29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë. Në orën 10:30-11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombëtar, që valavitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq.
At Zef Pllumi “Rrno vetëm për me tregue”
28 nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë, ndoshta ma e zymta që prej shpalljes së pamvarsisë. Qysh në fëmijni këtë ditë e kishim festue me dritë, ngjyra, kangë, brohori e flamuj. Flamujtë ishin naltue në kumbonaret e kishave, por ishin si të vetmuem dhe atë ditë nuk i kqyrte kurrkush. Gjermanët ishin largue të gjithë prej kazermave, zyrave dhe vend-rojeve të tyne në drejtim të Malit të Zi. Shkodra priste hymjen e partizanëve, të cilët ndër kodra të Bardhajve, në Postripë e përtej Urës së Bahçallëkut pritshin largimin e plotë të gjermanëve.
Atë natë u ndie zhurma e disa shpërthimeve të mëdha, aq sa u thyen xhamat e shumë shpijave. Nji motoçikël gjermane ishte kthye prej Hanit të Hotit për me i ndezë minat e vendosuna ndër urat që lidhshin qytetin me fushat. Mbas tyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti ma kurrkush n’atë natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atë çast Oksidenti po largohej prej nesh me nji hap shumëshekullor, se kundra katolicizmit në Shqipni do të fillonte nji luftë, e cila, me gjasë, do të vente në rrezik vetë ekzistencën e elementit katolik në Shqipni. Për klerin katolik nuk qe gja e papritun, madje mund thomi se ishte e parapame. Shumë vjet përpara kishin fillue përgatitjet e të rijve me leksione e konferenca për të përballue nji salvim aq mizor sa mund të na kushtonte edhe jetën...
N’orarin e lutjeve të mëngjesit, që prej orës 5 deri 6, u mblodh i gjithë komuniteti françeskan me eprorin, At Mati Prendushin, dhe me lutje të veçanta kërkuem mbrojtjen e të Madhit Zot. Kisha Katolike në Shqipni gjindej në Kopsht të Gethsemanit:
“O Zot, në kjoftë e mundun, largoje kët kelk prej meje!” Lutja ishte kjo, por u ba vullnesa e Zotit.
29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë. Në orën 10:30-11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombëtar, që valavitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq. Na këqyrshim mbas grilave të dritareve. Për hir të së vërtetës, duhet dishmue se popullsia katolike e qytetit nuk merrte pjesë n’atë manifestim, përveç ndonji personi të rrallë, që njihej si prokomunist, ndërsa nji pjesë e madhe e popullsisë myslimane, veshë në tesha festet, jepte dukjen e nji pritje të gëzueshme. Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante ma shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah?
Ndër kazerma nuk kishin çka me ba, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandej i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzi nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshehun. E para punë që banë, qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandej duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin ma shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem. Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in ose Y-in; ose për tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverije? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëherë krejt i panjoftun për popullin e Shqipnisë së Veriut.
Gjatë muejit dhjetor u vendos pushteti i ri i Shqipnisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mëdhaj e kurrkush nuk kishte gja në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga ma të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër.
Brigadat në Shkodër banë nji riorganizim, dhe kështu Major Gjin Marku me ata të parët që erdhën kaluen kufinin e Shqipnisë për t’u dhanë “ndihmë vëllazërore” popujve të Jugosllavisë. Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se nga erdhën aq shumë ushtarë sa nuk i kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thojshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën.
Shumë ushtri të hueja kishte pa Shkodra, por si këtë kurrnji jo.
Menjiherë mbas asaj dite të 29 nandorit 1944, në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë ma parë, në nji kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave, ndër të cilat filluen me u vendosë trapa lundrues e roje partizane. Kështu, malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipnisë? Përgjegjen e jepte “trobojnica”. Flamujt e shumtë tringjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robni të re të kombit shqiptar!
Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej hymni i atij flamurit të huej: “Ei sllovenski joshte zhivi”, “ço bajrak ne vije”, “zhivi, zhivi jugoslavenski” si edhe “Ide druzhe Tito preko Albanie... preko Albanie...” (Un nuk dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kshtu m’kan mbetun në vesh qysh n’atë kohë me gjithë meloditë e tyne).
Hymnet tona të flamurit nuk i ndigjojshin ma.
Kaluen disa ditë. Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vu “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:
“Duam të hipim në këmbanare”.
Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këtë detyrë ishte i ngarkuem At Filip Mazreku: ai kishte vendosë të fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue qenë se un ishem e ri e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta At Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta ma kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shej, pa nishan. Ne nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”
“Jemi të dërguem nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp – thanë ata – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”
“Eh, po nuk kemi tjetër.”
