Atje mbretëronte vetëm errësina e lagështina... Një rreze drite mëzi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç‘ishte trashësia e murit...Njerëzit ishin dobësuar nga mungesa e ushqimit. Gjysma e të dënuemve u verbuan.. Ndue Doshi, Mark Doshi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi, etj. ecnin këmba doras e duhëshin mbajtur për krahu. U sëmur për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu: Merrëni dhe hidheni në det këtë kërmë!
Ishte vitit 1950 kur regjimi komunist ishte ne kulmin e luftës së ashpër kundër atyre që ishin etiketuar si “Armiq të Popullit”. Pjesa më madhe e intelektualëve të Shqipërisë bashkë me familjet e tyre u syrgjynosën nëpër burgjet dhe kampet e internimeve të përgatitura me kushte çnjerzore. Kampi i Portopalermos ishte një prej tyre, atje ku u mblodhën familjarët të disa prej emrave më të famshëm të caktuar nga regjimi si “amiq të popullit”. Lekë Pervizi e rrëfen me detaje kampin e Portopalermos dhe tmerret që ai pa me sy në atë kamp.
***
Kur na çuan në kalanë-burg të Portopalermos, aty gjetëm të mbylluna në atë kala mesjetare, disa nga familjet ma të randësishme tëVveriut, si Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, Ndreaj, Topalli, Mirakaj, Kolaj, Spahia, Sinaj, Shehaj, e tjera familje bajraktarës nga Mirdita, Malsia e Madhe, Puka, Lezha, etj., krejt gra e fëmijë, pleq e plaka. Aty gjetëm mamën tonë dhe kushrinën Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin po atë ditë kur ai kishte mbrritë nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjithë familjet i larguen e i çuen në kampin e Tepelenës. Kalaja e Portopalermos u kthye në burg vetëm për burra. Jo me dënime nga ndonjë gjykatë por të përplasun brenda saj nga Sigurimi. Aty mbretëronte vetëm errësina e lagështina. Mue me Valentinin na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6 metra. Drita mëzi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç‘ishte trashësia e murit. Në atë kthinë si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj nga ana e lindjës, drej mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dy anët me një shteg kalim në mes 20 vetë rresht njeni pas tjetrit me kokë nga muri dhe kambët karshi karshi. U njohëm menjëherë me ta. Përballë kishin Vasil Kokalin, një djal i ri nga Saranda, e Shpend Sherifin, isht toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë, Luigj Marku, Luigi Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk me kujtohën, e kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë më kujtohen, Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi Deda ishte bukëpjeksi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë. Ne ishim në kushte të një izolimi të plotë.
A kalonte a s‘kalonte një kamion në muej në rrugën Vlorë-Sarandë. Mue dhe Valentin kur na sollën këndej, makina na la në Himarë te posta e policisë, ku fjetëm atë natë nën yjet. Të nesërmën, dengun e teshave mbi kurriz e në kambë deri të Kalaja të shoqnuem nga një oficer i sigurimit i armatosun. Me mbylljen në kalanë e Portopalermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqën. Jo vetëm kaq por dhe me dashtë me shkrue nuk kishte as letër as zarf as kartolina, fjala vjen. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër ne jetonim vetëm me spirilangun e kazanit që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë prej thekni. Sa që u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin nga 650 në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut të hanim buk dhe jo pelte. Njerëzit ishin dobësue nga mungesa e ushqimit. Gjysma të dënuemve ishin verbue nga mungesa e vitaminave, si Ndue Doshi, Mark Doshi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi, etj. që ecnin këmba-doras e duhëshin mbajtur për krahu. U sëmue për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyre që e ruenin: Merrëni dhe hidheni në det këtë kërmë! Përmendëm kapter Ahmetin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qën roje në burgun e kalasë së Gjirokastrës që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Portopalermo mbeti pa mend nga kushtet tëpër të keqia dhe u shpreh haptas, se kalasë së Gjirokastrës i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos qenka për t’i qa hallin !
Nuk vonoi dhe filluen të sjellin ish-të burgosun që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar, si Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një far Kalenja, nga Mallakastra ish-shok i Mehmet Shehut, qe na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë nga Devolli e Korça të familjëve Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla etj. Sollën disa nga Mirdita e Puka që ishin arrestue për vrasjën e Bardhok Bibës. Kështu u pa se ajo kala do të mbushej mirë me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e përvers. Atë të zhdukjës fizike me anë të mungesës ushqimore, me një trajtim tepër të keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjienike. As ilaçe e mjekime. Për mjek as që flitej. Siç thamë nga dobësia njerëzit filluen të vërbohën nga sytë. Filloj të shfaqej dizanteria. Policia na çoj disave në Himarë për të marrë disa pako që kishin ardhë aty, nga familjet e të dënuemve.
