Fotografia që na tregon ngjashmërinë ndërmjet kampeve të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe kampeve të internimit në Bashkimin Sovjetik
Në këtë forografi shfaqet një pamje e kampeve Gulag në Bashkimin Sovjetik. Në rrjetin e kampeve të internimit të quajtura Gulag, vuajtën dënimin miliona qytetarë të Bashkimit Sovjetik të shpallur kundërshtarë të regjimit stalinist. Më mijëra humbën jetën në kampet e Gulag-ut për shkak të kushteve çnjerzore, urisë e punës së detyruar.
(Foto: Kampet e Gulag-ut, Rusi)
Fotografia që shihni më poshtë është kampi i Tepelenës i inskenuar bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve të atij kampi dhe skicave të Lekë Pervizit, i cili është gjithashtu i mbijetuar i kampit të Tepelenës.
Në këtë kamp kanë vuajtur dënimin rreth tremijë familje shqiptare kryesisht nga Veriu i Shqipërisë. U dënuan me internim për shkak se kryefamiljarët e tyre ishin arratisur pasi ishin shpallur armiq të popullit nga regjimi dikatorial i Enver Hoxhës. Nga viti 1948 deri në vitin 1953, në këtë kamp humbën jetën rreth 600 të dënuar, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Nga sëmundjet që kishin pllakosur, tifo dhe dizanteri, nga mungesa e ushqimit e higjenës si dhe herë pas here edhe nga plasja e minave që ndodheshin rreth kampit të Tepelenës. Ky kamp mbetet një prej vendeve më të tmerrshme që kishte ngritur regjimi komunist për kundërshtarët e tij dhe familjet e tyre.
Ngjashmëria midis dy fotografive është e dukshme dhe na tregon se kampi i Tepelenës dhe kampe të tjera të ngritura nga regjimi komunist në Shqipëri, janë thuajse të njëjta me kampet staliniste.
Po njësoj ka qenë edhe terrori i diktaturës mbi kundërshtarët e regjimit dhe familjet e tyre. E njëjta egërsi ndaj atyre që regjimi i quante “Armiq të popullit” përshfaqet në kampet e diktaturës komuniste.
Ndër të gjitha vendet e Lindjes komuniste, Shqipëria krahasohet për nga egërsia e diktaturës ndaj popullit, vetëm me modelin e kampeve Gulagë, të ngritura nga Stalini për kundërshtarët e regjimit. Nga studimet e kryera deri tani nga studiues kryesisht të huaj, rezulton se diktatura ndaj shqiptarëve në 45 vjet, është e ngjashme vetëm me atë të Bashkimit Sovjetik. Sipas studiuesve, egërsia e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk mund të krahasohet me regjimin që sundoi në vende si Gjermania Lindore, Rumania, Çekosllovakia, etj., përveçse me Bashkimin Sovjetik./kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.