“I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër dhe ky me yllin partizan.”
“Dy flamuj? – pyeta un. – Po ne kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”
“Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”
“Kurrë”.
“As atë të Vatikanit?”
“Jo, kurrë.”
“E si t’ia bëjmë?”
“Si të doni.”
“Ja që do kthehemi; do të marrim edhe nji tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi.”
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull.
“Uaaa! Sa bukur!”
Prej aty Shkodrën e kishe në shuplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëherë e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në të flamurin e ri me hyllin partizan.
M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun, mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pyetën: - A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”
“Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të ketë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”
“Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. - Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”
“As unë nuk e dijshem, nuk u kujtova.”
“Rri këtu, se do të biem nji usta.”
Zdrypën e shkuen.
Mbas ndonji ore e kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.
Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e re të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikujt atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atë vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës.
Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës At Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pyeti:
“Ti i ke çilsat e kumbonares?”
“Po m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin”.
“Ti e vune flamurin jugosllav?”
“Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë”.
“A e din ti – më tha – se aty n’atë vend me 12 qershor 1913 asht vu për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt mke pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atë flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hy në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atë flamur? A e din ti...”
“Patër, - i thashë, - të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, tërguem nga komanda. Çka kishem me ba un: me u vra me ta?”
“Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Ma mirë të mos e kishem pa këtë ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!... Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po çka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?”
“Thanë se zbatojshin urdhnin e komandës, për ma tepër ata folën mes vedit që atje nalt në kumbonare të vendosej nji mitraloz”.
“Mitraloz?”
“Po, nji mitraloz, sepse thanë që kumbonari kontrollon gjithë qytetin”.
“Na e kemi dijtë gjithmonë se çfarë lirije na bien serbët! Po çfarë shqiptarësh janë këta partizanë që luftojnë për sllavët? Kanë çue edhe djelmët tanë me i mbytë atje!... Mjerë Shqipnia n’dorë të kujt ka ra!”
Nji paralizë e përgjithshme i ra jetës normale. Nuk pati ma as rrugë as telefon, as dyqan as tregti, as zyrë as dokumente zyrtare. Rrallëherë vetëm nji copëz e vogël letre me vulën partizane i hapte të gjitha dyert. Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerëzit e ditun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka: ate që nuk dihej!
Mbas disa ditësh, mbrenda qytetit filluen operacionet ushtarake: kontrollet. Të gjitha shtëpitë e qytetit, pa përjashtim, kontrolloheshin prej partizanëve t’armatosun, në çdo skutë, në çdo birucë, në çdo oxhak, në çdo quer. Nën pretekstin se ishin në kërkim të “kriminelave” e “reaksionarëve”, këto veprime kishin si qëllim me mbjellë terrorin në gjithë popullsinë, prandej pothuej ndër të gjitha rastet, shoqnoheshin me pushkatime e me burgime.
Shumëkush, për t’ikë terrorit, merrte arratinë ndër male e hidhej n’ilegalitet, ose strukej te ndonji mik besnik. Ndëshkrimet për ata që strehojshin “reaksionarët” ishin torturat e tmerrshme dhe pushkatimi, që ndodhte të bahej edhe vetëm pse emni i nji personi ishte i ngjashëm me atë të ndonji tjetni, të cilin e kërkojshin. E shumta e atyne njerëzve, ushtarakë a civila, të ngarkuem me detyra e përgjegjësi, ishin analfabetë ose gjysanalfabetë.
Në fillim të dhjetorit 1944 ia behi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit nji grup i randësishëm prej 7-8 vetash, i shoqnuem prej Kolë Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunë me vedi shumë urdhnesa, si mbylljen e revistës kulturore Hylli i Dritës, si edhe të gjitha revistave tjera fetare Zani i Shan Ndout, Zgjimi i djelmnisë, Bijat e Zojës etj. Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjës si dhe të gjitha shoqatave fetare. “Vizituen” edhe Bibliotekën e Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit. Kola kërkoi unazën e Gjeçovit. Kështu thirrej nji unazë antike, me gjasë e shek. I, arit, punim i dyfishtë me mjeshtri të madhe, që kishte nji gur të naltë joproporcional me unazën. Thohej se nji përfaqësues i British Muzeum-it kishte ofrue për të shumën 14000 sterlina ar. Ndërkaq Kola e muer dhe lëshoi nji letër-vërtetim.
Episode nga libri “Rrno vetëm për me tregue” me autor At Zef pllumbi
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.