Mue me kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net qe nuk flija. Me atë rast ma hoqi dhëmballën bërberi që kryente edhe detyën e dentistit pët të shkull dhambë e dhëmballë, pa asnjë mjekim, me një palë dana të zeza sterr. Se si mu dha me kërkue një mjek, dhe polici me lejoi. Mjekut puro himariot i besova dhe i tregova për vërbimin, dizanterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçëve. Njeri i mrë siç ishte me tha troç: E keni pisk punën, në ato kondita pa shpresë. Ç’të thoshte tjetër, i kishte thanë të gjitha.
Fatmirësisht qëndrimi në ketë kala nuk shkoi gjatë se do të kishim vdekur të gjithë. Doktori himariot u shpreh qartas, … pa shpresë. Kishte plotësisht të drejtë. Ushqimi ditor ishte mizerabel, 400 gram bukë thekri e një lugë lëng groshe ose makaronash. Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambjenti ishte gjithmonë në terr. Lagështia ishte një gjendje e mjerueshme. Për të fjetur si dyshek kishim rrasat e gurit. Ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave. Ajo dobësi kishte përfshi edhe Valentinin. Unë dhe të tjerë po e shihnim se ishte zverdhë në fytyrë, dhe mezi lëvizte. Pse? Ç’kishte? Unë insistova të tregonte. Atëherë ai me mori e me çoj te një ndërtesë e rënnueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ç’me pa? ? Dy lunga të mëdha, plot qelb e gjak. Po pse nuk na ke thane Valentin? Duhën shpue urgjentisht. Si me ia ba? Unë shkova dhe mora një gjëmb të madh drize, s’kishim mjet tjetër. Ia shpova e çava, me atë gjëmb e kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Për fat e mori veten, dhe gjithçka kaloi. Eh mor Valentin, ku ti e ku Gori? Ajo në Parajzë e të në Ferr. E ku mund ta përfytyroje ajo si jemi degdisë? Valentini shpëtoi kot, se lungat janë shumë të rrezikshme, jo si të thatët. Ato shkaktojnë helmimin e gjakut
Skicë e kalasë së Portopalermos (1950) që unë kisha vizatue në një copë letër dosido. Operacioni primitiv me një gjëmb drize, i paimagjinueshëm nga mjekësia, ia shpëtoi jetën Valentinit. Por po të vazhdonim në ato kondita të mjerueshme, zor të shpëtonim të gjithë sa ishim nga që po shkrihëshim dita ditës, dhe ishim të vetëdishëm për një mbarim tragjik tonin.
Papritmas gjendja ndryshoi. Ata kriminelë që kishin vendosë të na vdisnin aty, u detyruen të na heqin urgjentisht. Transferimi nga Portopalermo u bë i befasishëm me nxitim të madh. Kur na nxorën nga kalaja, pamë se aty ngjit me bregun ishte një motobarkë e madhe ngarkue me dërrasa. Plot oficerë e policë. Nxorën nga barka të prangosur pesë vetë dhe і ngarkuen në një gaz Molotov me drejtim nga Vlora shoqëruar me dy xhipsa. Në anën tjetër me turi nga Saranda, ishin katër kamionë të mbuluem. Ne të tjerëve na hypën në ato kamionë me gjithë plackat. Udhërtuem gjithë kohën si duket me drejtim nga Delvina, dhe sosëm në Tepelenë natën, ku na stivosën në gazermat ciklopike duke na bashkue me të internuemit e tjerë. Ishte nëntori 1950. Qyshë të nesërmën na nisën në mal në punën e detyrueme për të ngarkeue në kurriz barrë drushë e shtylla për miniera, bashkë me të internuemit e tjerë, gra e burra, dhe kjo punë bahej çdo ditë, nga agimi deri kur binte nata.
Para kalasë së Portopalermos pas 72 vjet (1950-2012), bashkë me gruen Gjuliana (Beba). Konstatova se nga faqja e murit sipër hyrjës ishte heq pllaka me mbishkrimin greqisht që tregonte për ndërtimin e saj. U muer vesh se pllaka ishte vjedhë e shit në Greqi.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.