtatzënë. Ishte vetëm fillimi i vuajtjeve të tyre. Më pas do t’i çonin në Tepelenë, ku Zoja do të humbte të motrën, 7-muajshe.
Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë dhe prej vitesh jeton në Belgjikë me fëmijët, nipërit e mbesat, Zojë Mhilli Lekndreaj nuk mund ta harrojë fëmijërinë e kaluar në kampet e internimit. Pa një rrëfim si ky, histori të tilla mund të humbasin. Ndoshta shumë edhe kanë humbur. Por Zoja, megjithëse përmbledhtas, ka arritur t’ia rrëfejë Fatbardha Saraçi Mulletit, historinë e vuajtjeve të saj dhe të së ëmës, Lulë Lekndreaj dhe autorja e ka përfshirë në librin “Dhimbje 5- Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit komunist”. Nga ky libër, kemi shkëputur përmbajtjen e letrës që Zoja i dërgon autores, ku përshkruan vitet e internimit nga një kamp në tjetrin.
Letra e Zojës
“Unë quhem Zojë Zef Mhilli (Lekndrea). E lindur në Tropojë në vitin 1945 dhe e internuar në 1948 në Berat, Tepelenë e Lushnjë së bashku me nënën time Lul Mirash Lekndreaj (Neçaj), e cila ishte shtatzënë. Na internuan sepse babai im, Zef Deli Lekndreaj ishte arratisur kundër regjimit komunist, në ish-Jugosllavi. Në atë kohë, filloi kalvari i vuajtjeve tona. Nëna ime, e ndjera Lula e moshës 24-vjeçare, e cila ishte shtatzënë dhe unë isha në moshën ende pa mbushur 3 vjeç, na internuan në kampin famëkeq të Beratit.
Pasi mbërritëm në kampin e Beratit, pa u bërë tre muaj nëna ime lindi një vajzë e cila e kishte emrin Pashka e lindur në Berat dhe pas shtatë muajsh ajo vdiq dhe u varros në Tepelenë ku ende nuk dihet varri as eshtrat.
U mbyll kampi i Beratit dhe na dërguan në kampin famëkeq të Tepelenës. Aty qëndruam deri në mbylljen e këtij kampi famëkeq në vitin 1954.
Gjatë qëndrimit në këto kampe, vuajtjet ishin çnjerëzore. Që nga uria deri te kushtet më ekstreme. Jetonim 500 persona në një kapanon. Jetesa ishte shumë e vështirë dhe të gjithë jetonin për jetë apo vdekje.
Tre herë në ditë bëhej apeli edhe pse ishim të rrethuar në tela me gjemba dhe ushqeheshim me ushqime shumë të këqija sa për të mbajtur frymën gjallë.
Ushqimi ynë quhej bollgur i cili ishte i mbushur me krimba. Në këto kampe jetonim me familjet e Gjon Gjomarkaj, Kolë Bib Mirakaj, Nik Sokoli, Kurt Kola, Qazim Mulleti, me familjen e Bajraktarit të Shoshit, Nikoll Bubit, Pal Cekes, Gjon Balën, Marash Tushit, Lek Previzin, Muharrem Bajraktarit e shumë e shumë familje të tjera.
Në moshën 5-vjeçare u sëmura dhe më dërguan në spital. Gjendja ime shëndetësore ishte shumë e rëndë dhe më dërguan në spitalin e Gjirokastrës.
Atje qëndrova tre javë. Nëna ime nuk dinte asgjë për mua si shumë nëna të tjera për fëmijët e tyre. Atëherë kur u shërova më shoqëroi policia nga Gjirokastra deri në kampin e Tepelenës. Kur mbërrita në kamp tentova të gjeja nënën time, por polici nuk më la dhe më izoloi në një dhomë pa dritë, në të cilën u frikësova më shumë se asnjëherë në jetën time. Shoqet i thanë nënës që të ka ardhur vajza. Nëna kishte tre javë që s'më kishte parë dhe erdhi me vrap të më merrte, por nuk më gjeti aty sepse më kishin izoluar. Nëna shkoi tek drejtori i kampit dhe e pyeti për mua. Ai ishte një njeri shumë i mirë dhe dha urdhër që të më nxirrnin nga dhoma e izolimit duke u bashkuar me nënën time”.

Zoja i ka treguar autores së librit se pas Tepelenës, internimi vazhdoi në fshatrat e Myzeqesë, ku duhej t’ia dilte me punën e rëndë në bujqësi. Aty, një oficer i ri u dashurua me Zojën dhe për hir të saj, e dorëzoi detyrën sepse një oficer nuk mund të martohej me vajzën e "armikut". Ata krijuan familje dhe pas rënies së diktaturës, Zoja u largua familjarisht nga Shqipëria. Ajo jeton në Belegjikë, me fëmijët, nipërit dhe mbesat, por ende kujtimet nga kampet e tmerrshme të internimit janë të gjalla te ajo.
Shënim: Historia e Zojës, letra e saj dhe fotot janë marrë nga libri "Dhimbje 5-Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit komunist", i autores Fatbardha Saraçi (Mulleti), FIORENTIA, Shkodër, 2023. Në foton kryesore: Zoja me nënën e saj, Lulë Lekndreaj.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.