Jolanda ishte lindur në Napoli, nga dy prindër shqiptarë. Vendosi të jetonte në Shqipëri, por ky vendim i kushtoi shtrenjtë në diktaturë, kur vuajti gati 14 vite burg. U arrestua kur ishte 22 vjeçe për spiunazhe ndaj Italisë dhe SH.B.A-së që nuk i kishte kryer e as kishte mundësi t’i kryente. Jashtë la vajzën e vogël vetëm 13-muajshe, e cila ishte 15 vjeç kur e ëma doli nga burgu
Një histori interesante është ajo e Jolanda Bruno Carianos, e njohur edhe Jolanda Dhionis Bashi-Tafmizi. Jolanda u lind më 7.11.1930 në Napoli. Në Shqipëri figuronte si e bija e Dhionisit, ndërsa në Itali si e bija e Brunos. Më 1936-1939 ndjek shkollën e murgeshave. Më 1939-1944 ndoqi gjimnazin dhe mbaroi një vit në Universitetin Mjekësor po në Napoli. Kishte dy shtetësi, italiane e shqiptare. Në vitin 1946 erdhi në Vlorë sepse mamaja e saj figuronte ende e martuar me Dhionis Bashin (i cili kish qenë 20 vjet funksionar i konsullatës italiane në Vlorë dhe ishte dënuar për arsye politike), më të cilin kish një djalë Mikelen e një vajzë Fofin. Mamaja e Jolandës, Margarita Kolea, kish mbetur në Napoli qysh në vitin 1929. Margarita që ishte martuar në Itali me Brunon, mori deklaratën e divorcit dhe u largua në Itali. Fëmijët mbetën këtu.
Jolanda punoi edhe infermiere. Nuk iku në Itali me mamanë e saj se u dashurua dhe martua me Kostandin Anastasin. Ndahet me të në fillim të vitit 1949. Martohet më pas me Ibrahim Tafmizin. Kishte një vajzë. Ndahet edhe nga burri i dytë. Në vitet 1950-1951 banoi në Tiranë, e vetmuar e në shtëpi të ndryshme. Në korrik 1951 u arrestua sepse nuk pranonte të ikte nga Tirana. U burgos 28 ditë dhe u dëbua në Durrës. Banoi te një shoqe austriake, Marcela Karli dhe punoi në kooperativën e konsumit, prej nga ku u largua se doli 6000 lekë deficit. Në shkurt 1952 vjen sërish në Tiranë për të punuar në kooperativën e leshpunuesve, por nuk mundi.
Dënimi
U arrestua më 22.2.1952, kur ishte vetëm 22 vjeç. E shkëputën nga vajza që ishte 13 muajshe. Në procesin gjyqësor quhet Jolanda Bashi (Karbunara). Arrestimi i saj u kërkua nga punëtori operativ i Sigurimit, toger Dhimitër Andoni i Degës së 5-të (që njihej këtë kohë si Reparti nr.3011) i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Akuzohej se kishte “zhvilluar spiunazh në favor të klikës së De Gasperit”. U pyet nga operativi që e arrestoi. Në thelb kërkohej të pranonte që ishte informatore e legatës italiane në Tiranë. Hetuesia ishte kontradiktore, por nuk del fakti kryesor se për çfarë do informonte kjo, kur nuk kishte asgjë në dorë, nuk posedonte asnjë sekret shtetëror. Pavarësisht se akuza bën fjalë “për të dhëna të rëndësishme”, nuk doli asnjë përcaktim se çfarë mund të ishin këto të dhëna. Aktakuza u miratua nga nënkomandanti i Repartit nr.3011, major Dhosi Progri dhe ndihmësministri i Punëve të Brendshme.
Mbi bazën e saj, prokurori, toger Kulla Kullaj, ngre akuzat në bazë të neneve 3/10, 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se ishte “rekrutuar nga spiunazhi amerikan”, takime me misionin amerikan dhe më vonë vënie në shërbim të legatës italiane; si dhe nenit 8 të ligjit nr.781, datë 17.11.1949 “Mbi fajet penale kundra pasunis” (për 6000 lekët deficit). Akuza ishte krejt kontradiktore, pasi në kohën e misionit amerikan (1945-1946), Jolanda kish qenë 15-16 vjeç dhe as kishte ndonjë mundësi të kryente ndonjë veprim. Po ashtu, ishin hetuar më parë personat që kishin qenë në lidhje me atë mision. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.167, datë 25.6.1952, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 18 vjet privim lirie, punë të detyruar, heqjen e të drejtave zgjedhore për 3 vjet dhe zhdëmtimin e 6000 lekëve për arkën e shtetit. U la në fuqi me vendimin nr.349, datë 31.7.1952 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 30.11.1965 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në moshën 35-vjeçare.
Vdiq më 21.3.2006 në Tiranë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.